Në gjashtë muajt e fundit, 409 zjarre kanë shpërthyer në Tetovë e rrethinë. Shumica prej tyre në hapësira të hapura. Faktori njeri ka qenë shkaktari kryesor, thonë nga njësia kundër zjarrit, duke apeluar te qytetarët për më shumë kujdes, sidomos tani gjatë temperaturave të larta.
“Kemi qenë edhe në parkun e malit Sharr i cili është i mbrojtur dhe ka një drejtori ku bashkërisht me ne dalin në intervenime të llojit të tillë. Dihet se faktori njeri është xixa e parë e zjarreve të mëdha. Kështu që apelet e zjarrfikësve si zakonisht janë që të ruhet natyra, për shkak se ajo është e jona dhe duhet të kujdesemi më shumë”, tha Avni Ameti, Komandat i Njësisë Zjarrfikëse – Tetovë.
Drejtori i Parkut Nacional “Mali Sharr” thotë se janë të përgatitur për ndërhyrje emergjente, pavarësisht kapaciteteve të limituara të personelit.
“Kemi një plan vjetor operativ për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret, posedojmë një automjet special me rezervuar dhe pompë për shuarje të zjarreve, kemi bërë edhe trajnimin e punonjësve për shuarjen e zjarreve, si dhe për ndërhyrje në raste emergjente”, theksoi Evzal Elmazi, drejtor i Parkut Kombëtar “Nali Sharr”.
Drejtori i parkut nacional rikujton se të gjithë vizitorët që futen në zonën e parkut, me ligj janë të detyruar të regjistrohen. Çdo hyrje paguhet 150 denarë për automjet. Tani gjatë temperaturave të larta është rreptësishtë e ndaluar të ndizen zjarre në parqet kombëtare. /TV21/