TIK-TOKU QË PO MERR JETË! | Rrjetet sociale gjithnjë e më të rrezikshme për adoleshentët në RMV

    Derisa rrjetet sociale për kohët moderne konsiderohen si pjesë e angazhimeve të përditshme, dhe interpretohen sipas dëshirës së secilit, ata kanë filluar të bëhen të rrezikshme edhe për jetën e fëmijëve. Në vendin tonë ditë më parë rrjetet sociale shkaktuan edhe vdekjen e parë. Aludimet se 14 vjeçarja e gjeti vdekjen si pasojë e tentimit për të krijuar një video për rrjetin social TIK-TOK, në fakt tregojnë realitetin e asaj se çka janë të gatshëm të rrezikojnë të rinjtë vetëm e vetëm për të fituar pak popullaritet, si dhe sa mos-kontrollues janë prindërit mbi fëmijët.

    Psikologja Lindita Vejseli-Mustafa për gazetën KOHA tha që sipas një hulumtimi, përdorimi i internetit në 10 vitet e fundit ka kaluar përmasat e normales, dhe kjo ka bërë që shumica e njerëzve, e në veçanti fëmijët të vuajnë nga sëmundje emocionale dhe fizike. Sipas saj, posedimi i një smartfoni para moshës 10 vjeçare ka ndikuar në rritjen e numrit të fëmijëve që janë të varur nga ekranet, si dhe atyre që kanë probleme me vëmendjen, shëndetin, bullizmin, e probleme tjera të aspektit mental.

    “Përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale përveç që po bënë që të rrisim fëmijë ‘robot’, të cilët jetojnë në botën e tyre virtuale, ai gjithashtu mund të sjellë rreziqe dhe pasoja, duke çuar në një varësi tepër të rrezikshme, varësi që mund të prekë çdo moshë, nga më të vegjlit, por që më të prekur janë adoleshentët, pasi media digjitale për ta është pjesë e jetës, duke qenë burim kryesor i informacionit dhe komunikimit”, tha Vejseli-Mustafa.

    Sipas psikologes varësia nga rrjetet sociale më shumë është vërejtur në kohën e pandemisë kur e vetmja mënyrë për t’i argëtuar fëmijët dhe për të komunikuar me botën ishte interneti dhe rrjetet sociale si, facebook-u, snapchati, tik-toku, etj.

    ”Aftësinë e rrjeteve sociale e pamë si ‘zgjidhje’ për të na mbajtur të lidhur me botën jashtë, mësuam gjuhë të re komunikimi, duke krijuar shkurtesa dhe dërguar emoji, duke mos i menduar pasojat që vijnë pas saj. Prandaj sot besohet që çdo i treti adoleshentë ka një problem të përkohshëm të shëndetit mental, çdo i 10-ti ka probleme që e pengojnë të funksionojë mirë në shkollë, me bashkëmoshatarët, me familjen, ka simptoma që e pamundësojnë zhvillimin e duhur edukativ, social dhe emocional”, theksoi psikologja.

    Se ku janë prindërit në këtë kaos sipas saj, një hulumtim i shoqatës “Rinia mundet” ka treguar që nëse do të kishin qenë pre e ndonjë dhune, 37% e femrave të anketuara, do të kërkonin ndihmë profesionale por pa dijeninë e prindërve. “Pse pa dijeninë e prindërve? Thjesht a dinë prindërit se çfarë ndodh me fëmijët e tyre? A e dinë ku shkojnë pas shkolle, me kë shoqërohen, çfarë postime dhe statuse nxjerrin nëpër Tik-Tok e rrjete tjera sociale? Prindër a keni biseduar ndonjëherë për problemet që kanë adoleshentët? A mendoni që kanë nevojë për ju, që ju ti dëgjoni e ti këshilloni?”, ishin disa nga pyetjet që ajo kishte për prindërit.

    “Interneti është aq i gjerë sa ndonjëherë bëhet e vështirë për të kontrolluar përmbajtjet negative nga fëmijët, disa klikime mund t’i çojnë në disa faqe të pahijshme, faqe ku shfaqet dhunë ose ka përmbajtje të frikshme, grupe të ndryshme delikuente, e kjo sjellë pasoja të mëdha në shëndetin mental të fëmijës. Veprimet e pamenduara sjellin pasoja të rënda si ikja nga shtëpia, sjelljet e dhunshme, mbajtja e armëve pa leje, kërcënime, shantazhime e fatkeqësisht edhe pasoja për jetën si vetëvrasje ose vdekje në mënyrë tragjike, sikur që ishte rasti i vajzës 14 vjeçare”, tha ajo duke kërkuar nga prindërit të kontrollojnë përmbajtjet e asaj që fëmijët shohin, mesazhet, postimet e tyre, t’i mësojnë fëmijët që nuk guxojnë të japin të dhëna personale si emri, mbiemri, apo numri amë.

    Që rrjetet sociale krijojnë varësi dhe një ndarje të adoleshentëve nga familja u shpreh edhe sociologu Ali Pajaziti i cili në një paraqitje për media tha që rrjetet sociale janë pandemi dhe sëmundje globale tek të rinjtë.

    “Në veçanti TIK-TOK-u. Është i rrezikshëm, jashtëzakonisht shkatërrues, ndërsa për prindërit që janë të vetëdijshëm për pasojat e këtyre videove të shkurta është deprimues. Ato e lidhin njeriun pasi kanë një zinxhir të vizualitetit nga i cili nuk mund të shkëputeni, ose sa të shkëputeni, sërish keni nevojë të jeni aty, dhe normalisht edhe në vendin tonë si në gjithë botën, kemi raste të këtilla aksidentale, të cilat shkojnë deri në cështjet që lidhen me vetë-vrasjen, e që janë pasojë e kësaj varësie moderne ose pos-moderne”, tha Pajaziti.

    Edhe për kryeministrin Kovaçevski, rrjetet sociale janë një fenomen i ri në shoqëri për të cilin ekspertët me kohë kishin paralajmëruar që do të vijë koha që këto do ishin të rrezikshme, dhe vështirë të kontrollueshme.

    “Ka shembuj të ndryshëm në vende të ndryshme për përdorimin e rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të tjera 4G dhe 5G që përdoren në rrjete publike të telekomunikacionit. Tek ne, në përputhje me strategjinë e digjitalizimit të medias, në të ardhmen do të shqyrtohet edhe përdorimi i mediave sociale. Nuk po flas për të gjitha, por për rregullimin që do të mundësojë përdorimin e tyre me qëllim të përmirësimit të shoqërisë dhe jo përdorimin e tyre për diçka që ne si shoqëri nuk duam ta kemi si pasojë”, potencoi Kovaçevski.

    Rast i ngjashëm, por jo me pasojë vdekjen ishte edhe rasti i ndodhur para disa muajsh në Maxhar të Shkupit, ku një 17 vjeçare pësoi djegie të rënda në trup, derisa po tentonte të krijojë një video për TIK-TOK. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Alarmet e rreme për bomba nëpër shkolla, shkakton nervozë te prindërit, nxënësit dhe mësuesit

    Lajmi i rradhës

    RMV, mbi një mijë bebe më pak se vitin e kaluar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë