Tiranë, zgjerohen hetimet për korrupsion në nivel të lartë

    SPAK-u zgjeron hetimet për korrupsion në nivel të lartë ndaj ish-ministrit socialist të Shëndetësisë, Ilir Beqja, për shpërdorim detyre dhe favorizime korruptive për kompani koncesionare.

    Byroja Kombëtare e Hetimeve (BKH) dhe Policia e Shtetit kontrolluan të premten (29.12) me urdhër të Strukturës së Posaҫme Anti-Korrupsion (SPAK), banesën e ish-ministrit socialist të Shëndetësisë, Ilir Beqja, si edhe një rrjet farmacish në Tiranë, nën dyshimin për lidhje klienteliste të tij me këtë rrjet.

    Kontrolli i banesës është pjesë e hetimit të pasurisë së ish-ministrit Beqja dhe dyshimeve për lidhje me kompaninë farmaceutike ”Delta Pharma” për ta fshehur atë.

    Pritshmëritë e SPAK nga ky kontroll janë marrja e të dhënave, e provave dhe e dokumenteve që mund të provojnë ose jo bashkëpunimin klientelist të ish-ministrit të Shëndetësisë me rrjete farmaceutike në Tiranë.

    Ish-ministri Beqja e pohoi kontrollin në banesën e tij, por mohoi të ketë pasur marrëdhënie financiare klienteliste me rrjete farmaceutike. Ai mohoi gjithashtu që të ketë fshehur pasuritë e tij me anë të lidhjeve me kompanitë armaceutike “Delta Pharma”.

    Kontrolli i pasurisë – Zgjerim i hetimeve

    Kontrolli i pasurisë së ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja, anëtar i qeverisë Rama në mandatin e saj të parë qeverisës, 2013-2017 dhe zyrtar i lartë i PS-së, përbën një zgjerim të hetimeve të SPAK-ut ndaj tij lidhur me dyshimet për shpërdorim detyre dhe favorizime korruptive të kompanisë koncesionare në kontratën mes saj dhe MInistrisë së Shëndetësisë.

    Që nga tetori i këtij viti Ilir Beqja po hetohet për veprën penale “shpërdorim detyre në bashkëpunim” lidhur me koncesionin për sterilizimin e instrumenteve për ndërhyrje kirurgjikale.

    Bashkë me vënien nën hetim nga SPAK-u, GJKKO mori dy muaj më parë masën e sigurisë ndaj ish-ministrit Beqja. Kjo masë e detyron atë të paraqitet në policinë gjyqësore pranë BKH-së dhe të mos dalë jashtë Shqipërisë pa autorizimin e GJKKO-së.

    Kallëzim penal nga shoqëria civile

    Prokurorët e SPAK-ut po hetojnë ish-ministrin Beqja për përgjegjësinë e tij penale në kryerjen e veprimeve në kundërshtim me ligjin gjatë procedurës së koncesionit për sterilizimin e instrumenteve të ndërhyrjeve kirurgjikale kryesisht në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, “Nënë Tereza”dhe spitalet e tjera publike të Shqipërisë.

    Kallëzimi i parë penal për shpërdorim të fondeve publike përmes korrupsionit në koncesionin e sterilizimit u bë në dhjetor 2019 nga shoqëria civile. Nisma “Thurje” kërkoi hetimin e zyrtarëve të lartë publikë në Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me dyshime për abuzime me buxhetin e shtetit. Në bazë të këtij kallzimi penal ish-ministri Beqja u thirr nga SPAK-u për të dhënë dëshminë e tij për koncesionin e sterilizimit para marrjes së masës së sigurisë.

    Ai ka hedhur poshtë dyshimet për shpërdorim detyre dhe favorizime korruptive në kontratën e sterilizimit, prej 100 milionë euro për 10 vite me kompaninë koncesionare, “Sani Service.”

    Sipërmarrësi i koncensionit, Ilir Rrapaj, dhe ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, u arrestuan në gusht të këtij viti nën akuzën e SPAK-ut për shpërdorim detyre, falsifikim dhe mashtrim me koncesionin e sterilizimit. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Qelaj: Hallkat elektronike do t’i ulnin rastet e dhunës në familje

    Lajmi i rradhës

    Ju lutem, vetëm mësuesit mos i fajësoni!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë