Tokat bujqësore të fshatit Rashçe janë shndërruar në moçale

    Shumica e tokave bujqësore të fshatit Rashçe të komunës së Sarajit janë shndërruar në moçale. Nëse dikur tokat ishin të mbushura me të mbjella, sot një gjë e tillë është e pamundur. Toka s’mund të shfrytëzohet pasi është mbuluar nga uji i lumit Vardar i përzier me kanalizimin e fshatit. Banorët dyshojnë se dikush ka gërryer një pjesë të shtratit të lumit për të nxjerrë zhavorr. Komuna e Sarajit nuk ka përgjigje nëse është e informuar me situatën.

    “Dikur e njohur si një nga fushat më pjellore të fshatit Rashçe, sot këtu është krijuar një moçal. Banorët kanë tashmë disa vite që nuk mbjellin agrikultura për arsye se nuk mund të shfrytëzohet kjo tokë ku uji nga Vardari është përzier më kanalizimin e fshatit. Thonë se në kohën kur mbillej këtu, gjithkush lakmonte atë që prodhohej në këtë tokë”, raporton Evi Shkopi- gazetare.

    Edhe pse shtrati i lumit Vardar është disa qindra metra larg nga këto toka, një sasi jo e vogël uji nga ky lum ka mbuluar disa hektarë tokë pjellore. Dyshimet janë se në një pjesë të shtratit dikush ka gërryer për të nxjerrë zhavorr, por këto informacione nuk janë zyrtare. Sali Hoxha, banor i këtij fshati, thotë se më parë tokat janë punuar rregullisht dhe grosha e Rashçes njihej si më e mira.

    “Pothuajse që 5-6 vjet Vardari kështu është, nëpër ara. Ja unë dua të shkoj të mbjell, nuk mundem të shkoj, nuk dal, sepse nuk hy traktori. Po janë punuar, rregullisht janë punuar edhe toka është, ja kjo është toka më e mirë e Rashçes. Tek kjo tokë është prodhuar me cilësinë më të mirë grosha, grosha kur mbante emrin e Rashçes është shitur më shumë në Pazar. Sot është ja, siç e shihni vet. Ka mbi 7-8 vjet, apo 10 vjet që nuk mbillet më groshë. Këto vitet e fundit s’ka asgjë, ka mbjell dikush edhe ja ju ka prish”, tha Sali Hoxha- banor i fshatit Rashçe.

    Në këto toka derdhen edhe ujërat fekale, sepse sistemi i kanalizimit të fshatit që është ndërtuar rreth dy dekada më parë nuk i plotëson standardet.

    “Kanalizimi i gjithi shkon nëpër ara. Këtu duhet të hyjë uji dhe të pastrohet dhe të dalë në anën tjetër, kjo nuk po funksionon. Fusha e Rashçes është në katastrofë. Askush nuk vjen të na shohë, apo të bëjë diçka. Kemi bërë ca nënshkrime në komunë, por ende nuk ka asnjë lajm. Era shumë i vjen. Janë mbledh krejt patat nëpër arat tona. Prej këtu e deri më lart është krejt tokë”, u shpreh Sali Hoxha- banor i fshatit Rashçe.

    Banorët thonë se Komuna e Sarajit është njoftuar me këtë problem, por se deri tani nuk i ka vizituar askush. Dërguam pyetje në Komunë e Sarajit, nëse janë të informuar me këtë problem, a e kanë inspektuar situatën në terren, a është e vërtetë se dikush ka gërryer shtratin e lumit për zhavorr, por deri tani nuk kemi përgjigje. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Publiku në Veles sulmon lojtarët e KV Shkëndija Tetovë

    Lajmi i rradhës

    “Shiptari dhe të paaftë” – kështu i quan kryetarja e gjykatës së Kumanovës kolegët shqiptarë (Dokument)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë