Tragjedia e Koçanit, pritet miratimi i akuzës nga Gjykata

    Diskoteka Pulse në Koçan / Fotografia: Wikipedia

    Kryetari i Gjykatës së Koçanit Spiro Borisov, në një bisedë të shkurtër telefonike me gazetarin e Alsat, theksoi se ka arritur aktakuza e Prokurorisë lidhur me tragjedinë e Koçanit, në të cilën janë përfshirë 34 persona fizik dhe 3 juridik. Megjithatë, për shkak të numrit të vogël të gjykatësve që ka kjo gjykatë, përkatësisht vetëm 5, Gjykata të shtunën ka dërguar kërkesë në Gjykatën e Apelit Shtip që të vendos nëse Gjykata e Koçanit i plotëson kushtet ligjore për të bërë vlerësimin e aktakuzës. Në rast se Apeli miraton vendim negativ, vlerësimin duhet ta bëjë ndonjë gjykatë tjetër.

    Sipas Ligjit për Procedurë Penale, aktakuza hyn në fuqi në ditën kur miratohet nga gjykata, me çka hapet rruga për të nisur gjykimi. Nëse miratohet aktakuza siç është dorëzuar nga Prokuroria, atëherë të akuzuarit do të gjykohen për “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, ndërsa njëri plotësisht edhe për ryshfet dhe falsifikim dokumentesh.

    Të akuzuar të parë janë pronari i objektit dhe menaxhmenti i klubit të natës “Pulse”. Pos tyre, dy ish ministra të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçini, ish sekretarja e Ministrisë së Ekonomisë, Razmena Çekiq Duroviq dhe pesë të punësuar tjerë në këtë Ministri. Më tej, tre kryetarë të Komunës së Koçanit të cilët kanë qenë në funksion derisa ka funksionuar klubi i natës në vitet 2012-2025, Ratko Dimitrovski, Nikollço Ilijev dhe Lupço Papazov.

    Gjithashtu, katër ish drejtorët për Mbrojtje dhe Shpëtim, Shaban Saliu, Adnan Xhaferovski, Bekim Maksuti dhe Xhevat Selami dhe 1 inspektor nga kjo drejtori. Më tej, 3 inspektorë ndërtimorë të Komunës së Koçanit dhe 4 inspektorë nga Inspektorati Shtetëror. 5 persona akuzohen për lidhur me sigurimin e objektit, respektivisht drejtuesi i një agjencie për sigurim privat nga Shkupi dhe 4 persona të cilët kanë kryer sigurimin fizik të objektit.

    Ndërkohë hetimi është ndërprerë për 13 persona, njëri ka ndërruar jetë, anëtari i grupit muzikor DNK Vlladimir Bllazhevski është në mjekim, ndërsa për 11 të nuk ka prova të mjaftueshme. Mes tyre janë dy ish ministrat e Ekonomisë, Bekim Neziri dhe Driton Kuçi, por edhe për dy ish drejtorët e Inspektoratit të Tregut Goran Trajkovski dhe Aneta Simeska- Dimoska.

    Prokuroria, konfirmoi se arsyeja e zjarrit të 16 marsit në të cilën humbën jetën 62 persona dhe rreth 200 të tjerë u lënduan, janë mjetet piroteknike që janë ndezur brenda objektit, të cilat janë furnizuar në mënyrë të paligjshme dhe nuk janë respektuar procedurat ligjore për përdorimin e tyre. Objekti nuk ka pasur sistem mbrojtës kundër zjarrit, ndërsa në mënyrë të paligjshme është ndërtuar dhe rindërtuar me materiale lehtësisht të djegshme. Në objekt ka pasur më shumë njerëz sesa kapaciteti, ndërsa në mënyrë të paligjshme janë lejuar të futen edhe persona të mitur.

    Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, shprehu mendim pozitiv për hetimin që po e kryen Prokuroria.

    “Vlerësoj se po udhëhiqet një hetim joselektiv dhe i plotë, në të cilën janë të përfshirë ministra aktualë, kryetarë komune, ish ministra, kryetarë komune, inspektorë dhe eprorë policorë të tanishëm dhe të mëparshëm…Mendimi im personal është se deri më tani Prokuroria Publike mirë e udhëheqë këtë hetim. Janë të përfshirë 13 prokurorë në tërë këtë proces dhe vlerësoj se drejtësi patjetër duhet të shohin si familjarët e viktimave ashtu si çdo qytetar maqedonas”, deklaroi Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme. /Alsat

    Lajmi Paraprak

    Antibiotikët rrisin rrezikun e obezitetit te fëmijët, paralajmëron një studim i ri

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë