Katër persona janë në paraburgim, gjashtë në arrest shtëpiak me ndalesë për komunikim, tetë me masë për kujdes – ky është epilogu pasi Prokuroria i zgjeroi hetimet për tragjedinë e Koçanit. Po ashtu, do të caktohet masë edhe për ish-ministrin e Ekonomisë, Driton Kuçi, i cili është ambasador në Norvegji i cili paralajmëroi se do të kthehet në vend. Disa nga të dyshuarit e rinj kanë qenë zyrtarë dhe në pozita drejtuese në institucione që nga viti 2012, ndërsa kryeprokurori Lupço Kocevski thotë se po bëhen analiza nëse ka pasur mangësi që nga fillimi i punës së klubit.
Më shumë kritika Kocevski iu drejtoi drejtorëve të Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim.
Për ministrat e ekonomisë hetohet nëse kanë dhënë licenca pa kushte të plotësuara, por mes tyre nuk është ministri aktual.
Prokurori nuk u përgjigj konkretisht për dilemat nëse kanë dëshmi se te ish-ministrat është iniciuar procedurë e këtillë, ndërsa pyetjes nëse Ministria kishte për obligim që t’i kontrollojë kushtet, Kocevski shkurt u përgjigj se hetimi është i vëllimshëm që ta shpjegojë në detaje.
Përndryshe masa ka vetëm për dy ish drejtorë të Inspektoratit të tregut, por jo edhe për atë aktualin, për shkak se hetimi i ka përfshirë vetëm ata që ishin në krye të institucionit në periudhën kur klubi ka funksionuar me licencë të falsifikuar. Mes të dyshuarve të rinj ka edhe inspektorë ndërtimi nga Koçani të cilët aspak nuk e kanë kontrolluar objektin dhe rikonstruktimin e tij.
Hetimi ka afat për të përfunduar deri në fund të majit, ndërsa për veprën “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” nuk ka mundësi për t’u vjetërsuar. Kocevski theksoi se dyshime për përfshirje të drejtpërdrejt në zjarr ka për pronarët dhe drejtuesit e klubit, organizatorët e ahengut dhe përdoruesit e mjeteve piroteknike. /TV21/