Përveç trajtimit mjekësor të mbijetuarit e tragjedisë së Koçanit paralelisht duhet të marrin edhe trajtim psikologjik, pasi gjasat për tu prekur nga ankthi dhe depresioni janë shumë të mëdha. Psikologët thotë se mbështetja psikologjike për të prekurit e tragjedisë duhet të jetë e pashmangshme. Fatime Ziberi thotë se çdo zhurmë e vogël, ngritje zëri, përplasje e dyerve, apo edhe muzikë e lartë, ata do t’i asocojë në ngjarjen tragjike.
“Ata janë në gjendje shoku dhe u duhet shumë kohë që ta rimarrin veten dhe të vetëdijesohen, pasi kur është gjendje shoku personi nuk e ka idenë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë ka parë. Ka disa raste që personat duan të harrojnë këtë dhimbje, sforcojnë veten dhe krijohet një harresë i llojit selektiv. Presim raste nga më të llojllojshmet por ajo që është e pa diskutueshme është ankthi për shkak se ata vetëm kanë burim të qartë të frikës por ajo tani do të jetë edhe burim patologjik, pra që gjithmonë do të ndjehen të rrezikuar, normalisht edhe dozë të depresionit por kam frikë mos të ketë edhe diçka të themi neuroza të ndryshme të cilat do të dalin në sipërfaqe më vonë”, deklaroi Fatime Ziberi, psikologe.
Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari tha se pas tragjedisë kërkesa për mbështetje psikologjike ka qenë e madhe si te të lënduarit ashtu edhe te familjet e viktimave.
“Shumica e pacientëve, nuk them të gjithë kanë nevojë për mbështetje psikologjike. Ne mundohemi që t’ju tregojmë se mirë është të trajtohet ose të ketë seanca psikologjike dhe psikiatrike. Disa prej pacientëve pranojnë dhe janë duke shkuar në seanca, disa prej pacientëve janë edhe refuzues, sidomos dje kishim një paciente që u kthye prej shërimit jashtë vendit, e pamë se është e pa mundur, por përsëri psikologu bisedojë”, tha Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.
Mbështetja psikologjike është e rëndësishme edhe për familjarët e të lënduarve. Siç thonë psikologët, familjarët janë ata që e vuajnë më tepër. /Alsat/