VMRO-ja me qëndrim të njëjtë pas deklaratës së Agelerit për kornizën negociuese

    VMRO-DPMNE do të vazhdojë të këmbëngulë për kornizë të re negociuese me Bashkimin Evropian. Komenti nga partia opozitare vjen pasi ambasadorja amerikane Angela Ageler, e përshkroi mundësinë që dikush të rinegociojë marrëveshjen tashmë të arritur midis Shkupit dhe Brukselit si një lajm të rremë. Ageler kujtoi se ambasadori i BE-së David Gere, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së kanë njoftuar tashmë se një propozim i ri ishte i pamundur dhe se detyrimet e miratuara, përfshirë ndryshimet kushtetuese për hyrjen e bullgarëve, janë të qarta. Megjithatë, VMRO-DPMNE thotë:

    “VMRO-DPMNE po lufton dhe angazhohet për një shans të drejtë si për mbrojtjen e identitetit dhe veçorive maqedonase dhe këto janë kërkesa legjitime, luftë legjitime dhe ne do të vazhdojmë të luftojmë”

    Nga ana tjetër, LSDM përsëriti se në Kuvend është koha për të votuar për Evropën dhe për t’u bashkuar rreth qëllimit strategjik – anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Nga atje, i bënë thirrje opozitës, siç thonë ata, t’i kthehet anës së interesave shtetërore dhe kombëtare.

    “Të gjitha partitë, dhe veçanërisht DPMNE-ja, të mbështesin Manifestin për Negociata me BE-në, i cili është një bazë e mirë për bashkimin në rrugën evropiane pas të cilës u rreshtuan LSDM-ja dhe të gjitha partitë politike nga shumica parlamentare. Duke mbështetur Manifestin dhe ndryshimet kushtetuese, DPMNE dhe Mickoski do të tregojnë në vepër se janë për të ardhmen evropiane të vendit. Përndryshe, ato do të tregojnë se të gjitha ato përpjekje deklarative për BE-në kanë qenë vetëm një blof i thjeshtë para qytetarëve, para opinionit vendas dhe ndërkombëtar”, thonë nga LSDM.

    Tani për tani, Manifesti për negociata me BE-në i propozuar nga LSDM-ja ka mbështetje vetëm nga partitë në pushtet. Për qëndrimet partiake rreth ndryshimeve kushtetuese, ende nuk ka asnjë ndryshim. Seanca plenare ku do të diskutohet nevoja për hapjen e Kushtetutës është caktuar për të premten e ardhshme. Debati mund të zgjasë maksimum dhjetë ditë, por që procesi i ndryshimit të Kushtetutës të vazhdojë, do të duhen të paktën 80 vota. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi nuk e përjashtoi mundësinë që seanca të ndërpritet dhe të rifillojë kur të sigurohet një shumicë prej dy të tretash. Sipas opozitës, një veprim i tillë do jetë blerje kohe për të mos shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa pushteti thotë se do të kërkojnë mbështetjen e 80 deputetëve deri në fund të mandatit të qeverisë në qershor të vitit të ardhshëm. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nga e hënat do të bëhet dezinsektimi kundër mushkonjave në Shkup

    Lajmi i rradhës

    Interesim i dobët i studentëve për fizikën, kiminë e matematikën, interesim i madh për shkencat kompjuterike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë