Tragjedia në Shkup hap “valën” e denoncimeve për dhunë në familje

    Tragjedia që tronditi opinionin publik në Shkup, ku humbën jetën një nënë dhe vajza e saj gjashtëvjeçare pas rënies nga kati i gjashtë i një ndërtese banimi në lagjen Taftalixhe, ka nxitur reagim të fortë në shoqëri dhe një valë të re denoncimesh për dhunë në familje. Apeli i institucioneve dhe i organizatave që qytetarët të mos heshtin përballë dhunës duket se ka dhënë rezultat: vetëm në dy javët e fundit janë paraqitur më shumë se 20 padi penale. Sipas të dhënave të policisë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre rasteve lidhen me dhunën në familje, ndërsa pesë prej tyre kanë të bëjnë me dhunë të bazuar në gjini, për të cilat tashmë janë caktuar masa paraburgimi. Gjatë fundjavës janë arrestuar tre persona, ndërsa dy të tjerë janë thirrur për bisedë informative për shkak të sulmeve fizike ose sjelljes agresive ndaj bashkëshorteve, partnereve, vajzave, etj.

    Nga MPB bëjnë të ditur se në dy javët e fundit janë paraqitur 21 padi penale për gjithsej 25 vepra penale. Mes tyre janë 11 raste për “rrezikim të sigurisë”, 10 për “lëndim trupor”, si dhe nga një rast për “lëndim të rëndë trupor”, “moszbatim të vendimit gjyqësor”, “privim të paligjshëm nga liria”, “tentativë për vrasje” dhe “sulm seksual dhe përdhunim”.

    Për rastin e tentativës për vrasje të regjistruar në Shkup, i dyshuari është arrestuar dhe ndaj tij po zhvillohet hetim. Numri më i madh i kallëzimeve është paraqitur në Shkup, Kumanovë, Shtip dhe Ohër. Në të njëjtën periudhë janë regjistruar gjithsej 39 ngjarje dhe 63 ankesa të lidhura me dhunën në familje. Tragjedia me nënën dhe vajzën e saj ka hapur edhe debat të fortë për përgjegjësinë institucionale. Sipas informacioneve të deritanishme, viktima për vite me radhë kishte qenë e ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe psikologjike nga bashkëshorti i saj, me të cilin ishte në proces divorci. Dhuna ishte raportuar disa herë ndër vite, por, sipas pretendimeve të familjarëve dhe opozitës, reagimi institucional ka qenë i pamjaftueshëm.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast të dhunës në familje. “Dhuna dhe ngacmimi nuk do të tolerohen. Ministria e Punëve të Brendshme vepron pa kompromis ndaj çdo rasti të tillë”, deklaroi Toshkovski. Nga ana tjetër, opozita kërkon dorëheqjen e tij, duke theksuar se para tragjedisë në Karposh, ku humbën jetën nëna dhe vajza e mitur, kishte pasur madje 12 denoncime për dhunë. Sipas tyre, policia ka qenë e informuar, por nuk ka reaguar me kohë.

    Ndërkohë, qindra qytetarë gjatë fundjavës morën pjesë në një marsh protestues në parkun “Gruaja-Luftëtare” në Shkup, duke kërkuar luftë më të vendosur kundër dhunës së bazuar në gjini, barazi ekonomike dhe fund të diskriminimit sistemik. Autoritetet kanë paralajmëruar një paketë të re masash për përballimin e dhunës në familje. Mes tyre përfshihen largimi i dhunuesit nga shtëpia, monitorim i vazhdueshëm i rasteve, ndryshime në Ligjin për Policinë dhe në Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave, si dhe vendosja e shërbimeve 24-orëshe në gjykatat civile dhe bashkëpunim më i ngushtë me organizatat joqeveritare.

    Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2021 deri në vitin 2025 në Maqedoninë e Veriut janë vrarë 26 gra. Megjithatë, për shkak të mungesës së një kornize të qartë ligjore për shumë vite, nuk dihet saktësisht se sa prej këtyre rasteve mund të klasifikohen si femicid. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Vetëm 38% e qytetarëve në rajon ndihen të sigurt në Ballkanin Perëndimor!

    Lajmi i rradhës

    BARAZIA LIGJORE NUK MJAFTON! | RMV e 42-ta për mundësitë ekonomike të grave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë