Vetëm rreth 38 për qind e qytetarëve në rajon besojnë se Ballkani Perëndimor është një rajon i sigurt, ndërsa pjesa tjetër shpreh shqetësime për stabilitetin politik, tensionet rajonale dhe sfidat ekonomike. Megjithatë, perceptimi për sigurinë në nivel kombëtar është disi më pozitiv: rreth 48 për qind e të anketuarve konsiderojnë se vendi i tyre është relativisht i sigurt për të jetuar. Kështu tregon Raporti rajonal “SecuriMeter 2025”, i publikuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC), ndërsa ofron një pasqyrë të perceptimeve të qytetarëve për sigurinë, stabilitetin dhe sfidat kryesore në vendet e Ballkanit Perëndimor, shkruan gazeta Koha.
Studimi i bazuar në një anketë të realizuar me mbi 6 mijë qytetarë në gjashtë vendet e rajonit (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi) tregon se kjo ndjenjë sigurie nuk përkthehet domosdoshmërisht në optimizëm për të ardhmen. Në këtë kontekst, Maqedonia e Veriut renditet ndër vendet ku ndjenja e sigurisë është relativisht më e lartë. Sipas raportit, rreth 54 për qind e qytetarëve në vend deklarojnë se ndihen të sigurt në shtetin e tyre, një nivel i ngjashëm me atë të Malit të Zi dhe më i lartë se në disa vende të tjera të rajonit.
Vendi me ndjenjën më të madhe të sigurisë është Kosovë me 58.4%, pason Mali i Zi me 54.8% dhe e treta Maqedonia e Veriut me 54.6%. Megjithatë, raporti thekson se kjo ndjenjë sigurie nuk përkthehet domosdoshmërisht në optimizëm për të ardhmen. Në fakt, vetëm rreth një e treta e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor presin që situata e sigurisë në rajon të përmirësohet gjatë 12 muajve të ardhshëm. Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve shprehin pasiguri dhe skepticizëm për stabilitetin e ardhshëm politik dhe ekonomik. Raporti identifikon disa shqetësime kryesore që ndikojnë në perceptimin e sigurisë në rajon. Në krye të listës qëndrojnë korrupsioni, krizat ekonomike dhe rritja e kostos së jetesës, të cilat konsiderohen si faktorë që dobësojnë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.
Përveç tyre, qytetarët përmendin edhe emigrimin e të rinjve, tensionet politike, konfliktet e mundshme rajonale, si dhe kërcënimet kibernetike si sfida që mund të ndikojnë në stabilitetin e rajonit.
Një tjetër gjetje e rëndësishme e raportit lidhet me besimin në institucionet publike. Sipas të dhënave të “SecuriMeter 2025”, vetëm rreth 25 për qind e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor janë të kënaqur me drejtimin në të cilin po lëvizin vendet e tyre. Në të njëjtën kohë, një shumicë dërrmuese – mbi 80 për qind, besojnë se korrupsioni është i përhapur në vendet e rajonit.
Në raport theksohet gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit rajonal dhe strukturave ndërkombëtare të sigurisë, si faktorë që mund të kontribuojnë në stabilitetin afatgjatë. Shumë qytetarë e shohin integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit si rrugën më të sigurt drejt stabilitetit dhe zhvillimit. Për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin në tërësi, raporti nënvizon se përmirësimi i qeverisjes, forcimi i institucioneve dhe bashkëpunimi rajonal mbeten faktorë kyç për rritjen e besimit dhe stabilitetit në vitet e ardhshme. Raporti tregon se edhe shqetësimi për konfliktet mbetet i lartë në disa vende. Për shembull, në Serbi, rreth 59% e serbëve kanë frikë se vendi i tyre mund të përfshihet në luftë. Kjo përqindje në Bosnjë është rreth 58%, ndërsa në Maqedoni të Veriut, rreth 44% shqetësohen se mund të nis ndonjë luftë. Në përgjithësi, vetëm 38% e qytetarëve besojnë se Ballkani Perëndimor është një rajon i sigurt, ndërsa 48.6% e konsiderojnë vendin e tyre relativisht të sigurt për të jetuar. Vetëm 25% e qytetarëve janë të kënaqur me drejtimin e vendit të tyre, derisa 81% besojnë se korrupsioni është i përhapur në vendet e tyre.
Në përgjithësi, raporti “SecuriMeter 2025” tregon se megjithëse qytetarët e Ballkanit Perëndimor ndihen relativisht të sigurt në jetën e përditshme, pasiguritë për të ardhmen mbeten të pranishme, sidomos për shkak të sfidave ekonomike, korrupsionit dhe tensioneve politike. /Koha/






