TRAGJEDIA NË SPITALIN MODULAR NË TETOVË, PA EPILOG

    Fotografia: Emir H/Nistori

    Po bëhen gati 10 muaj nga tragjedia në Spitalin modular në Tetovë, ndërsa prokuroria ende nuk ka drejtuar gishtin ndaj askujt si i fajtor për rastin, edhe pse muaj më parë u tha se do të ngriten padi ndaj 4 personave. Edhe pas kaq shumë muajve, prokuroria ende thotë se përgatitja e vendimit është në proces e sipër.

    “Bëhet fjalë për një çështje komplekse, në të cilën duhet shpjeguar me kujdes dhe saktësi të gjitha aspektet e përgjegjësisë penale të përcaktuar dhe të renditen të gjitha provat që e mbështesin atë. Sapo të merret vendimi, publiku do të njoftohet menjëherë.”- thonë nga Prokuroria.

    Autoritetet vazhdimisht kanë ripërsëritur se shkaktarët për zjarrin do t’i tregojë raporti gjerman, i cili pothuajse 6 muaj më parë ka arritur në duart e prokurorisë. Po edhe përkundër faktit që organet e drejtësisë i kanë të gjitha provat në duar, ende nuk ka aktakuzë.

    Pyetëm kryetarin e Këshillit të prokurorëve, Antonio Jolevski, se a do të iniciojnë procedurë kundrejt prokurorëve të cilët e kanë lëndën në duar e nuk po ndërmarrin veprime.

    “Ekskluzivisht, dorëzues i kërkesës për inicim të procedurës disiplinore është ose prokurori publik i RMV-së, ose prokurorët e lartë. Kështu që në këtë moment, këtë pyetje duhet ta drejtoni atje, të pyesni nëse ato kanë nisur ndonjë procedurë. Ne as nuk mund ta dimë sepse do të del sikur ne përzihemi në punën e Komisionit disiplinor, ndërsa në shkallën e dytë duhet të vendosim ne”.- tha Antonio Jolevski, Kryetar i Këshillit të Prokurorëve.

    E vetmja përgjegjësi e ndërmarrë pas tragjedisë, është ajo morale, me dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësit të tij Ilir Hasani, të cilët nuk u patën pranuar nga Kryeministri Zave. Dorëheqje dhanë edhe dy drejtorë të spitalit të Tetovës. Më 8 shtator të vitit të kaluar, në spitalin modular të Tetovës humbën jetën 14 persona, prej të cilëve 12 pacientë dhe dy persona që kujdeseshin për familjarët e tyre. /tv21/

    Lajmi Paraprak

    Rrezikohet jeta e vozitësve | Rruga Tetovë-Gostivar nuk ka as shiritin e tretë ndihmës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë