TRANSPORTI PUBLIK “NË LER”! Autobusët larg normalizimit

    As fillimi i muajit prill nuk ka shënuar normalizimin e transportit publik në Shkup. Pas ndërprerjes së kontratës së qytetit të Shkupit me transportuesit privat nën arsyetimin se nuk kanë kryer obligimet e tyre, edhe marrëveshja e re që pritej të kthejë privatin në shërbim të pasagjerëve akoma nuk po zbatohet. Një muaj më parë, Qyteti i Shkupit shpalli thirrje publike për transportuesit privatë me një pako që përfshin së paku 115 autobusë dhe 246 shoferë, mirëpo edhe pse pritej që në fund të muajit mars , që ato të kthehen në qarkullim , qytetarët akoma po humbin kohë duke pritur që të vijë autobusi në stacionin e radhës. Marrëveshja midis privatit dhe qytetit të Shkupit pason pas zgjidhjes së arritur për pagesën e borxhit prej 1.5 milion euro ndaj transportuesve privat dhe anulimit të një pjese të caktuar të menaxhmentit të mëparshëm të kompanive që përfaqësonin transportuesit privat.

    Nga Qyteti i Shkupit më 1 mars, kumtuan se kanë arritur marrëveshje me transportuesit, ndërsa pas shpalljes së re pritej deri në fund të marsit sërish të kthehen në shërbim të pasagjerëve dhe autobusët privat. Mirëpo akoma në rrugët e Shkupit po qarkullojnë vetëm autobusët e shtetit dhe mungojnë ato privat që shkakton pritje të gjata.

    Shpallja përfundoi më 21 mars dhe më pas kryetarja Danela Arsovska tha se për dallim nga dy shpalljet e para kur nuk ishte regjistruar asnjë transportues, tani kanë mbërritur ofertat të çilat do të shqyrtohen nga komisioni nga Qyteti i Shkupit në ditët në vijim. Që atëherë kanë kaluar mbi 15 ditë, por ende nuk ka një vendim për kthimin e privatëve.

    Në ndërkohë qytetarët në linjat e ndryshme që më parë i mbulonte privati shpesh presin edhe autobusin e tretë sipas orarit të vozitjes me mungesë të atij të parit dhe të dytit që shkakton vonesa të mëdha.

    Që nga muaji nëntor e këndej, qytetarët në Shkup për të arritur në vendet e tyre të punës, për të kryer obligimet e tyre të përditshme në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut po vonohen me të madhe, dhe presin që të zgjidhen problemet ndërmjet transportuesve privat dhe qytetit të Shkupit për tu normalizuar transporti urban.

    Pritjet më të gjata janë në linjat që më parë qarkullonin transportuesit privat si ato 9,11,11А,12,19,20,22,23,45,47А,52,54,55,61,63 dhe 73, ku shpesh autobusët e ndërmarrjes publike nuk arrijnë të plotësojnë boshllëkun e krijuar nga ndërprerja e vozitjes së transportuesve privat.

    Profesoresha Katerina Kollozova ka reaguar për problemet e mëdha dhe vonesat në transportin publik në Shkup. “Sa linja janë shkurtuar me anulimin e privatit ? Pse Ndërmarrja Publike e Transportit në Shkup në linjat ku kishte autobusin e saj (dhe jo privat) në çdo pesë minuta, tani nuk ka autobus as çdo 30 minuta ? Si duhet të funksionojnë të gjithë ata ‘primitiv’ që ja nuk kanë as makinë apo nuk dinë të ngasin as biçikletë? Ky qytet ka të drejtë për transport publik të vërtetë, siç ka pasur dhe ka funksionuar mirë. Nuk e kam të qartë pse askush nuk po proteston që jemi rikthyer në nivelin e vitit 1992, si nga ana e dinamikës , ashtu edhe nga respektimi i orareve të autobusëve”, thekson Kollozova.

    Nga ana tjetër, në dy seancat e fundit ka rënë poshtë kërkesa e kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska që kërkoi përkrahje nga këshilltarët për blerjen e eko autobusëve të rinj që nuk do të ndotin ajrin dhe që do të zëvendësojnë autobusët e vjetër, të cilët nuk ofrojnë nivel të kënaqshëm të shërbim ndaj qytetarëve. Me blerjen e autobusëve të rinj do të përmirësoheshin më tej kushtet në transportin publik, do të standardizohet shërbimi për të gjithë qytetarët e qytetit, do të uleshin kostot dhe më e rëndësishmja do të ulet edhe efekti negativ në mjedis thuhej në kërkesën për blerjen e autobusëve ekologjik.

    Mirëpo këshilltarët në qytetin e Shkupit kohë më parë për herë të dytë nuk i dhanë dritë jeshile propozimit për huazim vendor afatgjatë në vlerë prej 620 milionë denarë të Qytetit të Shkupit për blerjen e ekobusëve. Arsyetimet e e kryetares Daniela Arsovska, ishin të kota se këta autobusë të rinj do të zëvendësojnë autobusët e vjetruar dhe kjo është e njëjtë me vitin 2019 kur janë blerë 33 autobusë dhe se bëhet fjalë për të njëjtin vendim dhe nën të njëjta kushte.

    Edhe më 26 janar, këshilltarët e qytetit të Shkupit me shumicë votuan me 13 vota kundër dhe me 16 në mënyrë të përmbajtur për mos miratimin e kredisë së vlefshme 10 milionë euro për blerjen e 50 autobusëve të ri ekologjik.

    Kryetarja e Shkupit në fushatën parazgjedhore premtoi blerjen e 250 autobusëve ekologjikë dhe transport falas për qytetarët e Shkup. Sipas saj ky premtim do të realizohet, pas tejkalimit të pasojave të krizës energjetike dhe sanimit të humbjeve në ndërmarrjen e transportit urban në Shkup, të shkaktuar sipas saj edhe nga tërheqja nga ana e qeverisë nga një pjesë e mjeteve që paguhej më parë për subvencionimin e transportit të studentëve.

    Në ndërkohë Ljubica Jançeva, këshilltare nga radhët e LSDM-së në qytetin e Shkupit thotë se më shumë pyetje lidhur me transportin publik kanë mbetur pa përgjigje, që të mund të kalojë kjo kërkesë për blerjen e autobusëve të ri. Ajo rikujtoi projektin BRT apo për transport të shpejtë me autobus, dhe pyeti se çfarë ka ndodhur me të dhe a do të realizohet, duke qenë se ka pësuar ndryshime. Sa i përket BRT-së, Arsovska shpjegoi se projekti do të realizohet dhe gjendet në fazën fillestar të realizimit ku janë konstatuar qindra mospërputhje, të cilat kryesisht janë anuluar, jo vetëm për trasenë por edhe për mënyrën se si do të realizohet, diçka për të cilën kemi negociuar prej kohësh dhe ajo që duam të ofrojmë është zgjidhja më e mirë për qytetin.

    Mos zbatimi i projekti me vlerë 70 milionë euro për transport të shpejtë me autobus në Shkup, i kushton shtetit mbi 350 mijë euro dëm vetëm nga dëmshpërblimi që i paguhet kreditorit. Ai është realizuar nga administrata e mëparshme e qytetit e udhëhequr nga ish kryetari Petre Shilegov, mirëpo jetësimin e tij deri në fund apo në vitin 2024, e kishte ngrirë udhëheqësia e re e kryeqendrës së Maqedonisë së Veriut. Synimet ndër të tjerash ishin të zvogëlohet tollovia në trafik dhe të ulet ndotja e ajrit. Autobusët nga sistemi BRT ishte planifikuar të jenë me lëvizje hibride të gazit dhe energjisë elektrike dhe me një gjatësi prej 18 metrash. /koha/

    Lajmi Paraprak

    ChatGPT po krijon artikuj të rremë të Guardian-it

    Lajmi i rradhës

    Dibranët më shumë i parapëlqejnë banesat se sa shtëpitë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë