Transportuesit nga sot, në orën 12:00, do t’i bllokojnë të gjitha pikat kufitare në vend. Bllokada vjen pas vendimit të Komisionit Evropian nga muaji prill, sipas të cilit transportuesve që me kamionë transportojnë produkte dhe mallra u lejohet qëndrimi në vendet e zonës Shengen vetëm 90 ditë.
Nuk do të ketë bllokada në korsitë e dedikuara për qarkullimin e automjeteve për udhëtarë.
Do të mbyllen terminalet kufitare për hyrjen e mjeteve motorike të mallrave në territorin e vendit dhe korsitë rrugore në vetë pikat kufitare për dalje nga shteti, por vetëm në pjesën e trafikut të mallrave.
Do të bllokohen pikat kufitare Deve Bair, Dellçevë, Novo Sellë, Dojran, Bogorodicë, Mexhitli, Qafë Thanë, Bllacë, Bllatë dhe Stenjë.
Përveç në Maqedoninë e Veriut, protestë do të mbahet edhe në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi.
Në përputhje me shoqatat nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi, do të lejohet kalimi i mjeteve motorike të mallrave që transportojnë barna, bagëti të gjalla si dhe municion dhe eksplozivë.






