Në 16 vitet si kancelare, Angela Merkel i ka vënë vulën politikës së jashtme gjermane. Roli i Gjermanisë në botë është rritur, bashkë me të edhe sfidat e politikës së jashtme
Nga Christoph HASSELBACH
Angela kushi? Pothuajse askush nuk e njihte Merkelin jashtë Gjermanisë, kur ajo u zgjodh kancelare në vitin 2005. Dhe kurrkush nuk do ta ketë imagjinuar çfarë gjurmësh do të linte ajo në botë. Por ajo e kapi veten shpejt, edhe në politikën e jashtme. Politikën e jashtme Merkeli e bëri që në fillim vetë dhe nuk ua la ministrave të Jashtëm ta bënin. Në vitin 2007, duke qenë mikpritëse e takimit të nivelit të lartë të G-8 në Heiligendamm, vend turistik në Detin Baltik, ajo u shfaq sovrane mes drejtuesve të shteteve dhe qeverive më të rëndësishme të botës. Një bote pothuajse të përkryer, kur e sheh me syrin e sotëm.
ROLIN DREJTUES NË KRIZËN E EUROS
Por kancelares iu desh herët të kalonte në modus krize: më 2008 shpërtheu kriza financiare botërore. Euroja, një nga simbolet më të fuqishme të bashkimit europian, u vu nën presion. “Po dështoi euroja, dështon Europa”, paralajmëroi shefja e qeverisë gjermane. Nën kryesimin e Merkelit kombi më i fuqishëm ekonomik i BE mori rolin drejtues në Europë, pothuajse pa dëshirë. Qeveria gjermane detyroi nga njëra anë vendet me borxhe të mëdha që të futeshin në kurs reformash dhe kursimesh, aq sa në Greqi disa kritikë e krahasuan me pushtimin gjerman gjatë Luftës së Dytë. Nga ana tjetër Merkeli aprovoi ndihma të mëdha europiane. Dhënia e garancisë gjermane për borxhet e vendeve të tjera u shtua në mënyrë masive. Fakti që pjesa tjetër e BE e pranoi në përgjithësi rolin drejtues të Gjermanisë, ka të bëjë edhe me mënyrën delikate të prezantimit të Merkelit. Ajo mishëron “kulturën e përmbajtjes” me “kulturën e mbajtjes së përgjegjësisë”, siç thotë në një intervistë për Deutsche Wellen studiuesi i shkencave politike në Universitetin e Halles, Johannes Varwick.
JO MË PARTNER DHE AQ I NGUSHTË I FRANCËS
Roli në rritje i Gjermanisë arrin të krijojë edhe një mungesë balancimi forcash me Francën. Merkeli pranon shprehimisht se Franca është partner i ngushtë dhe për bashkëpunimin me presidentin Nicolas Sarkozy, mediat sajojnë madje një emër simbiozë, Merkozy. Por kërkesat e presidentëve të ndryshëm francezë, së fundmi edhe të Emmanuel Macronit, për thellimin e BE-së, për shembull për krijimin e postit të një ministri Financash për eurozonën, Merkeli i la t’i marrë era. Një “shanc të humbur” e quan këtë Henning Hoff nga Shoqata gjermane për Politikën e Jashtme. Kurse Varwick qe quan në intervistë me Deutsche Wellen një “tjetërsim në rritje” kundrejt Francës; pikërisht për thellimin e BE, Merkel nuk ka treguar “vizione të mëdha”.
MAGJEPSJE NGA KINA
Përndryshe kancelarja vazhdon me politikën e jashtme të qeverive të mëparshme: me objektivitet, pa gjeste të mëdha, mundësisht në harmoni me të gjitha palët, duke mbajtur para sysh interesat ekonomike gjermane në gjithë botën. Kjo gjë jep frutet e veta: këmbimi tregtar me Kinën rritet shumë. Merkel udhëton shpesh në Kinë dhe duket e magjepsur prej saj. Hoff shikon tek ajo “magjepsje që shkon deri në frikë ndaj fuqisë ekonomike kineze”. Për të drejtat e njeriut ajo flet duke bërë kujdes të madh. Për anën tjetër të medaljes, atë të rritjes gjithnjë e më shumë të varësisë nga Kina flasin më shumë amerikanët. Hoff mendon se Merkel “për një kohë të gjatë nuk i ka vlerësuar sa duhet ose i ka nënvleftësuar rreziqet që vijnë nga sistemet autokratike, sidomos nga Kina dhe Rusia, që mbështeten tek mjetet gjeo-ekonomike të fuqisë, dezinformimi dhe minimi i Perëndimit”.
POLITIKË ZEMËRGJERË PËR AZILIN
Nëse Merkeli do të kishte hequr dorë nga posti në fillim të 2015-ës, atëherë drejtimi në përgjithësi i suksesshëm i saj do të ishte harruar shpejt. Por asnjë gjë tjetër nuk e ka bërë atë kaq të njohur për botën, asgjë tjetër nuk është bërë shkak për të krijuar polarizim si brenda dhe jashtë vendit, sa vendimi i marrë vetëm prej saj në fund të verës 2015, për të mbajtur hapur kufijtë për refugjatët dhe migrantët që ishin duke ardhur. Ajo e argumentoi këtë me bamirësinë kristiane, por edhe me përvojën e saj me kufijtë e mbyllur, si ish-qytetare e Gjermanisë Lindore. Merkeli fotografohet me dëshirë në selfies me refugjatë sirianë, Gjermania kthehet në vend të dëshiruar për njerëz nga e gjithë bota. Prej tyre ajo nderohet gati si shenjtore. Revista “Time” e vlerëson në vitin 2015 duke e quajtur “Person të vitit”, madje “kancelare të botës së lirë”. Të tjerët, sidomos qeveritë e lindjes së BE, ia marrin për keq përpjekjet që ajo bën për të detyruar gjithë Bashkimin Europian që të ketë politikë më zemërgjerë në çështjet e azilit. Që nga ajo kohë është shtuar shumë populizmi i djathtë në Europë.
FTOHJA E LIDHJES ME UASHINGTONIN
Në fillim Merkel ka qenë mbrojtëse e zjarrtë e marrëdhënieve transatlantike. Që kur ishte politikane në opozitë, ajo mbrojti luftën në Irak të presidentit amerikan George W. Bush, në një kohë kur shumica e popullsisë gjermane ishte kundër. Por marrëdhëniet u ftohën, edhe sepse SHBA e drejtuar nga Bush, dhe pasardhësi Barack Obama u orientuan gjithnjë e më shumë drejt Azisë. Në kohën kur president ishte Obama, i cili e quajti më vonë Merkelin partneren më të rëndësishme në politikën e jashtme, bëhet publike më 2013 se shërbimet sekrete amerikane kishin spiunuar për vite me radhë kancelaren. Merkeli është e indinjuar: “Spiunimi mes shokëve, nuk është fare në rregull”.
RE TË ERRËTA
Dhe politika botërore errësohet papritur shumë shpejt: Rusia aneksoi më 2014 gadishullin ukrainas të Krimesë, britanikët votojnë më 2016 në një referendum për daljen nga BE, pak më vonë në SHBA president bëhet Donald Trump. Me sloganin e tij “America first” ai tallet me multilaterizmin, duke vënë madje në pikëpyetje NATO-n. Më 2017 Merkeli e zhgënjyer nga SHBA thotë: “Një pjesë e kohërave, kur ne mund të mbështeteshim plotësisht tek njëri-tjetri, ka kaluar”. Retë e zeza që po afroheshin e bënë Merkelin, që të kandidonte edhe një herë për kancelare në zgjedhjet e 2017, dhe pas zgjedhjeve të drejtonte qeverinë e katërt.
DËSHTIMI NË AFGANISTAN
Që atëherë ajo shihet si shkëmb i fortë i politikës botërore. “Gjermania është e varur nga kuadri multilateral,” e shpjegon Varwick motivin e saj. Hoff i njeh asaj “aftësinë e jashtëzakonshme, për të mbajtur së bashku në bisedë si Evropën, perëndimin ashtu edhe partnerët e konflikteve”. Kohët e fundit ajo është munduar herë pas here, por pa sukses, për të ndërmjetësuar në konfliktin Ruso- Ukrainas. Megjithatë, ndryshe nga SHBA dhe vendet lindore të BE, ajo vazhdon të jetë e vendosur për projektin gjermano-rus të gazit Nord Stream 2. Marrëdhëniet me SHBA janë përmirësuar sërish me ardhjen në post të Joseph Bidenit, më 2021. Bideni e ftoi në korrik Merkelin në Uashington, si kryetaren e parë të një qeverie europiane që ftonte, dhe e vlerësoi punën e saj politike si “historike”. Por në fund karierës si kancelare, në mes të muajit gusht, si për Berlinin ashtu edhe për Uashingtonin u shfaqën pasojat e një vlerësimi të gabuar si nga Merkeli ashtu edhe nga Bideni: talibanët morën me shpejtësi të madhe Afganistanin, pas largimit të trupave perëndimore. Gati çdo gjë e arritur për popullsinë civile, rrezikon që të humbasë tani. Qeveria federale reagoi me shumë vonesë dhe diskuton për pranimin e forcave afgane që kanë punuar për perëndimorët, sepse i trembet hakmarrjes së përgjakshme të talibanëve. Që tani shihet se ky dështim do të jetë një nga pikat më të errëta të bilancit qeveritar të Merkelit.
“ASGJË NUK ËSHTË E VETËKUPTUESHME”
Cila është trashëgimia e saj në politikën e jashtme? Mbase ajo çka ajo vetë tha në 2019, në Universitetin amerikan të Harvardit në dhënien e titullit të 16-të të doktorit të nderit: “Asgjë nuk është e vetëkuptueshme. Liritë tona individuale nuk janë të vetëkuptueshme (gjë që sipas mendimit të redaktorit, do të kthehej në një temë delikate gjatë pandemisë së Coronës). Demokracia nuk është e vetëkuptueshme, as paqja dhe as mirëqënia po ashtu”. Momentet vendimtare të Merkelit kanë gjatë situatave të krizës, dhe të tilla ka pasur shumë gjatë periudhës së saj si kancelare. Ajo nuk ka qenë shumë tërheqëse në mbajtjen e fjalimeve, të cilat nuk kanë nxitur entuziazëm. Por sidomos gjatë krizave është shfaqur tek Merkeli ajo që Varwick e quan: “një përzierje pragmatizmi, aftësie për të realizuar synimet, dhe qëndrueshmërie personale”. Edhe Hoff sheh tek ajo “manaxheren e palodhur të krizave” ku ajo ka dhënë “kontribut të madh”. Megjithatë tek Merkeli kryesore ka qenë “vazhdimisht ruajtja e atyre gjërave që ekzistojnë”. Ajo “nuk i ka parë krizat si shance për diçka të re dhe për të bërë ndryshime themelore”, për shembull për të hedhur hapa më të mëdha në integrimin e BE-së. Varwick e përmbledh kështu politikën e jashtme të Merkelit: Ajo e ka kuptuar “që Gjermania ka interesa globale dhe Gjermania, është nga njëra anë e vogël që të jetë në gjendje t’i arrijë e vetme synimet, dhe nga ana tjetër për shkak të madhësisë dhe rolit që ka është e detyruar të marrë drejtimin e Europës”. (DW)