Rritet papunësiа si shkak i pandemisë dhe krizës ekonomike

    Si pasojë e pandemisë së virusit korona dhe mbylljes së bizneseve, një pjesë e madhe e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut mbetën papritmas pa punë. Kjo ka bërë që numri i qytetarëve të regjistruar si të papunë pranë zyrave të punësimit të rritet dukshëm. Karantinimi konsistoi në mbylljen e pjesës më të madhe të aktiviteteve ekonomike, të konsideruara jo esenciale, mbyllje që zgjati që prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus, ndërsa masat e mëhershme të ndërmarra për të evituar përhapjen e virusit i dhanë një goditje të fortë ekonomisë së vendit. Për sa i përket papunësisë, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në tremujorin e parë të vitit 2021, popullsia aktive në Republikën e Maqedonisë së Veriut është 943 964 persona, nga të cilët 793.121 janë të punësuar dhe 150.843 janë të papunë.

    Ndërkaq nga Agjencia për Punësim, sipas analizave të dala nga janari i këtij viti e gjerë në muajin korrik evidentojnë këto shifra duke treguar se numri i të papunëve është shtuar gjatë këtyre muajve në disa qytete të vendit. Në Shkup numërohen 54.793 të papunë, Manastir 6471, Tetovë 4563, Shtip 4613, Prilep 4629, Strumicë 4070, Kumanovë 4345 dhe Ohër me 4621 të papunë. Shkalla e aktivitetit në këtë periudhë të fillim vitit është për 56 për qind, ndërsa shkalla e punësimit është për 47.1, ndërsa shkalla e papunësisë është shënuar për 16 për qind. Ekonomistët këtë situatë e shohin si një problem kryesor që është paraqitur për vite me radhë dhe nuk është aspak i lehtë për tu zgjidhur. Ata thonë se duke e pasur parasysh natyrën e ngurtë dhe jofleksibile të tregut të punës në vend, nevojitet një qasje më serioze ndaj reformave në sistemin e edukimit, arsimit si dhe atë të trajnimit.

    Sipas tyre nevojitet edhe një angazhim më i madh që të plotësohet hendeku midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës ku shpesh mbesin bosh më shumë vende pune për shkak se të papunët janë të pakënaqur me pagën apo kushtet e punës, ndërsa një pjesë e tyre është i inkuadruar edhe në tregun joformal të punës. Nga Lidhja e Sindikatave informojnë se me vite luftojnë që kontratat e punës me afat të caktuar maksimum të jenë për një vit, dhe pastaj të shndërrohen menjëherë në kontrata me kohë të pacaktuar. Sipas tyre, pandemia ka bërë të ndjehet dukshëm kriza ekonomike, e që punonjësit kjo krizë ndjehet edhe më shumë. Ato theksojnë se shumica e punëtorëve të pushuar nga puna në periudhën e analizuar janë nga sektori i turizmit dhe gastronomisë, tekstili dhe industria e ndërtimit./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    27-at

    Lajmi i rradhës

    Trashëgimia e Merkelit në politikën e jashtme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë