“I qoftë me fat”, i tha kryeministri Hristijan Mickoski deputetit Halil Snopçe, i cili në TV21 tha se do të dalin nga qeveria nëse sillet ligji për branitellat. E për këtë në Daily Clicl në TV21 foli Arbër Ademi nga BDI, i cili adresoi kritika të ashpra ndaj VMRO-së, ndërsa tha se deklarata e kryeministrit ndaj Snopçes është “tregim i rrugës dhe derës për shqiptarët”.
“Është serioze një deklaratë e tillë, kur kryeministri fare nuk të bën hesap, dhe ta tregon derë, ta tregon rrugën, të dëshiron fat. VMRO-DPMNE duhet ta ketë të qartë se një qasje e tillë, me kushtëzime, me shantazhime, arrogancë, tregim të muskujve, supremacisë, dominancës, nuk mund të qeverisë në RMV në vitin 2024, për arsye se shqiptarët janë element shtete formues, dhe përbëjnë 1/3 e popullsisë, ajo fyerje ndaj z.Snopçe, nuk i adresohet vetëm z.Snopçes, por e marr fyerje edhe ndaj meje dhe ndaj gjithë shqiptarëve. Ajo është tregim i rrugës dhe derës për shqiptarët, e tash ka gjetur disa shqiptarë që janë në qeveri, që vetëm në bazë të etnisë janë shqiptarë, por me veprim, ata realizojnë programin e VMRO-së, ai e ka komoditetin që të sillet ashtu”, pohoi Ademi.