Kërkesa e menjëhershme për punonjës në sektorin e turizmit dhe ndërtimit, ka rritur pagat për profesionet elementare më shpejt se sa për profesionistët e kualifikuar. Emigracioni i lartë i moshave të reja dhe kërkesa e lartë për punë, madje edhe pa kualifikim – po deformon tregun e pagave, ku në disa raste, teknikët dhe punonjësit e pastrimit po paguhen sa inxhinierët dhe ekonomistët. Dhjetë vite më parë, në vitin 2014, paga e specialistëve me arsim të lartë ishte sa 135% e pagës mesatare, ndërsa në tremujorin e parë 2024 paga e kësaj kategorie ishte sa 129% e pagës mesatare.
Në vitin 2014, paga e profesioneve elementare ishte sa 56% e pagës mesatare, ndërsa në 2024 ka arritur sa 65% e pagës mesatare. Profesionet elementare karakterizohen nga informaliteti i lartë, teksa paga reale në shumë prej tyre aktualisht është në nivelin e pagës mesatare 35.000 denarë ose sa 150% e saj (punëtorët e ndërtimit).
MUNGESAT NË BURIMET NJERËZORE
Ekspertët lajmërojnë për kërkesë të lartë në profesionet elementare dhe stanjacion në nivelet e larta të menaxhimit. Kufizimet në tregun e punës për profesionistët e nivelit të lartë dhe rritja e ofertës për profesione që nuk kanë shumë aftësi, po deformojnë tregun e pagave. Mungesa e fuqisë punëtore pa shumë kualifikim dhe zhvillimi i sektorëve që nuk kërkojnë punonjës të kualifikuar, ka barazuar pagën e teknikut me atë të inxhinierit dhe të punonjësve të pastrimit me atë të ekonomistit. Përqendrimi i rritjes ekonomike vetëm në dy sektorë, turizëm-hotelieri dhe ndërtim, ka ngushtuar mundësitë për profesionistët dhe menaxherët e nivelit të lartë nga sektorë të tjerë, teksa po rrit ofertën për profesione elementare. Për shembull, një kamerier në strukturat hoteliere në hotele dhe lokale luksi, paguhet jozyrtarisht nga 600 deri në 800 euro në muaj dhe një pastruese deri në 650.
Gjithashtu, një punonjës stalle në blegtori në zonën e Shkupit dhe Pollogut paguhet deri në 700 euro në muaj, ndërkohë një ekonomist në Shkup në vitin e parë të punës nuk merr më shumë se 500 euro në muaj. Mungesat në burimet njerëzore, kryesisht për postet më të ulëta kanë prishur sistemet e referimit të pagave që zotëronte çdo kompani dhe ka shtuar nevojën për fleksibilitet në ofertimin e pagave, transmeton KOHA.
Më parë, shembull, një kompani prodhimi e kishte të përcaktuar qartë nivelin e pagës që do t’i ofronte një inxhinieri apo një tekniku elektrik. Kompania ruante me fanatizëm sistemin e saj të pagave, por tani ndodh shpesh që një tekniku të mesëm mund t’i ofrojë një pagë gati apo të njëjtë me inxhinierin (junior), thuhet në studimin e EUROSTAT-it. Analiza i referohet më shumë profesioneve të mesme teknike si hidraulikë, elektrikë, mekanikë, etj., punojnë të pavarur (të vetëpunësuar), me punë me orare fleksibël, që mund të kenë të ardhura mujore më të larta se pagat e punonjësve me arsim të lartë – profesorëve në arsim të mesëm – që janë të punësuar me kohë të plotë.
GJYSMA E PAGËS NË BANKË, GJYSMA NË DORË
Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), në tremujorin e parë të vitit 2024, paga për profesione elementare u rrit me 33% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Profesionet elementare karakterizohen nga niveli i lartë i informalitetit. Shumica e tyre paguhen zyrtarisht me pagën minimale dhe një pjesë në të zezë, teksa paga reale për profesionet elementare varion nga 30.000 mijë deri në 60.000 denarë neto në muaj. Profesionet elementare lidhen me punë që mësohen për dy-tre javë dhe nuk kërkojnë përvojë, të tilla si punonjësit e pastrimit, punonjësit në ndërtim dhe industri.
Ekspertët e burimeve njerëzore pohojnë se kategoria e profesioneve elementare gjen punë më shpejt se ato me arsim të lartë dhe kanë gjasa të marrin paga të barabarta ose më shumë. Po sipas ESHS, nga tremujori i parë 2024, pagat e specialistëve me arsim të lartë arritën 52.000 denarë bruto në muaj, me rritje 38% nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Kjo kategori punonjësish, që përfaqësohet më së shumti edhe nga punonjësit në arsim dhe shëndetësi, nuk punon në informalitet dhe ka përfitime neto rreth 700 euro në muaj që shpesh është në të njëjtat nivele me një punonjës pastrimi, apo kamerierët. Teksa tregu i punës po zgjerohet në paga dhe në ofertë për profesionet elementare, nuk ndodh kështu për menaxherët e nivelit të lartë. Tregu në Maqedoninë e Veriut po ofron fleksibilitet në ofertën e punës dhe paga për punonjës me profesione elementare, pa shumë aftësi, teksa për menaxherë të nivelit të lartë ka një ndalesë të ofertës.
ESHS tregon se kërkesat për rekrutim më të madh të profesionistëve aktualisht i ka sektori i ndërtimit dhe zinxhirët e tij që kanë nxitur punësimin e inxhinierëve dhe teknikëve.
BIE VLERA E DIPLOMËS
Emigrimi dhe plakja e popullsisë në njërën anë dhe zhvillimi i turizmit-hotelierisë dhe ndërtimit në anën tjetër, kanë shtyrë më tej nevojat për punonjës me profesione elementare. Të dhënat e ESHS-së, për tremujorin e parë 2024 tregojnë se rritja vjetore e pagave ishte për sektorin e administratës publike me mesatarisht rreth 12%, si rrjedhojë e një plani që nisi vitin e kaluar, i cili rriti në mënyrë jo të zakontë pagat për të gjitha nivelet e administratës. Rritje në këto nivele kishin edhe punonjësit me profesione elementare dhe ata të ndërtimit, pagat e të cilëve u rritën me 14-15% në tremujorin e parë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Nga sektori privat, rritjet më të larta me ritme dyshifrore të pagave ishin edhe në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve me rreth 15%, ku pjesa më e madhe e punonjësve përfaqësohet nga shitësit në tregtinë me pakicë dhe nga punonjësit e hoteleve dhe restoranteve, kryesisht kamerierë, banakierë dhe pastrues. Në të kundërt, pagat e punonjësve me arsim të lartë dhe profesionistëve nga tremujori i parë 2023 në tremujorin e parë 2024 u rritën me 11-13%. Në vitin 2014, paga e specialistëve me arsim të lartë ishte sa 135% e pagës mesatare, ndërsa në tremujorin e parë 2024, paga e kësaj kategorie ishte sa 129% e pagës mesatare.
Në vitin 2014, paga e profesioneve elementare ishte sa 56% e pagës mesatare, ndërsa në 2024 ishte sa 65% e pagës mesatare. Profesionet elementare karakterizohen nga informaliteti i lartë, teksa paga reale në shumë prej tyre aktualisht është në nivelin prej 42.000 denarë. Një person me profesion elementar pa arsim të lartë, aktualisht ka shanse të punësohet më shpejt dhe me pagë të njëjtë ose më të lartë se një person që sapo ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë, Filologjisë ose Arteve. Pas pandemisë, sektori i turizmit pati një kërkesë të menjëhershme për punonjës, aq sa bizneset shpallnin kërkesë për punonjës kudo – oferta për punë këto që shkonin deri në 700 euro për një punëtor ndërtimi. Kujdestarët e shtëpisë, kamarierët dhe pastruesit madje kanë gjasa të punësohen shumë më shpejt dhe me paga më të larta se punonjësit e kualifikuar. Sepse, profesionistët që zotërojnë aftësi dhe shkollim adekuat, nuk e kanë të lehtë të gjejnë pune.
Të dhënat e ESHS-së tregojnë se shumë të rinj, edhe pse kanë kryer studimet e larta, e kanë të vështirë të punësohen në profesionet e tyre. Si për shembull, e kanë të vështirë ata që kanë studiuar Drejtësi, Shkencat Sociale, degët e Fakultetit Filologjik… Edhe në Agjencinë për Punësim është i lartë numri i vendeve të lira për punonjësit e pakualifikuar dhe të kualifikuar (pa arsim të lartë) kryesisht në sektorin e Shërbimit, Prodhimit, Tregtisë dhe Ndërtimtarisë. Ka mjaft mungesa për zanatet si teknik i mesëm, kamerier, banakier, sanitar, bojaxhi, usta në ndërtim… Këto zhvillime në tregun e punës, sipas ekspertëve, vijnë për shkak se ka munguar lidhja midis sektorit të arsimit me modelin ekonomik dhe planet afatgjata të zhvillimit ekonomik.
Megjithatë, ndërtimi është shndërruar në motorin e rritjes ekonomike vitet e fundit, duke shfaqur një ofertë të menjëhershme në tregun e punës për punonjës pa shumë njohuri. Pagat që nisin nga 500 euro kalojnë shpejtë në 1000 euro. Edhe në hotelieri – kamerierët nga 600 euro arrijnë në 1200 euro për kuzhinierët, profesion ky që ka mungesë në vend. Gjithashtu punonjës që montojnë linjat elektrike, hidraulikë, sistemet e kondicionimit janë shumë të kërkuar në kompanitë e ndërtimit.
PROFESIONET ELEMENTARE MË TË KËRKUARAT
Ekspertët e tregut të punës pohojnë se, për profesionet elementare kërkesa për punë ka qenë e lartë në vendin tonë, aq sa bizneset po plotësojnë një pjesë të nevojave me punonjës të huaj. Emigracioni i lartë i të rinjve dhe rënia e lindjeve ka krijuar hendek në tregun e punës, teksa kërkesa për punonjës është rritur në të gjithë sektorët. Ekonomia në Maqedoninë e Veriut sot ka dy motorë zhvillimi, të cilët reflektohen edhe në punësim. Këto janë turizmi dhe ndërtimi – dy sektorë që i sjellin përfitime shtetit.
Gjithashtu, pritet të vazhdojë kërkesa edhe për punonjës të sektorit të teknologjisë së informacionit, por edhe për pozicione që duhet të prodhojnë cilësi, siç janë drejtuesit dhe specialistët për çdo funksion. Tregu gjithmonë e më shumë ka nevojë për njerëz edhe më të aftë dhe më kompetentë, edhe me më shumë njohuri, e për këtë arsye do të ofrojë paga konkurruese për këto nivele.