Trotinetët elektrikë në RMV: zgjidhje moderne apo kërcënim në trafikun urban?

    Në fillim të vitit 2020, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut bëri ndryshime në Ligjin për Siguri në Komunikacionin Rrugor, duke përfshirë për herë të parë trotinetët elektrik në kuadër të këtij ligji. Me këtë vendim, u përcaktuan rregullat për përdorimin e trotinetëve elektrikë, mënyra e drejtimit të tyre dhe dënimet për shkelësit e këtyre rregullave.

    Sipas ligjit, drejtimi i trotinetit elektrik është i lejuar vetëm për personat që kanë mbushur moshën 14 vjeç. Ndalohet transportimi i personave të tjerë gjatë drejtimit të mjetit, si dhe mbajtja e kafshëve gjatë vozitjes. Shkelja e këtyre dispozitave dënohet me gjobë prej 50 eurosh. Po ashtu, ligji rekomandon mbajtjen e helmetës për siguri më të madhe, ndërsa gjatë orëve të natës është e detyrueshme mbajtja e jelekut reflektues, në të kundërtën, sërish aplikohet gjobë në të njëjtën shumë.

    Përdorimi i trotinetëve elektrikë në Maqedoninë e Veriut ka njohur një rritje të ndjeshme në vitet e fundit. Aktualisht, pothuajse çdo i dyti qytetar në zonat urbane posedon një trotinet elektrik. Këto mjete janë bërë pjesë e përditshmërisë, duke u përdorur si alternativë ndaj veturave për shkak të shmangies së trafikut të dendur, kostos më të ulët të mirëmbajtjes dhe ndikimit pozitiv në mjedis. Ato janë veçanërisht të përshtatshme për distanca të shkurtra dhe për qarkullim brenda qyteteve.

    Megjithatë, rritja e shpejtë e përdorimit të trotinetëve elektrikë ka sjellë edhe një numër në rritje të aksidenteve dhe incidenteve në komunikacion. Shumë përdorues nuk i përmbahen rregullave të sigurisë, siç është mbajtja e helmetës, vozitja me shpejtësi të papërshtatshme, përdorimi i trotinetëve në trotuare apo rrugë të paautorizuara, si dhe mungesa e ndriçimit dhe sinjalizimit adekuat në mjet. Mungesa e infrastrukturës së posaçme, si korsitë për trotinetë apo biçikleta, i detyron përdoruesit të ndajnë hapësirat rrugore me automjete dhe këmbësorë, çka shton rrezikun për aksidente.

    Në këtë drejtim, është e nevojshme të rritet ndërgjegjësimi i qytetarëve për rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor. Po ashtu, institucionet kompetente duhet të ndërmarrin hapa konkretë për ndërtimin e infrastrukturës së përshtatshme për trotinetët elektrikë dhe të zhvillojnë fushata vetëdijësuese për përdoruesit e këtyre mjeteve. Vetëm përmes një qasjeje të tillë të koordinuar mund të arrihet një balancë mes përfitimeve që sjell kjo mënyrë moderne e lëvizjes dhe garantimit të sigurisë në rrugë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    KME “Manastir” ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë