VMRO-DPMNE-ja edhe zyrtarisht dorëzoi në Kuvend propozimrezolutën për vërtetimin e pozitave shtetërore maqedonase në kontekst të bllokimit të integrimeve europiane. Sipas tyre, kjo rezolutë, do t’i forcojë pozitat diplomatike maqedonase, por edhe do të zvogëlojë polarizimin në shoqëri. Për të konfirmuar në praktikë mbështetjen që i japin deputetët e partive të tjera kësaj rezolute, VMRO-DPMNE-ja kërkon që ata ta nënshkruajnë nismën e tyre.
“Për t’u miratuar rezoluta nevojitet shumicë e thjeshtë, por qëllimi ynë është të kemi shumicë më të madhe. Në shtet, qytetarët gjithmonë kanë qenë solidar njëri me tjetrin, pa marrë parasysh përkatësinë politike dhe etnike. Vlerësojmë se kjo rezolutë meriton mbështetje më të gjerë vetëm nëse nuk bëhet fjalë për taktikë të menduar mes partnerëve të koalicionit LSDM dhe BDI, që njëri ta mbështesë në mënyrë deklarative dhe të tjetri ta pengojnë procedurën”, tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
LSDM-ja ka konfirmuar se do ta mbështesë rezolutën e propozuar nga VMRO-DPMNE-ja dhe propozimi, në përgjithësi, është i pranueshëm edhe për disa parti të tjera parlamentare. Deri sa “E Majta” e kushtëzon atë me “Deklaratën” e tyre të propozuar muaj më parë dhe që ka të njëjtin qëllim. Aleanca për Shqiptarët dhe Altenativa ende nuk kanë një qëndrim të prerë. Pritet që kjo të ndodhë ditët në vazhdim. Ndërkohë BDI-ja e ka cilësuar si të dëmshme këtë rezolutë ose secilin akt që mund të ndikojë në procesin eurointegrues të vendit.
Rezoluta kërkon që negociatat me BE-në të bëhen në mënyrë të paanshme dhe në baza parimore duke u respektuar e drejta ndërkombëtare, pa kushtëzime dhe me respektim të dinjitetit të popullit maqedonas, respektim të autoktonisë së popullit maqedonas dhe të vazhdimësisë historike, gjuhësore, kulturore dhe religjioze, eurointegrimi të varet nga angazhimi dhe përpjekja e Shkupit në zbatimin e kritereve, të respektohet e drejta e vetpërcaktimit dhe të drejtat dhe liritë e njeriut, etj.
Sofja kishte bërë një hap të ngjashëm në gusht të vitit të kaluar për unifikimin e qëndrimit të brendshëm në lidhje me marrëdhëniet e saj me Shkupin. Një dokument i titulluar “Memorandum shpjegues mbi Marrëdhëniet e Republikës së Bullgarisë me Republikën e Maqedonisë së Veriut në lidhje me zgjerimin e BE-së dhe procesin e asociimit dhe të stabilizimit” u dërgua nga Sofja në 26 kryeqytete të vendeve anëtare të BE-së. Aty shpjegohet qëndrimi bullgar për disa çështje historike duke theksuar se “Procesi i zgjerimit nuk duhet të legjitimojë ndërhyrjen etnike dhe gjuhësore të regjimeve të kaluara autoritare”./Alsat/