Disa tunele, që për dekada përdoreshin për të ruajtur armatim të Shqipërisë komuniste, tash përdoren për të ruajtur peshq dhe produkte tjera të detit. Edhe pse para gjashtë vjetësh në këtë vend nuk kishte asgjë, tashmë është ndërtuar një fabrikë për ruajtjen e produkteve të detit, përcjell Nistori nga REL.
“Në kohën e komunizmit këto (tunele) kanë qenë depo ushtarake dhe kanë mbajtur armatime. Tash ne mbajmë peshkun sepse ai rri në një temperaturë konstante dhe e mbajmë për tre muaj ose gjashtë muaj”, shprehet menaxherja e kompanisë “Rozafa”, Vjollca Kaculli.
Kjo kompani ka të punësuar 1.500 punonjës dhe paga e tyre shkon deri 20 euro në ditë. Vetëm vitin e kaluar nga kjo kompani janë eksportuar ushqime deti në vlerë prej 32 milionë euro.
Përndryshe, gjatë kohës së komunizmit fshehej armatimi i Shqipërisë, por gjatë trazirave të vitit 1997, turma të mëdha u futën me dhunë në këtë depo dhe morën afro një milion armë. Shumë armë u konfiskuan dhe u shkatërruan, por shumë të tjera akoma kanë mbetur në duar të qytetarëve. /Nistori/