Tupançevski shkel subordinimin e Prokurorisë Publike

    Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski thotë se çështja e mungesës së prokurorëve publik dhe gjykatësve si pasojë e pensionimit të tyre do të rregullohet përmes një plani “B”.

    Sipas tij, ky plan nënkupton riorganizimin e prokurorive dhe gjykatave.

    “Gjithmonë ka plan “B”. Derisa nuk mbyllet çështja e cila kishte të bënte me ndryshimet ligjore dhe si përfundim nuk u vazhdua stazhi i punës për gjykatësit dhe prokurorët zgjidhja e vetme mbetet organizimi i brendshëm në gjykata dhe prokurori. Në vendin tonë ka gjykata dhe prokurori të cilat janë të mbingarkuara por ka edhe prokurorë të cilët punojnë nën normën e detyruar me ligj. Në këtë drejtim, kjo mbetet zgjidhja e vetme të cilën mundemi tani për tani ta quajmë si zgjidhje praktike”, tha Nikolla Tupançevski, Ministër i Drejtësisë.

    Prokuroria Publike nuk komenton këtë deklaratë të Tupançevskit por i kujtojnë atij dispozitat ligjore të ligjit për Prokurorinë Publike.

    “Prokuroria Publike organizohet mbi parimin e hierarkisë dhe subordinimit.
    Prokuroria Publike është organ i pavarur shtetërorë. Respektimi i parimeve nga paragrafi 1 i këtij neni nuk guxojnë ta cenojnë pavarësinë dhe përgjegjësinë e secilit prokurorë në kryerjen e detyrës së tij”, thuhet në Ligjin për Prokurorinë Publike, Neni 3.

    Nga kabineti i Tupançevskit dërguan përgjigjen e dhënë disa ditë më parë kur i pari i këtij dikasteri hodhi idenë për ndryshime ligjore, por duke potencuar mundësinë e delegimit të përkohshëm vetëm në gjykata, por jo edhe në prokurori publike.

    “Problemi me vendet vakante do të zgjidhet në përputhje me Ligjin për gjykatësit, Ligji për prokurorët publik dhe Ligji për marrëdhënie pune. Ekziston mundësi ligjore për delegim të përkohshëm të gjykatësve nga gjykatat më pak të ngarkuara tek ato gjykata ku ka vëllim më të madh të punës”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

    Për shkak të mos miratimit të propozim-Ligjit për marrëdhënie pune, më 1 korrik, 42 gjykatës dhe 11 prokurorë publik u pensionuan. Propozimi parashikonte vazhdimin e mandatit të tyre edhe për 3 vite. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Paralajmërojnë Odat Ekonomike: Çmimi i ri i energjisë elektrike do të mbyll shumë kompani

    Lajmi i rradhës

    Letër e hapur për qytetarët e Maqedonisë së Veriut nga Vanhoutte

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë