Ka përfunduar asfaltimi i rrugës lokale Falisht – Strimnicë, të cilën Komuna e Tetovës e nisi gjatë fushatës parazgjedhore në zgjedhjet e dyfishta.
Për asfaltimin e rrugës së gjatë rreth 1 kilometër, Komunës së Tetovës iu deshën më shumë se një muaj.
Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, para disa ditësh kur u pyet nga Nistori tha se kjo rrugë do të ndërtohet para ardhjes së mërgimtarëve. Megjithatë, deri në përfundimin e asfaltimit, qytetarët vazhdimisht ankoheshin pasi dëmtonin makinat.

“Vazhdohet me punë, sipas dinamikës së realizuesit këtë periudhë do të përmbyllet. Deri në zgjedhjet e radhës do të ndërtohet. Duhet të parashtroni pyetje me shkrim, pasi nuk e di dinamikën e realizimit të punëve të kompanisë. Me datë nuk e di. Besoj se do të bëhet para ardhjes së mërgimtarëve”, tha Kasami kur u pyet nga Nistori për këtë rrugë.
Ndryshe, kjo rrugë është financuar nga Komuna e Tetovës, ndërsa çmimi i realizimit nuk është bërë publik./Nistori/
