Detyrimet dhe marrëveshjet ndërkombëtare duhet të respektohen, thonë ShBA-të dhe Franca. Të dy presidentët Joe Biden dhe Emanuel Macron krijuan udhërrëfyes për të dy vendet, ndërsa në pjesën për tema ndërkombëtare përmendet Ballkani Perëndimor, si dhe Maqedonia.
“Ata i bëjnë thirrje qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut që të mbetet e fokusuar në rrugën drejt BE-së dhe t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare”, njoftoi Shtëpia e Bardhë për udhërrëfyesin franko-amerikan.
Kjo vjen në kohën kur mandatari Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE dhe presidentja Gordana Siljanovska Davkova po përdorin emrin e vjetër të shtetit, ndërsa Greqia vazhdimisht reagon.
Sipas Mickoskit, Maqedonia do t’i respektojë këto marrëveshje, por theksoi se është rrugë e dyanshme.
“Të dyja palët duhet ta respektojnë atë. Nëse i referohet konkretisht Marrëveshjes së Prespës, ne si qeveri e ardhshme e respektojmë në detaje. Gjithçka që është pjesë e legjislacionit tonë, Kushtetutës, respektohet në detaje – pikë, presje. Dhe këtu nuk ka dilemë, sepse ju nuk mund të kërkoni nga qytetarët që t’i respektojnë ligjet dhe Kushtetutën nëse ju i shkelni ato, por në të njëjtën kohë pres që nënshkruesi i dytë, fqinji ynë jugor, t’i respektojë”, tha Mickoski.
Ndërkohë “këshilla falas” kanë ardhur nga ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
Ai sot tha se mbiemri “maqedonas” mund të përdoret vetëm në kontekst etnik, ndërsa tha se është shkelje e Kushtetutës nëse nuk përdoret emri kushtetues i vendit. /Nistori/