Udhëheqësit e BE-së dënojnë madhërimin e Mlladiqit në Beograd

    Kryetarja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, dhe kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Costa, reaguan së bashku, duke i cilësuar si “tronditëse” pamjet nga Beogradi gjatë varrimit të Ratko Mlladiqit, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, i dënuar nga Tribunali i Hagës për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnje e Hercegovinë.

    “Elementet e mbështetjes zyrtare, si dhe prania e disa zyrtarëve të lartë serbë në varrim, janë thellësisht dëshpëruese. Ato tregojnë dështimin për t’u përballur me kapitullin e errët të historisë së vonshme evropiane, dhe janë në kundërshtim me vlerat mbi të cilat bazohet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian”, theksuan në një deklaratë të përbashkët liderët e institucioneve kryesore evropiane.

    Duke rikujtuar se Ratko Mlladiq ishte i dënuar i luftës, përgjegjës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Von der Leyen dhe Costa thanë se mendimet e tyre janë me të gjitha viktimat e krimeve të kryera në vendet e ish-Jugosllavisë.

    Kjo deklaratë dënuese e dy udhëheqësve të BE-së vjen një ditë pasi zëdhënësja kryesore e KE-së, Paula Pinho, deklaroi se Mlladiqi “nuk u varros me nderime shtetërore” në Serbi.

    Deklaratën e zëdhënëses e dënuan një numër i madh aktorësh politikë, si në Bruksel, ashtu edhe në rajon.

    Mlladiq u varros më 7 shtator në Beograd, me nderime ushtarake dhe shtetërore.

    Ai vdiq më 27 gusht në Hagë, derisa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm, ndërsa u varros në varrezat Topçider në Beograd.

    Ceremonia e varrimit u shoqërua me të shtëna nderi dhe fjalime lamtumire, në të cilat u madhërua e kaluara e tij gjatë luftës.

    Në prani të pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, udhëheqësve politikë të Republikës Sërpska, pjesëtarëve të Kishës Ortodokse Serbe dhe zyrtarëve të Serbisë, të pranishmit brohoritën emrin e Mlladiqit dhe e përcollën arkivolin e tij me duartrokitje.

    Përkujtimi, shërbesa fetare dhe varrimi në Beograd u shoqëruan me paralajmërime nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se madhërimi i kriminelëve të dënuar të luftës është i papranueshëm. REL

    Lajmi Paraprak

    Inflacioni në RMV nuk lëshon pe, kostoja e jetesës në vitin 2026 u rrit me 2,6%

    Lajmi i rradhës

    Kosovë, zgjedhje e kreut të shtetit apo sërish në votime?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë