Ndërsa Gostivari po hyn në javën e pestë pa ujë të sigurt për pije, LSDM-ja akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Shëndetësisë, Sasho Klekovski, se ndodhen “në ekskursion”, ndërkohë që, sipas kësaj partie, 5.000 qytetarë kanë përfunduar nëpër spitale me probleme shëndetësore dhe po regjistrohen raste të reja e riinfektime. “Në mes të verës, në temperatura përvëluese, banorët e Gostivarit ende, për pesë javë me radhë, nuk kanë ujë të sigurt. Pesë javë qytetarët e Gostivarit janë të detyruar të presin në radhë për një shishe plastike me ujë. Kjo është realiteti me të cilin përballen gostivarasit. Kjo nuk është gjendje normale, por tragjedi, skandal pa fund”, theksoi Maja Borozan nga LSDM.
Kjo parti thekson se kryeministri nuk e ka vizituar asnjëherë Gostivarin gjatë krizës dhe se qeveria ka dërguar vetëm disa cisterna uji për tërë qytetin. “Kjo është e vërteta për pushtetin e Mickoskit, i cili tregoi paaftësi totale për ta mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Mickoski nuk i vizitoi asnjëherë, nuk shkoi në Gostivar. Dërgoi disa cisterna uji për tërë qytetin”, theksoi Borozan.
Sipas kësaj partie, uji tashmë po përdoret si ujë teknik, por asnjë institucion nuk ka lëshuar dokument që vërteton se është i rregullt as për këtë qëllim. “Me javë premtonte se ‘nesër do të ketë ujë të pijshëm’. Tani njerëzit e përdorin si ujë teknik, e askush nuk ka dhënë dokument se është i rregullt as për këtë”, thotë opozita. LSDM-ja e cilëson epilogun e premtimeve qeveritare si dështim me pasoja të rënda shëndetësore. “Nga deklaratat e Mickoskit dhe Klekovskit se problemi do të zgjidhet ‘shumë shpejt’, epilogu është 5.000 njerëz të helmuar, raste të riinfektuara, spitali i Gostivarit është i kontaminuar, pacientët po transferohen në Tetovë, ka epidemi të verdhëzës, ndërsa nuk ka kuadër mjekësor. Nuk ka skandal më të madh, as papërgjegjësi më të madhe se ky luajtje me jetën e qytetarëve”, theksoi Borozan në konferencën për shtyp nga selia e LSDM-së.
Opozita vë theksin edhe te heshtja e ministrit të Shëndetësisë, i cili sipas saj nuk po del më publikisht për të thënë se kur do të bëhet uji i sigurt. “Nuk është më as Klekovski të thotë sa shpejt uji do të bëhet i sigurt. Tani pritet 20 gushti, e deri atëherë qytetarët do të mbijetojnë. Le të presin qytetarët e Gostivarit, qeveria e Mickoskit ka ekskursion”, përfundon reagimi i LSDM-së.
KUNDËRAKUZA E VMRO-DPMNE-së
Nga ana e saj, VMRO-DPMNE-ja e ktheu të njëjtën akuzë kundër opozitës, duke pretenduar se kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ndodhet në Egje bashkë me ish-kryeministrin Zoran Zaev. “Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, është bashkë në Egje me shokun e tij Zoran Zaev, por ndikon te ata që i la këtu, përkatësisht u jep udhëzime për përhapjen e dezinformatave”, thuhet në kumtesën e partisë në pushtet. VMRO-DPMNE-ja e akuzon udhëheqjen e LSDM-së se ka krijuar panik te qytetarët e Shkupit me pretendimin se uji në kryeqytet nuk është i sigurt.
“Këtë herë dezinformatat dhe gënjeshtrat janë të përmasave të mëdha, përkatësisht krijuan panik te qytetarët e Shkupit. Me gënjeshtrën e fundit se uji në Shkup nuk është i sigurt, Filipçe dhe udhëheqja aktuale e LSDM-së luajtën edhe me shëndetin e qytetarëve”, vlerëson kjo parti.
Partia në pushtet e mbyll kumtesën duke i bërë thirrje opozitës të ndalojë atë që e quan fushatë dezinformuese. “Përhapja e gënjeshtrave dhe krijimi i atmosferës së panikut e kaosit, si dhe shkuarja në pushime ekskluzive janë e vetmja punë që Filipçe dhe udhëheqja aktuale dinë ta bëjnë dhe ajo është specialiteti i tyre. Filipçe dhe LSDM duhet të ndalojnë me gënjeshtrat, të cilat në këtë rast janë edhe krejtësisht serioz”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
MPB: 13 PERSONA TË MARRË NË PYETJE
Paralelisht me përplasjen politike, Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se po merr në pyetje 13 persona në lidhje me rastin e përhapjes së lajmeve të rreme në rrjetet sociale për ndotjen e supozuar të ujit të pijshëm në Shkup. Sipas MPB-së, Departamenti i Krimeve Kompjuterike dhe Forenzikës Digjitale ka biseduar me këta individë dhe të gjithë kanë deklaruar se e kishin postuar ose shpërndarë informacionin pasi më parë kishin parë një postim të ngjashëm në rrjetet sociale ose kishin dëgjuar nga një person tjetër. Asnjëri prej tyre nuk ka cituar burim konkret, të verifikueshëm apo të besueshëm për t’i mbështetur pretendimet për ndotjen e ujit.
Ministria thotë se hetimi vazhdon dhe se do të mblidhen e analizohen të dhëna të tjera për t’i konfirmuar të gjitha rrethanat lidhur me ngjarjen, si dhe mënyrën se si informacioni u shfaq dhe u përhap më tej në hapësirën online. “Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që të mos ndajnë informacion për të cilin saktësia nuk është verifikuar dhe të informohen ekskluzivisht nga burime zyrtare dhe relevante. Përdorimi i përgjegjshëm i mediave sociale dhe verifikimi i informacionit para publikimit ose ndarjes së tij janë thelbësore për të parandaluar dezinformimin dhe për të mbrojtur interesin publik”, thonë nga MPB.
Në komunikatën e vet, Ministria e Punëve të Brendshme nuk përmend asnjë parti politike dhe asnjë emër konkret si burim të informacionit të pasaktë.
DALLIMI MES DY PRETENDIMEVE
Paralajmërimi publik që LSDM-ja bëri ditë më parë nuk kishte të bënte drejtpërdrejt me pretendimin se uji i Shkupit është i ndotur. Kjo parti alarmoi se në afërsi të burimit të Rashçes po krijohet deponi ilegale dhe kërkoi reagim urgjent nga institucionet kompetente, duke pretenduar se gjendja mund të paraqesë rrezik për burimin nga i cili furnizohet kryeqyteti me ujë.
Rashçja është burimi kryesor i sistemit të ujësjellësit të Shkupit. Sipas të dhënave zyrtare të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, nevojat për ujë të Shkupit pothuajse tërësisht sigurohen nga kaptazhat Rashçe 1 dhe Rashçe 2, ndërsa puset Nerez dhe Lepenc përdoren si burime shtesë gjatë periudhave me konsum të shtuar. Nga ndërmarrja publike kanë thënë se cilësia e ujit nga Rashçja monitorohet vazhdimisht dhe se, sipas karakteristikave të tij fizike, kimike dhe bakteriologjike, uji nuk kërkon trajtim shtesë, përveç dezinfektimit preventiv me klor. /Koha/






