UNICEF: 40% e fëmijëve në RMV përjetojnë varfëri shumëdimensionale

    Një në tre fëmijë në Maqedoninë e Veriut jeton nën pragun nacional të varfërisë, ndërsa rreth 40% e tyre përjetojnë varfëri shumëdimensionale, sipas raportit më të fundit të UNICEF-it.

    Organizata ka theksuar se megjithëse në vend ofrohen shërbime thelbësore si arsimi, kujdesi shëndetësor dhe mbrojtja sociale, shumë fëmijë – veçanërisht ata më të cenueshëm – përballen me pengesa serioze për t’i qasur këto shërbime.

    Në bashkëpunim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe duke u mbështetur në modelin e Garancisë Evropiane për Fëmijë, UNICEF ka ndërmarrë hapa për të identifikuar grupet më të rrezikuara të fëmijëve, si fëmijët romë, ata me paaftësi, dhe fëmijët nga familje me të ardhura të ulëta. Qëllimi është të vlerësohen dhe përmirësohen programet ekzistuese, për të siguruar që asnjë fëmijë të mos mbetet pas.

    UNICEF dhe autoritetet vendase po bëjnë thirrje për bashkëpunim të gjerë ndërinstitucional dhe angazhim më të madh financiar për të siguruar që çdo fëmijë në Maqedoninë e Veriut të ketë një të ardhme të sigurt dhe të barabartë.

    “Varfëria dhe përjashtimi ndikojnë ndjeshëm në jetën e fëmijëve duke penguar qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale dhe mundësitë e zhvillimit. Pavarësisht disponueshmërisë së shërbimeve themelore si kujdesi shëndetësor, arsimi dhe mbrojtja sociale, fëmijët që përballen me varfëri dhe përjashtim hasin pengesa më të mëdha për shkak se sistemet nuk janë përshtatura me nevojat e tyre”, thuhet në dokumentin e UNICEF-it.

    Duke u bazuar në modelin e Garancisë Evropiane për Fëmijë, UNICEF ka punuar me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për t’i identifikuar grupet më të cenueshme të fëmijëve dhe për t’i vlerësuar shërbimet dhe programet ekzistuese, me qëllim që ta adresojë varfërinë e fëmijëve dhe përjashtimin social.

    Ata kanë pasqyruar një përmbledhje e përshtatjeve të rekomanduara për shërbimet ekzistuese dhe shërbimet e reja, që mund të merren në konsideratë në një pako gjithëpërfshirëse.

    “Këto synojnë t’i plotësojnë dhe përmirësojnë shërbimet ekzistuese, duke garantuar mbështetje dhe mbrojtje nga shumë sektorë për secilin fëmijë, duke siguruar që asnjë fëmijë të mos lihet pas dore”, thuhet në dokumentin e UNICEF-it.

    Faktorët kryesorë për zbatimin efektiv

    Veprimet strategjike të mëposhtme rekomandohen për ta siguruar zbatim të suksesshëm dhe qëndrueshmëri të Garancisë Evropiane për fëmijë në Maqedoninë e Veriut:

    • Zhvillimi i shërbimeve të integruara: Promovimi i modeleve të shërbimeve iu lejojnë fëmijëve, veçanërisht fëmijëve romë dhe atyre me paaftësi, të kenë qasje në forma të shumëfishta të mbështetjes përmes një pike të vetme hyrjeje, siç janë kopshtet. Për shembull, këto intervenime mund të përfshijnë, ndërhyrjen e hershme, mbështetjen prindërore dhe edukimin në fëmijëri të hershëm.

    • Adresimi i pengesave financiare: Ofrimi i shërbimeve falas për familjet më të cenueshme dhe rritja adekuate e mbulimit të përfitimeve kryesore në para, siç janë asistenca për fëmijët dhe për familjet. Kjo do të ndihmojë në heqjen e pengesave financiare për qasjen në shërbime dhe për mundësimin e investimeve në kapitalin njerëzor të vendit.

    • Forcimi i shtrirjes dhe mbështetjes së specializuar: Rritja e investimeve për shtrirje proaktive dhe për ofrim të mbështetjes së synuar. Kjo përfshin fuqizimin e programeve të vizitave në shtëpi, krijimin e shërbimeve të kujdesit të përkohshme dhe përfshirjen e ndihmës-profesionistëve nga komuniteti.

     Institucionalizimi i mbështetjes së politikave dhe buxheteve: Përfshirja e ofrimit të shërbimeve gjithëpërfshirëse në kornizat e politikave nacionale dhe lokale. Për shembull, rishikimi i formulave të financimit të arsimit për të ndarë fonde për fëmijët nga familjet me të ardhura të ulëta dhe fëmijët romë.

    Masa të rekomanduara për përmirësimin e situatës

    UNICEF-i në Maqedoninë e Veriut po zbaton ekspertizën globale dhe qasjet shumësektoriale me qëllim të adresimit të varfërisë, përjashtimit dhe vështirësive të fëmijëve. Në bashkëpunim me Ministritë e Shëndetësisë; Arsimit dhe Shkencës, dhe Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, UNICEF i bashkon palët kryesore përkatëse dhe ofron mbështetje teknike për zhvillimin e iniciativës nacionale të Garancisë Evropiane për Fëmijët.

    “Ky dokument përmbledh gjetjet nga analiza, e cila i identifikon fëmijët më të cenueshëm dhe vlerëson shërbimet dhe programet ekzistuese të mbështetjes”, thuhet në dokument.

    Duke u bazuar në këto parime, mbështetja e implementimit do të vazhdojë me:

    • Krijimin e Grupit shumësektorial të punës: Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë (MPSDR) do ta udhëheqë formimin e një grupit shumësektorial të punës për ta zhvilluar Planin nacional të veprimit (PNV) me kosto të përcaktuar për zbatimin e Garancisë për fëmijë. Mes tjerash PNV do ta përfshijë një kornizë të fuqishme monitorimi dhe vlerësimi për ndjekjen e progresit dhe ndikimit.

    • Forcimi i ofrimit të shërbimeve dhe financimit: Sektorët kryesorë do ta ndërtojnë kapacitetin e ofruesve për të ofruar pako të reja ose të rishikuara të shërbimeve. Financimi do të mobilizohet përmes buxheteve qendrore dhe komunale, si dhe burimeve të jashtme, siç është Programi operacional i kapitalit njerëzor IPA III. MPSDRja ka angazhuar deri në 3 milionë euro nga ky program për shërbime të fokusuara te fëmijët, me burime shtesë të nevojshme për t’i adresuar boshllëqet në arsim dhe kujdes shëndetësor.

    • Pilotimi i Pakove të reja të shërbimeve: Modelet e rishikuara të shërbimeve do të pilotohen në komuna të përzgjedhura për t’i testuar mekanizmat e ofrimit të shërbimeve, për ta vlerësuar cilësinë dhe rëndësinë dhe për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë përpara se të shtrihet implementimi në nivel nacional.

    Pasqyra e fëmijëve që jetojnë në varfëri dhe përjashtim social në Maqedoninë e Veriut

    • 1 në 3 fëmijë jetojnë nën pragun nacional të varfërisë, gjegjësisht 79% e fëmijëve romë. 40% e të gjithë fëmijëve përjetojnë varfëri shumëdimensionale.
    • Rreth 20,000 fëmijë nuk kanë sigurim shëndetësor  efektiv (nuk kanë qasje në kujdesin shëndetësor).
    •  Vetëm 9% e fëmijëve romë dhe fëmijëve nga kuantili më i ulët 3-6 vjeç janë të regjistruar në kopshte publike,
      krahasuar me 37% të popullsisë së përgjithshme.
    •  14,000 fëmijë nuk e ndjekin mësimin në arsimin fillor, 56% e fëmijëve romë e përfundojnë arsimin fillor
      krahasuar me 94% të popullsisë së përgjithshme.
    • Mbi 22,000 fëmijë në të gjithë vendin nuk e ndjekin arsimin e mesëm të detyrueshëm.
    • 40% e fëmijëve të familjeve më të varfra dhe 50% efëmijëve me paaftësi nuk kalojnë në arsimin e mesëm të
      detyrueshëm.
    • 1 në 4 fëmijë që janë të strehuar nën kujdesin formal janë fëmijë me paaftësi.
    • 73% e fëmijëve përjetojnë disiplinë të dhunshme në shtëpi.

    Përmbledhje e barrierave të sistemit

    • Kufizimet financiare e limitojnë qasjen në arsim, në kujdes shëndetësor dhe ushqim nutritiv.
    • Infrastruktura dhe sistemimi dhe alokimi joadekuat i personelit në sektorët kryesorë paraqesin pengesë në ofrimin e shërbimeve.
    • Trajnimi i pamjaftueshëm i stafit ndikon në mbështetjen për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe nevoja të veçanta.
    • Koordinimi i dobët ndërsektorial e zvogëlon efektivitetin e integrimit të shërbimeve.
    • Procedurat komplekse dhe ndërgjegjësimi i ulët krijojnë barriera administrative në raport me qasjen në shërbime.
    • Stigma dhe diskriminimi vazhdojnë ta bllokojnë qasjen në veçanti për romët dhe fëmijët me paaftësi.
    • Mungesa e programeve për parandalimin e rikthimit dhe braktisjes së shkollës ndikon në raport me përfundimin e shkollimit.
    • Pabarazitë gjeografike shpijnë në qasje të pabarabartë në shërbime.

    Varfëria dhe përjashtimi social nuk janë vetëm çështje statistike, ato përfaqësojnë një realitet të hidhur për mijëra fëmijë që nuk mund të ushqehen mirë, nuk marrin kujdes shëndetësor adekuat dhe nuk shkojnë në shkollë. UNICEF thekson se qasja ndaj kësaj sfide duhet të jetë holistike, ndërsektoriale dhe e orientuar drejt përfshirjes së çdo fëmije, pa përjashtim.

    Lajmi Paraprak

    Bizneset në qendër të Los Angelesit vuajnë pasojat e protestave masive, frikë nga bastisjet e dhunshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë