Urrejtja etnike në RMV dominon rrjetet sociale

    Gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale është forma më e përhapur e shkeljes së të drejtave digjitale në Maqedoni. Sipas një raporti të publikuar nga BIRN nga gjithsej 144 raste të shkeljes së të drejtave digjitale në Maqedoni, në periudhën shtator 2022 deri në gusht 2023, 52 kanë përhapur gjuhë të urrejtjes dhe diskriminim, ndërsa 16 kanë qenë mashtrime kompjuterike. Kjo tregohet në raportin e ri vjetor të BIRN-it të paraqitur në Sarajevë (Bosnje dhe Hercegovinë). Raporti përshkruan situatën me të drejtat digjitale në dhjetë vende Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Rumani, Hungari, Serbi dhe Turqi.

    Në të gjithë rajonin, janë regjistruar gjithsej 1427 shkelje. Por për dallim nga vendet e tjera, ku qeveritë autokratike ishin dhunues të shpeshtë – duke heshtur, censuruar apo kufizuar aksesin në të dhëna në sferën digjitale, në Maqedoni qytetarët ishin ata që kryenin më shpesh shkeljet dhe po ashtu viktimat më të shpeshta.

    “Gjuha e urrejtjes në vend u drejtohej më së shumti pakicave kombëtare, mbi të gjitha, popullatës LGBT. Ndër mashtrimet kompjuterike, ka pasur edhe vjedhje të shpeshta të të dhënave personale me qëllim marrjen e kredive të shpejta në emër të dikujt tjetër”, vërehet në raport. Një nga problemet kryesore të identifikuara nga monitorimi i BIRN është se në të gjithë rajonin, legjislacioni nuk është në nivelin e duhur për të mbrojtur popullsinë nga shkeljet e të drejtave të tyre digjitale. Për shembull, nuk ka rregulla për të parandaluar abuzimin e inteligjencës artificiale dhe videot “deepfake”.

    “Në mungesë të rregullores, i është lënë audiencës dhe platformave të merren me këtë lloj përmbajtjeje” thonë nga BIRN. Ka raste ku rregulla të reja janë futur në disa vende, duke i lejuar qeveritë të mbyllin gojën e kritikëve dhe mediave të pavarura. “Gjatë krizave të brendshme apo zgjedhjeve, si dhe krizave rajonale dhe ndërkombëtare, numri i shkeljeve arriti kulmin”, thuhet në raportin rajonal.

    Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, nxiti fushatat e dezinformimit. Ndër të tjera, në muajin mars u publikua një video e rreme në Tik-Tok se ushtria rumune po mobilizonte njerëzit. Më pas, vrasja masive e majit 2023 në një shkollë fillore në Beograd nga një nxënës 13-vjeçar nxiti përhapjen e lajmeve të rreme. Sipas të dhënave nga raporti, çdo incident më i rëndë në botën reale është reflektuar edhe në sferën digjitale, duke shkaktuar pasoja të ndryshme.

    Ndër incidentet më të rënda të lidhura drejtpërdrejt me sferën digjitale në periudhën e monitoruar ishte rasti i një djali 22-vjeçar në Bosnje-Hercegovinë, i cili kreu vetëvrasje në tetor 2022 për shkak të ngacmimeve dhe ofendimeve në internet, si dhe vrasja e drejtpërdrejtë e partneres dhe vetëvrasja në Instagram. BIRN ka monitoruar situatën e të drejtave digjitale që nga viti 2020, në bashkëpunim me Fondacionin Cher nga Beogradi. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Shkaktari kryesor i sëmundjes së diabetit

    Lajmi i rradhës

    Sa të sigurta janë ilaçet pas skadencës?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë