Valdetja, gruaja nga Shkupi që ka për qëllim vetëm suksesin!

    “Në momentin që guxova të dal nga zona e komforit, suksesi ishte i pashmangshëm, pavarësisht se biznesin tim e kam hapur gjatë pandemisë”, thotë Valdete Feta, e cila ka marrë çmimin për udhëheqjen e biznesit më të suksesshëm për vitin 2023 nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore në mesin e 100 kompanive të mira.

    Valdete Feta është me profesion farmaciste, dhe për disa vite ka punuar si profesoreshë në shkollën e mesme të mjekësisë në Shkup. Gjatë pandemisë, siç thotë ajo, ka vërejtur se jeta jo e shëndetshme paraqet rrezik për çdo moshë dhe pikërisht në këtë kohë kur bizneset luftonin për të mbijetuar, ajo hapi kompaninë për dobësim dhe trajtim të obezitetit (Kenda Center).

    “Dëshira e madhe e imja është që ta hap një spital timin privat. Megjithatë, biznesin që e menaxhoj është mes asaj humanes dhe estetikës dhe njëkohësisht është biznes që unë si femër jo vetëm që arrij të mbijetoj, por mund të zgjeroj veprimtaritë”, thekson Valdete Feta, e cila sapo ka shkelur të tridhjetat.

    Menaxhimi i bizneseve, pavarësisht se cilit profil i takon, sipas saj, për fat të keq në Maqedoninë e Veriut ende konsiderohet punë për burra:

    “Duke qenë të vetëdijshëm se kemi shumë lloje të rreziqeve në të bërit biznes, unë duke i marrë të gjitha ato rreziqe, kam qenë këmbëngulëse dhe e bindur se mund të ballafaqohem me to”.

    Në sallonin për trajtimin e mbipeshës që drejton Valdeta Feta, pavarësisht se ofrohen shërbime si për gra e vajza ashtu edhe për meshkuj, që të gjithë të punësuarit në kompaninë e saj janë femra.

    “Modelimi i trupit kërkon shumë durim, guxim, vullnet të çeliktë dhe mbi të gjitha suptilitet (ndjeshmëri) dhe këto karakteristika i kanë më të theksuara gratë”, thotë ajo.

    Valdete Feta është nënë vetushqyese e një djali të vogël. Kjo, thotë Feta, nuk e bën të dobët, por përkundrazi edhe më të fortë dhe i jep edhe më shumë motiv për të sfiduar veten në biznes, duke shtuar se së shpejti do të prezantojë dhe biznesin e dytë të saj duke mos dashur të zbulojë më shumë.

    Ndryshe, në qytetin e Shkupit si bartëse të pronës janë rreth 30 për qind e grave, ndërsa në qytetet e tjera kjo përqindje është nën 20 për qind. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Në Tetovë ndërtohet kush si t’ia dojë qejfi!

    Lajmi i rradhës

    Për sa kohë duhet t’i ruani në frigorifer ushqimet që ju kanë tepruar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë