Në Tetovë ndërtohet kush si t’ia dojë qejfi!

    Që nga fundvitet e 90-ta e këndej, në Tetovë është ndërtuar gjithandej. Kush, si ka dashur ka ndërtuar dhe për këtë ka shpëtuar siç thotë populli pa asnjë therë në këmbë. Por, fokusi më i madh i ndërtimeve ka qenë në pjesën qendrore, si dhe në pjesën afër dy universiteteve. Me qindra ndërtesa kolektive u ndërtuan pa ndonjë plan të veçantë zhvillimor të qytetit, por investitorët që kryesisht ishin mërgimtarë, aty ku gjenin ndonjë tokë të lirë, menjëherë ndërtonin. Dhe ky avaz apo vërshim i ndërtimeve vazhdoi edhe më tej deri në ditët e sodit. Falë këtyre ndërtimeve pushteti lokal në Tetovë ka mbushur buxhetin e tij. Por, edhe pse arkëtohen shuma të mëdha të parave për komunën, nga ana tjetër qyteti është ngulfatur. Gjithnjë e më pak hapësira ka për gjelbërim, rekreim, kënde për lojra, fusha të hapura sportive e kështu me radhë.

    Për këtë ngufatje të qytetit, pyetëm kryetarin e komunës së Tetovës Bilall Kasami, se pse nuk ndalohen ndërtimet në pjesën e qytetit dhe të mendohet për një zgjerim tjetër, sidomos në pjesën afër zonës ekonomike. Arsyetimi i tij është se Tetova, tash e 13 vite nuk ka plan gjeneral urbanistik, ndërsa pa këtë plan vështirë se mund të planifikohet një zgjerim i qytetit. Sipas tij, Plani Gjeneral dhe Planet Detale, janë parakushte kryesore për zhvillimin e qytetit. Ai pranon se këta ndërtime janë bërë pa respektuar standardet e ndërtimit.

    “Në pjesën qendrore të qytetit, nga Posta e deri tek rrethrrotullimi afër stadiumit të qytetit, është pjesa më e pazhvilluar e qytetit dhe aty me planifikimin e katër blloqeve urbane ose gjashtë blloqe me pjesën tek stadiumi, ne parashohim që t`i japim zhvillim asaj pjese dhe mund të ndërtohet në bazë të standardeve të planifikimit dhe ndërtimi. Momentalisht e kemi pezulluar përkohësisht planin për bllokun urban A 57 (ish Shik Jellak) dhe nëse pezullohet përfundimisht atëherë ne do të përpilojmë plan të ri urbanistik, që do të shtrohet deri tek zona industriale dhe kjo do të jetë një mundësi e mirë për zhvillimin e qytetit”, tha kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

    Tashmë në pjesën qendrore është stërmbushur me ndërtesa, kurse në anën tjetër në mungesë të tokës së lirë ndërtimore, rrënohen shtëpi dhe aty ndërtohen ndërtesa të reja. Tetova, në këtë mënyrë është bërë një qytet i ndërtesave shumëkatëshe dhe jo një qytet i mirëfilltë i zhvilluar. Kjo situatë ka ndikuar që brenda 30 viteve, vetëm dy bulevarde të reja të ndërtohen, respektivisht bulevardi “Ilinden” dhe “Bllagoja Toska”.

    Pikërisht ndërtimet pa ndonjë plan të mirëfilltë e kanë shndërruar Tetovën në një qytet ku e gjithë jeta zhvillohet në pjesën qendrore, me mijëra qytetarë qarkullojnë qoftë në këmbë qoftë me automjete vetëm në pjesën qendrore dhe këtu gjithçka fillon dhe mbaron kur bëhet fjalë për Tetovën. Kurse, sa i përket planit gjeneral urbanistik, Tetova tashmë 13 vite është një plan të tillë, shkaku i vonesave të shumta dhe se kur do të ketë një plan të ri nuk ka afat të caktuar dhe nuk dihet kur do të sillet i njëjti. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Ndotja e ajrit nuk e ndalë ministren e Mjedisit që të shkojë në punë me veturë

    Lajmi i rradhës

    Valdetja, gruaja nga Shkupi që ka për qëllim vetëm suksesin!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë