Nxehtësia e verës ul produktivitetin e punëtorëve. Këtë e konstaton një raport i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP). Sipas raportit, temperaturat mbi 24–26 gradë Celsius shoqërohen me ulje të produktivitetit. Në temperatura prej 33–34 gradësh Celsius, një punëtor mund të humbasë deri në 50 për qind të kapacitetit të tij për punë, shkruan Faktor, përcjell Nistori.
Ekspozimi ndaj temperaturave tepër të larta mund të shkaktojë goditje nga nxehtësia, e cila në raste të rënda mund të ketë edhe pasoja fatale.
Punëtorët në të gjithë sektorët mund të preken, por disa profesione janë veçanërisht të rrezikuara, pasi kërkojnë sforcim më të madh fizik ose puna kryhet në ambiente të hapura. Në këtë kategori përfshihen kryesisht punëtorët në bujqësi, ndërtim, grumbullimin e mbeturinave, transport, turizëm dhe sektorë të tjerë. Në rrezik janë gjithashtu punëtorët industrialë që punojnë në ambiente të mbyllura me temperatura të larta.
Orari fleksibël i punës dhe pushimet më të shpeshta konsiderohen ndër masat që mund të ndihmojnë në zvogëlimin e pasojave nga ekspozimi ndaj nxehtësisë.
„Produktiviteti bie sepse, në temperatura të larta, presioni i gjakut ulet, muskujt relaksohen dhe bie edhe përqendrimi. Nëse njerëzit ndiejnë simptoma, nuk duhet të presin. Nëse ndihen të dobët, duhet të reagojnë menjëherë dhe t’i ndjekin rekomandimet. Duhet të konsumojnë ushqim të lehtë dhe të pinë lëngje. Personat me sëmundje kronike janë veçanërisht të rrezikuar“, thotë Jasminka Petrushevska, mjeke e përgjithshme.
Gjatë valëve të të nxehtit, njerëzit mund të përjetojnë gjithashtu të ashtuquajturën „mjegull të trurit“, vështirësi në fokusim dhe ulje të përqendrimit.
„Është normale që nxehtësia të ndikojë te njerëzit. Vera është shumë e nxehtë, veçanërisht këto ditë. Njerëzit janë vërtet disi më të shqetësuar, ndërsa me ardhjen e shtatorit bëhen më të qëndrueshëm. Vera ndikon edhe në shëndetin mendor“, thotë psikologia Ildita Biljali.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, humbjet ekonomike si pasojë e stresit nga nxehtësia në vendin e punës vlerësoheshin në 280 miliardë dollarë amerikanë në vitin 1995, ndërsa parashikohet që kjo shifër të arrijë në 2.4 trilionë dollarë deri në vitin 2030.
Stresi nga nxehtësia është më i përhapur në vendet ku ka mungesë të kushteve të denja të punës. Në përgjithësi, vendet më të prekura nga stresi termik kanë nivele më të larta të varfërisë dhe të punësimit informal.
Disa nënrajone janë më të rrezikuara nga pasojat negative të ngrohjes globale. Azia Jugore dhe Afrika Perëndimore pritet të jenë ndër rajonet më të goditura.
Sipas një skenari të ngrohjes globale me 1.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit, stresi nga nxehtësia në këto dy nënrajone pritet të shkaktojë, deri në vitin 2030, humbjen e 5.3 për qind dhe 4.8 për qind të orëve të punës. Kjo korrespondon me rreth 43 milionë vende pune me orar të plotë në Azinë Jugore dhe rreth 9 milionë në Afrikën Perëndimore. /Nistori/






