“VAR institucional” për stadiumin nga Qeveria, Kasami thotë se megjithatë do të ndërtohet

    Edhe pse Qeveria “i dha karton të kuq” për rindërtimin e stadiumit të qytetit në Tetovë, kryetari Bilal Kasami nuk planifikon t’i ndalë aktivitetet. Në hetimin e rastit janë përfshirë disa institucione shtetërore për të përcaktuar ligjshmërinë e procedurës për ndërtimin e stadiumit. Nëse përcaktohet se procedura është e paligjshme, Qeveria propozon edhe përgjegjësi penale.

    Stadiumi i qytetit në Tetovë është vënë në përdorim në vitin 1981. Në ndërtimin e tij ka marrë pjesë babai i Gjorgi Strezovski, atëherë punëtor i fabrikës “Teteks”. Punonjësit e kësaj kompanie kontribuan që Tetova të bëhet me stadium me kontribut personal.

    Por 44 vjet pas ndërtimit të tij, stadiumi është lënë në “dhëmbët e kohës”, thotë Strezovski.

    “Infrastruktura nuk është e mirë. Rreth e rrotull ka mbeturina, biznese të egra, nuk mund të kalosh as stadiumin. Personalisht, rrallë kam qenë në stadium. Fëmija im është 8 vjeç, i pëlqen të shkojë të shohë. Shkupi është larg nesh, me turne, me detyrime, me punë. Nëse do të kishte një stadium këtu më afër, do të ishte ndryshe. Mendimi im është që stadiumi të ndërtohet. Prej vitesh qëndron i paprekur, ka filluar të rrënohet. Është e rëndësishme të kesh diçka të re. Edhe përfaqësuesja e jonë ndoshta mund të luajë”, thotë Strezovski për Radion Evropa e Lirë.

    Në stadiumin e qytetit në Tetovë luan klubi futbollistik Shkendija, e cili është katër herë kampion e Ligës së Parë të Maqedonisë në futboll dhe dy herë fitues i Kupës së Maqedonisë.

    Fatih Huseini ka një lidhje të gjatë me stadiumin. Edhe emocionale edhe profesionale. Ai është trajner i shkollës së të rinjve të akademisë së Shkendijës.

    “Për gati 44 vjet nuk është bërë asgjë, ai stadium është shumë i rëndësishëm sepse Tetova ka shumë talent futbolli, e ne nuk kemi kushte. Nuk jam i kënaqur me momentin që do të ndërtohet për tre vjet, kjo është periudhë e gjatë. Shkëndija ishte edhe kampione e Maqedonisë dhe nuk ka ku të luajë ndeshjet ndërkombëtare. Ne luajmë ose në Shkup ose në Strumicë”, thotë Huseini.

    Sukseset sportive të qytetit të Tetovës janë përgjithësisht nga aspekti futbollistik, thotë gazetari vendas Zoran Dimovski. Por zhvillimet e fundit mes Qeverisë dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, ai i vlerëson si PR politik.

    “Komuna e Tetovës është 8 milionë në borxh, ndërsa edhe ndërmarrjet komunale kanë 8 milionë euro borxh, pra gjithsej 16 milionë euro. Unë besoj se komuna nuk duhet të marrë pjesë në një investim të tillë. Po, duhet të ketë një stadium, por ato para duhet të drejtohen për gjëra të tjera. Për shembull, për rindërtimin e rrjetit të ujësjellësit të qytetit, për ndërtimin e një parku do të ndaheshin shumë më pak para për këtë”, thotë Dimovski.

    Stadiumi i qytetit të futbollit në Tetovë është i dyti më i madhi në Maqedoni me një kapacitet prej rreth 20 mijë shikues. Stadiumi ka katër tribuna, njëra prej të cilave aktualisht është në fazën e rrënimit për shkak të rikonstruksionit.

    “VAR institucional” për Kasamin

    Teknologjia e VAR-it është përdorur prej kohësh në futboll. Gjyqtarët e ndeshjeve e përdorin atë për të kontrolluar rregullsinë e vendimeve, golave, penalltive dhe pozicioneve jashtë loje.

    Në stadiumin e qytetit në Tetovë për momentin nuk luhet futboll, sepse është në rikonstruksion. Rindërtimi i stadiumit është arsyeja që Qeveria shpalli “VAR institucional” në të cilin janë përfshirë disa institucione shtetërore – të kontrollohet ligjshmëria e gjithë procedurës dhe përderisa nuk ka zgjidhje ligjore, ka marrë vendim që ndalon ndërtimin dhe rinovimin e stadiumit.

    “Qeveria ka vendosur t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me rekomandim, për të marrë parasysh urgjencën e kësaj çështjeje dhe për të vendosur për nismën e paraqitur për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së procedimit në të. Qeveria konstatoi gjithashtu se duhet të shqyrtohen bazat ligjore, sipas Kodit Penal, për inicimin e kallëzimit përkatës tek organet kompetente për këtë rast”, thuhet në vendimin e seancës së qeverisë të mbajtur më 21 maj.

    Për vendimin e qeverisë ka reaguar kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Ai planifikon t’i shpërfill rekomandimet e Qeverisë, duke thënë se stadiumi do të ndërtohet.

    “I garantoj të gjithë qytetarët dhe institucionet se të gjitha procedurat janë të bazuara në ligj, stadiumi i jepet Komunës së Tetovës në shfrytëzim të përhershëm. Nuk po e ndërrojmë destinacionin, nuk po e rrënojmë stadiumin, por aty po ndërtojmë stadium të ri, i cili do të rrisë vlerën e pronës shtetërore që menaxhohet nga Komuna e Tetovës. Fatkeqësisht, kemi dyshime të bazuara se kjo qeveri në largim, nën presionin e Artan Grubit, ka dashur që objektin e stadiumit të Tetovës t’ia japë një bastoeje, për të bërë kazino”, tha Kasami.

    Kryetari i Komunës së Tetovës thotë se “Tetova Transport” është e obliguar vetëm ta ndërtojë stadiumin dhe se asaj nuk i është dhënë në shfrytëzim.

    “Nuk kemi ndërruar pronësinë e stadiumit, Komuna e Tetovës është ende shfrytëzuese. Kompania është e detyruar të rinovojë stadiumin, pas të gjitha procedurave është shpallur edhe thirrja dhe tenderi. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Byronë e Prokurimit Publik”, tha Kasami.

    Si filloi gjithçka?

    Qeveria e ka dhënë mendimin për rindërtimin e stadiumit në Tetovë pas kërkesës së mëparshme të Gjykatës Kushtetuese. Darian Sotirovski nga Tetova, i cili është edhe drejtor i Komisionit për bashkësi fetare, para këtij institucioni ka paraqitur iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit të Këshillit të Komunës së Tetovës.

    Sipas Sotirovskit, Këshilli i Komunës së Tetovës ka marrë vendim të kundërligjshëm që bie ndesh me Ligjin për shfrytëzimin dhe disponimin e sendeve shtetërore dhe komunale. Sipas tij, Këshilli ia ka dhënë stadiumin e qytetit në Tetovë në shfrytëzim të përhershëm Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, ndonëse vetëm Qeveria ka kompetencë për t’i dhënë të drejta shfrytëzuese për pronat shtetërore.

    “Problem tjetër është se aktualisht nuk ka asnjë Leje ndërtimi, asnjë Vendim prishjeje, dhe nuk ka raporte përkatëse. Është lëshuar vetëm Vendim për punët përgatitore të investitorit “Tetova Transport”, e cila nuk ka të drejtë shfrytëzuese të bazuar në ligj, dhe e cila përfshin vetëm rrethimin e objektit dhe vendosjen e objekteve ndihmëse”, thotë Darian Sotirovski për REL.

    Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, duke qenë se Qeveria i ka drejtuar rekomandim këtij institucioni, “të merret parasysh urgjenca e këtij rasti dhe të merret vendim”. Nga Gjykata Kushtetuese thonë se janë duke punuar për iniciativën e dorëzuar.

    “Lënda është në fazën e procedurës paraprake dhe trajtohet sipas procedurave të biznesit. Komunës së Tetovës si bartës i aktit i është dërguar kërkesë, janë duke u mbledhur të gjitha të dhënat e nevojshme. Sipas Rregullores, gjykata kur mbledh informacione për një rast, gjithmonë kërkon mendim nga autoriteti që e ka marrë vendimin”, kanë thënë për REL nga Gjykata Kushtetuese.

    Dokumentacione për rastin mbledh edhe Prokuroria e Shtetit, e cila është duke vepruar sipas ankesës së Sotirovskit.

    Nga Prokuroria për REL thanë se presin veprim me iniciativën nga Avokatia rajonale në Tetovë, e cila tashmë ka kërkuar dokumentet pronësore nga Agjencia e Kadastrës për vendin ku ndodhet stadiumi, si dhe vendimin e publikuar në Gazetën Zyrtare, me të cilin menaxhimi i stadiumit transferohet nga Komuna e Tetovës tek NP “Tetova Transpor”.

    Edhe pse kërkuam përgjigje edhe nga Inspektorati Shtetëror i Ndërtimtarisë dhe Urbanizmit, nuk morëm përgjigje për atë se çfarë kanë ndërmarrë për këtë rast.

    Ndryshe, më 18 mars, Komuna e Tetovës përmes NP “Tetova Transport” ka lidhur marrëveshje me kompaninë “E – Properties” për rindërtimin e stadiumit të qytetit, qendrës sportive dhe fushës së futbollit. Vlera e kontratës është 11.5 milionë euro dhe e ka fituar një kompani në pronësi të “Ecolog International”, kompani që ishte e lidhur (in)direkt me fabrikën e prodhimit të makinave elektrike.

    Një kontroll në bazën e të dhënave të “Rrjetit të Biznesit” tregon se kompania është themeluar në gusht 2020 me një kapital themelues prej 26,333,939 euro. Kompania është në pronësi të “Ecolog International FZE”. Në kohën kur u themelua kompania, pronar ishte Lazim Destani, familja e të cilit zotëron kompaninë ndërkombëtare “Ecolog”.

    Sipas kontratës së publikuar nga Byroja e Prokurimit Publik, afati për të cilin duhet të përfundojnë punimet ndërtimore është tre vjet. Siç sqarojnë nga Komuna e Tetovës, pas kësaj periudhe paratë do t’i paguhen kompanisë.

    Edhe Komuna e Tetovës si investitor edhe kompania publike “Tetova Transport”, e cila do ta zbatojë tenderin për rindërtimin e stadiumit të qytetit dhe objekteve tjera sportive, janë në borxhe.

    Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave për tremujorin e fundit të vitit 2023, Tetova është komuna me më shumë borxhe në Maqedoninë e Veriut me obligime të papaguara prej 513.544.758 denarë ose 8.350.321 euro.

    Borxhi i NP “Tetova – Transport” deri në mars të vitit 2024 është 1.430.925 denarë ose 23.267 euro.

    Lajmi Paraprak

    Fronti Europian dhe LSDM me mandate të barabarta, cila është forca e dytë politike

    Lajmi i rradhës

    Spasovski: sjellja e partnerit të koalicionit, ka ndikuar në rezultatin e keq zgjedhor të LSDM-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë