Vazhdon problemi me mbeturinat në komunën e Zhelinës, kryetari Blerim Sejdiu ndërpret kontratën për shkak të mospërmbushjes së obligimeve kontraktuese

    Gazetar | Emir Hamzi

    Komuna e Zhelinës ka deponi në fshatin Debërcë, por nuk është si duhet funksionale. Banorët e komunës së Zhelinës ankohen për mosgrumbullimin e mbeturinave dhe si pasojë janë krijuar deponi të vogla ilegale, pothuajse në çdo fshat të komunës. Afro tre javë kompania kontraktuese nuk vjen të mbledh mbeturinat dhe banorët kanë frikë se në kohë pandemie mos të ndodh edhe ndonjë gjë më e keqe.

    “Nuk kemi ku t’i hedhim mbeturinat. Janë bërë tre javë dhe kontejnerat janë stërngarkuar dhe detyrohemi t’i hedhim në Tetovë, sepse këtu vijnë qentë dhe i derdhin nga kontejneri.” – shprehet banori i fshatit Zhelinë i cili kërkoi nga Nistori që të mbetet anonim.

    “Kohë pandemie dhe të ndodh kjo gjë, nuk mund ta kuptoj. Nuk është hera e parë që komuna nuk i mbledh mbeturinat.” – shprehet ish-kryetari i bashkësisë lokale të fshatit Strimnicë Qenan Iseni.

    Nistori e kontaktoi edhe kompaninë kontraktues ShT “Goni Magacin” që grumbullon mbeturinat e komunës së Zhelinës, se cila është arsyeja që nuk pastrohen mbeturinat. Ai thotë se ka marrë një letër nga kryetari i komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu ku njoftohet për prishje të kontratës për koncension para kalimit të afatit për shkak të mospërmbushjes së obligimeve kontraktuese.

    “Arsyeja e mos grumbullimit të mbeturinave është për shkak të kryetarit të komunës së Zhelinës, sepse na ka dërguar dokument për prishjen e koncensionit tonë. Arsyen e din ai vet.” – deklaron Milaim Shabani, pronar i kompanisë.

    Ndryshe, komuna e Zhelinës thotë se problemi është tek këshilltarët komunal. Nga atje thonë se është ofruar zgjidhje e problemit, por fatkeqësisht këshilltarët nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim nuk e votuan propozimin e kryetarit, pra, sipas tyre nuk arritën të tejkalojnë inatet politike duke vendosur para interesit qytetarë interesin partiak.

    “Mbeturinat kanë qenë çështje e ndjeshme prej shumë kohësh, dhe për krejt komunat e Rajonit të Pollogut, si dhe për komunën e Zhelinës. Në këshillin paraprak, kemi ofruar zgjidhje të problemit, por fatkeqësisht këshilltarët nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim nuk e votuan këtë propozim timin si kryetar komune, pra, nuk arritën të tejkalojnë inatet politike duke vendosur para interesit qytetarë interesin politik dhe partiak. Dhe kjo, e vështirësoi ende më shumë këtë problematikë, duke e vendosur komunën dhe qytetarët në krizë ende më të thellë të menaxhimit me mbeturinat. Ata e kishin zgjidhjen në formë të shkruar para syve, me studim të fizibilitetit dhe ide konkrete, por përsëri nuk e morën parasysh këtë. Që në ato momente ua tërhoqa vërejtjen se mosvotimi nënkupton thellim të krizës me mbeturinat dhe kjo do të shkaktojë pakënaqësi tek qytetarët, pra i luta që të mos harrojnë se ne jemi këtu për t’iu shërbyer qytetarëve e jo inateve politike.” – deklaron Sejdiu për Nistori.

    Ai shton, se në mandatin e dytë këtë plan ideor do ta propozojë përsëri në këshillin e ri të komunës së Zhelinës, ku edhe shpreson se do të pranohet nga përbërja e re këshilltarëve.

    Nistori më herët njoftoi opinionin publik se shumë ndërmarrje publike të komunave në Pollog si dhe kompanitë të cilët janë të angazhuara për bartjen e mbeturinave, nuk i dërgojnë në Rusino apo Drislla të Shkupit, por nëpër gropa dheu apo nëpër fushat e Pollogut. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    S’ka ende përgjigje për shkaqet e zjarrit tragjik në Tetovë

    Lajmi i rradhës

    Pas publikimit të videos skandaloze, jep dorëheqje bashkëpunëtorja e Boris Johnsonit: Do të pendohem gjatë gjithë jetës sime (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë