Veç Dibra e paguan zjarrfikësin, komunat tjera kërkojnë shërbim pa pagesë

    Njësia e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Dibër, edhe në Ditën e Zjarrfikësve – 20 maji 2025 – e shënoi me shumë suksese, por edhe me probleme të cilat vazhdojnë prej vitesh. Edhe pse përballet me një park automjetesh të vjetruar dhe vështirësi financiare, ajo me sukses dhe përkushtim realizon aktivitetet e saj. Njësia gëzon gjithashtu përkrahje të madhe nga pushteti vendor i Dibrës. Megjithëse financohet kryesisht nga Komuna e Dibrës dhe një pjesë nga institucionet qendrore, kjo njësi kryen shërbime edhe për komunat fqinje rurale – Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë – pa marrë asnjë kompensim financiar nga to. Deri tani, asnjëra prej këtyre komunave nuk ka kontribuar financiarisht, ndonëse përfitojnë shërbimet e plota të Njësisë Kundër Zjarrit.

    Sipas drejtuesve të Njësisë, pavarësisht problemeve me automjetet, disa prej të cilave datojnë që nga vitet ’70, intervenimet për shuarjen e zjarreve kanë qenë mjaft të suksesshme. Komandanti i Njësisë, Xhetan Miftaroski, deklaroi për gazetën Koha se të 14 zjarrfikësit e punësuar janë profesionistë të kualifikuar edhe në fushën e shpëtimit.

    “Intervenimet janë në kohë dhe falë reagimit tonë të shpejtë, janë shpëtuar shumë objekte dhe pasuri që përndryshe do të pësonin dëme më të mëdha. Komuna Dibër ka kontribuar nëpërmjet projekteve për sanimin dhe renovimin e objektit tonë, që dikur ishte në prag të rrënimit. Tashmë kemi kushte të mira pune. Është fakt se automjetet janë shumë të vjetra, por po punohet edhe me pushtetin vendor për të siguruar një autobot (cisternë), që do të përmirësonte ndjeshëm situatën,” u shpreh Miftaroski.

    Ai shton se, edhe pse njësia ofron shërbime për tre komuna, vetëm Komuna Dibër mbulon shpenzimet.

    “Ka vite që ofrojmë shërbime në Qendër Zhupë dhe në zonën e Rekës së Poshtme në Komunën Mavrovë-Rostushë, por këto komuna nuk paguajnë për shërbimet tona. Kemi patur takime të përbashkëta me kryetarin e Dibrës dhe me kryetarët e dy komunave të tjera, por situata mbetet e pandryshuar. Ndoshta do të jetë gjykata ajo që do të zgjidhë këtë çështje”, shtoi ai.

    Edhe në Komunën e Dibrës vlerësohet puna e njësisë si shumë e suksesshme. Kryetari i komunës, Hekuran Duka, ka deklaruar disa herë para anëtarëve të Këshillit Komunal se ekzistojnë probleme me financimin, pasi komuna mban barrën kryesore të pagesës së rrogave të zjarrfikësve, me një pjesë të vogël të mbuluar nga institucionet qendrore, ndërsa komunat rurale fqinje që marrin shërbime nuk kontribuojnë.

    “Bisedime janë bërë disa herë, por problemi ende mbetet i pazgjidhur. Ndoshta është i domosdoshëm një proces gjyqësor”, ka deklaruar Duka.

    Çështja është diskutuar edhe në nivel të Shoqatës së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale në RMV.

    Për periudhën janar-maj 2025, Njësia kundër zjarrit ka realizuar 42 intervenime, nga të cilat 23 për shuarjen e zjarreve në hapësira të hapura, 11 në objekte dhe 6 ndërhyrje teknike. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur ishin regjistruar 33 intervenime, numri është rritur ndjeshëm. Njësia e Dibrës, në bashkëpunim me pushtetin vendor, ka intervenuar gjithashtu edhe në vendbanime të Shqipërisë pranë kufirit, në raste zjarresh, duke treguar përkushtimin dhe profesionalizmin përtej kufijve administrativë.

    Lajmi Paraprak

    Punëtori në RMV 12 herë i nënvlerësuar krahasuar me atë të Europës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë