Kontesti RMV – Bullgari në ngërç

    Politologu Deniz Memedi thotë se pavarësisht rezultatit dhe formimit të qeverisë së mundshme, nuk do të ketë ndryshime spektakolare për sa i përket pozicioneve të Bullgarisë në drejtim të Maqedonisë së Veriut rreth hapjes së negociatave për anëtarësim në BE. Madje, rezultati i zgjedhjeve në Sofje tregon se Bullgaria do të shkojë sërish në zgjedhje, ndërsa kontesti me Maqedoninë as në dhjetor nuk do të mund të zgjidhet.

     Rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Bullgari dhe deklaratat e bëra më parë nga politikanët e atjeshëm, nuk premtojnë një zhbllokim të afërt të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, por e komplikojnë edhe më shumë situatën sepse pa një qeveri të qëndrueshme në vendin fqinj, Maqedonia e Veriut nuk ka me kë të negociojë për tejkalimin e problemit që e imponoi Sofja. Përkundër faktit se vendi i vendosi të gjitha shpresat e saj tek qeveria e re bullgare, tani situata mbetet e njëjtë si më parë, pa një perspektivë të qartë. Lideri i “Ekziston një popull i tillë”, Sllavi Trifonov, veçmë paralajmëroi formimin e një qeverie të pavarur, pa marrë parasysh rezultatit të ngushtë me GERB, duke e zbuluar edhe emrin e ekonomistit Nikolaj Vasilev si kryeministër i ardhshëm bullgar. Nga ana tjetër, as GERB nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga formimi i qeverisë, prandaj është më se e qartë se pa marrë parasysh se kush formon qeverinë, nuk do të ndryshon qëndrimi ndaj Maqedonisë së Veriut, sepse gjithë politikanët bullgarë, pa përjashtim, paralajmëruan se nuk do të lëshojnë pe nga pozicionet e deritashme bullgare.

    Trifonov ende pa u certifikuar rezultatet ka paraqitur një kabinet qeveritar, ndërsa në paraqitjen e parë, në prioritetet e punës së tij ka përmendur edhe Maqedoninë e Veriut, përkatësisht në “dërgimin në gjithësi edhe të një maqedonoveriori së bashku me dy astronautë bullgarë”. “Do të paraqes kërkesën për anëtarësimin e Bullgarisë në Agjencinë Evropiane të Hapësirës sepse vetëm Bullgaria nuk është anëtare e saj. Unë do të bëj gjithçka që është e mundur për të dërguar një burrë dhe një grua, që do të jenë astronautët e parë bullgarë në NASA (Administrata kombëtare e SHBA-së për Aeronautikë dhe Hapësirës). Unë do të bëj gjithçka që është e mundur që edhe një astronaut maqedonoverior t’i bashkohet atyre. Të mos e ulim kokën poshtë nga turpi, por të fillojmë të shikojmë yjet”, ka thënë Trifunov.

    Deklaratat e fundit që vijnë nga Sofja janë vetëm konfirmim se Maqedonia e Veriut kot shpresonte për një marrëveshje me Bullgarinë pas zgjedhjeve dhe se presidenca sllovene me BE-në vështirë se do të jetë në gjendje të gjejë një bashkëbisedues në Sofje që mund të merrte vendime të guximshme. Ndërkohë, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev pret formimin e një qeverie politike në Sofje për shkak të, siç thotë ai, nevojës së qytetarëve bullgarë, por edhe sepse ne presim një hap përpara në zgjidhjen e problemit. Sidoqoftë, sipas analistëve, shanset për të ndryshuar qëndrimin e Sofjes ndaj Shkupit në lidhje me miratimin e kornizës sonë të negociatave dhe fillimin e negociatave deri në fund të vitit janë jashtëzakonisht të vogla, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Bullgari të dielën, të dytat në vetëm tre muaj, sipas rezultateve paraprake, ato kanë pothuajse të njëjtin rezultat si zgjedhjet e prillit, pas të cilave askush nuk arriti të formonte qeveri.

    “Pavarësisht rezultatit dhe formimit të qeverisë së mundshme, nuk do të ketë ndryshime spektakolare për sa i përket pozicioneve të Bullgarisë në drejtim të Maqedonisë së Veriut rreth hapjes së negociatave për anëtarësim në BE. Mundë të ndodhë repriza e njëjtë si me rastin e Greqisë ku vite të tëra zhvilloheshin negociata, dhe në fund u deshtë që lidershipi Maqedonas të bëjë kompromis me ndërrim të emrit dhe të zhbllokohet procesi integrues. Edhe me rastin e Bullgarisë pritet të ndodhë i njëjti skenar. Do të zhvillohen bisedime derisa Maqedonia e Veriut nuk dorëzohet përpara kërkesave të Bullgarisë, ose përndryshe nuk do të ketë negocim për integrim në BE”, ka deklaruar, Deniz Memedi, politolog.

    Drejtori i Institutit për Demokraci, Marko Troshanovski, vlerëson se Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar në rrugën e integrimit evropian. “Rezultatet e zgjedhjeve në Bullgari ishin të pritshme. Sipas meje është e mundur të kemi dy skenare, ose të mos formohet qeveria ose përsëri të shkohet në zgjedhje ose Trifonov të formon një qeveri të pakicës që nuk ka kapacitet koalicionues. Një qeveri e tillë në vete përfshinë interesa të ndryshme politike të partive që do të ishin pjesë e qeverisë dhe gjithë kjo do të ishte shumë e përzier. Nëse më herët arsyeja për moszgjidhjen e problemit me Maqedoninë ishte qeveria teknike, tani do të jetë qeveria e pakicës, pa ndonjë pozicion solid në çështjen me Maqedoninë, dhe në këtë kuptim jam pesimist se gjatë kohës së presidencës sllovene me BE-në, do të zgjidhet problemi”, thotë Troshanovski. Ndryshe, Bullgaria heqjen e vetos e kushtëzon me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për gjuhën maqedonase, identitetin dhe aspekte të tjera historike, me pretendimet se ato kanë prejardhje bullgare. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga institucionet maqedonase, ndërsa partia kryesore opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE kërkon që “vijat e kuqe” apo refuzimi i çdo kompromisi për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin, të zyrtarizohet përmes një rezolute që ka paraqitur për votim në Parlament./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    “Trashëgimia e Ohrit”, kapitull i ri me Shqipërinë

    Lajmi i rradhës

    Skuterët elektrik | Policia kërkon më shumë kujdes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë