Ramiz Merko me gjasë do ta mësojë vendimin e gjyqit në qershor për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në disa shkolla fillore në fshatrat Podgorc, Llabunishtë, Radolishtë, Veleshtë dhe Vëllezërit Milladinov në Strugë.
Paraprakisht, Merko dhe avokatët e tij do të duhet të paraqesin mbrojtjen e tyre, tha gjykatësi Jordan Jovanov. Ai dje informoi se në qershor do të merret aktgjykimi edhe për blerjen e kontestuar të makinës luksoze Audi A6.
Ndonëse seanca e sotme për shkollën e fshatit Veleshtë u shty për shkak të mosparaqitjes së njërit prej dëshmitarëve për arsye shëndetësore, për rastet e tjera ata u sollën me ndihmën e policisë, pasi në seancën e kaluar nuk u paraqitën në gjykatë.
“Kemi arritur në atë fazë të procedurës, kur tashmë e kemi përfunduar listën e provave. Na ka mbetur edhe ky dëshmitar dhe tashmë i kam njoftuar palët se në seancën e ardhshme ky dëshmitar dhe të akuzuarit do të dëgjohen dhe do të përmbyllet lënda”, tha Jordan Jovanov- gjykatës.
Merko akuzohet se ka emëruar drejtorë jashtë ligjit për arsimin fillor, të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret e duhura për këtë, gjegjësisht nuk e kanë dhënë provimin shtetëror për drejtor, nuk kanë poseduar certifikatë për njohjen e gjuhës angleze dhe nuk kanë qenë nga radhët e të punësuarve. Për shkollën fillore në Veleshtë ka dy vepra penale- punë të pandërgjegjshme dhe falsifikim të dokumenteve. Katër persona janë akuzuar, mes tyre edhe ish u.d drejtoresha Egzona Shei, e cila akuzohet për falsifikim të dokumentit.
“Dikush ndiqet penalisht për falsifikim, nga vepra penale përdorimi të dokumentit të falsifikuar, pa vërtetuar dhe ofruar prova se është dokument i falsifikuar dhe pa nisur asnjë procedim ndaj atyre që kanë falsifikuar dokumentin. Është e qartë se diçka nuk është në rregull këtu dhe ne do ta vërtetojmë. Është dashur para se të mbërrijë Egzona, të tjerët të ishin këtu e jo Egzona. A parashihet dënim me burg për këtë vepër? Për këtë vepër parashihet, por që të shqiptohet aktvendimi, duhet të dëshmohet se personi i akuzuar ka përgjegjësi”, u shpreh Dimitrie Coboski – avokat i Egzona Sheit.
Gjykimi për emërimet joligjore të drejtorëve do të vazhdojë me 10 qershor. /Alsat/