Banorët e lagjes “Lenin” me vite presin të asfaltohet infrastruktura e shkatërruar

    Rruga në lagjen “Lenin” në Tetovë

    Këtë vikend pritet të fillojë asfaltimi i rrugës së Gjermës. Kjo rrugë një kohë të gjatë ka qenë në gjendje të mjerueshme, përplot me gropa dhe ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve në këtë pjesë të qytetit të Tetovës. Kjo rrugë kalon përmes lagjes Drenovec, ndërsa nga Komuna e Tetovës njoftuan se për shkak të kushteve klimatike, e njëjta nuk ishte përfunduar vitin e kaluar. Tash me përmirësimin e kushteve atmosferike, e njëjta pritet të përfundohet shumë shpejtë.

    “Me përmirësimin e kohës, menjëherë filluam me punët përgatitore. Rruga 194 që njihet si rruga e Gjermës, ka një gjatësi prej 250 metrave, vlera e kësaj rruge është 4 milion denarë. Mendojmë se nesër do të shtrohet shtresa e parë e asfaltit. Mjetet janë nga buxheti i Komunës së Tetovës dhe si projekt ishte paraparë të realizohet vitin e kaluar, por për shkak të kushteve klimatike, ishte ndërprerë dhe tash jemi në përfundim. Rruga mendojmë se i plotëson të gjitha standardet duke përfshirë trotuaret dhe ndriçimin publik”, tha Memet Jonuzi, nga Sektori për Veprimtari komunale në Komunën e Tetovës.

    Por, banorët e lagjes “Lenin” në Tetovë tashmë vite me radhë përballen me infrastrukturë të shkatërruar. Në këtë lagje, disa herë është intervenuar, por punët nuk janë përfunduar. Vështirësitë më të mëdha këta banorë i hasin gjatë kohës kur ka reshje atmosferike dhe atëherë rruga bëhet e pakalueshme. Nga Komuna e Tetovës thonë se edhe rruga “Lenin”, por edhe rruga “Strasho Pinxhur” do të fillojnë të rregullohen nga java e ardhshme dhe të përfundojnë në muajin qershor.

    “Ne tashmë kemi filluar përgatitjet për fillim me punë në rrugën ‘Lenin’ dhe ‘Strasho Pinxhur’, dhe ashtu siç është premtuar edhe për rrugët tjera, nga java që vjen do të jemi me punë në të gjitha këto rrugë dhe mendojmë që t’i përfundojmë deri në muajin qershor. Bëhet fjalë për projekte që kanë filluar vitin e kaluar dhe do të përfundojnë shumë shpejtë”, tha Jonuzi.

    Disa rrugë në Tetovë filluan të rikonstruohen që vitin e kaluar, por për shkak të kushteve klimatike dhe përmirësimit të projekteve me infrastrukturë shtesë nëntokësore, të njëjtat nuk u përfunduan në kohë. Tashmë me përmirësimin e kohës pritet që këto rrugë të asfaltohen, sidomos rruga “Strasho Pinxhur”, e cila është mjaft e rëndësishme për afaristët që gravitojnë përgjatë kësaj zone. Pikërisht gjatë vitit të kaluar kishin kërkuar që rruga të mos asfaltohet gjatë verës që të mos pësojnë humbje në punën e tyre, prandaj edhe punët ishin prolonguar. /koha.mk/

    Lajmi Paraprak

    Në RMV shtrenjtohen edhe kreditë

    Lajmi i rradhës

    Petkov: Nëse s’ka stabilitet në Ballkan, s’kemi arritur asgjë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë