Vendparkime të reja në Tetovë, por ende mungojnë garazhet në kate

    Komuna e Tetovës ka në plan të ndërtojë dy parkingje në formën e garazheve në kate. Njëri është në vendin ku ishin paralajmëruar të ndërtoheshin parkingje në formën e montuar, ndërsa tani planifikohen si garazhe në kate.

    Nga komuna e Tetovës kanë potencuar se financimi i tyre do të mundohet të realizohet me mjete nga pushteti qendror, por nuk përjashtojnë mundësinë që të ndërtohen përmes Partneritetit Publiko-Privat, ku sipas Kasami bëhet fjalë për investime serioze.

    Ai më tej shtoi se përderisa komuna nuk ka zgjidhur problemet elementare të qytetarëve siç janë shkollat, çerdhet, infrastruktura, uji i pijshëm, kanalizimi, nuk mund të financohen në mënyrë vetanake këto parkingje. Kasami nuk përjashton mundësinë që së paku njëri prej dy parkingjeve në qendër të Tetovës të bëhet me mjete vetanake.

    “Koncepti ka qenë parkingje të montuara në dy kate, kurse tani flasim për garazhë në kate, është projekt tjetër dhe sigurisht të dy projektet do të bëhen në bashkëpunim me banorët. Ne në asnjë moment nuk ua mohojnë të drejtën e banorëve rezident për parkim, pra të gjithë që kanë adresë në atë vendbanim. Sigurisht ne do të investojmë edhe në ndërtimin e kapaciteteve shtesë për parkim në atë zonë ku ka më shumë nevojë. Unë kur kam ardhur në komunë kam gjetur një projekt të këtillë, por është vlerësuar përveçse ka patur pakënaqësi nga banorët rezident, ka pasur edhe elemente korruptive prandaj i njëjti është ndërprerë dhe tash përmes një procedure transparente do të mundohemi që të realizojmë projektet e parkingjeve në kate”, deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

    Këto komente Kasami i ka bërë gjatë promovimit të vendeve të reja të parkimit në “Bllokun Urban 100” pranë varrezave të qytetit. Ai tha se ky projekt u realizua pas largimit të garazheve të improvizuara nga qytetarët, të cilat ishin ndërtuar pa standarde dhe i jepnin një pamje të papërshtatshme këtij blloku. Kasami, shprehu angazhimin e tij për ta bërë Tetovën një qytet të denjë për standardet e një mjedisi urban të zhvilluar.

    “Vendparkimi i ri është ndërtuar në përputhje me të gjitha standardet e nevojshme, duke ofruar jo vetëm lehtësi për parkimin e automjeteve, por edhe një estetikë të përmirësuar për këtë pjesë të qytetit. Kryetari Kasami theksoi se ky përmirësim është një hap tjetër i rëndësishëm në rrugën drejt një Tetove moderne dhe të organizuar, ku komoditeti dhe siguria e qytetarëve janë përparësitë kryesore të komunës”, tha Kasami, ndërkaq paralajmëroi edhe parkingje të reja të kësaj natyre edhe në ato vende ku ende ka probleme me shpronësimin e pronës pas largimit të garazheve të ndërtuara në kohën e komunizmit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    BASHKË KUNDËR KRIMIT! / Forumi ministror BE – Ballkani Perëndimor

    Lajmi i rradhës

    NTP Shkup nuk ofron shërbime cilësore për qytetarët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë