“Një vend për të parkuar makinën, së fundmi në Pollog po bëhet mollë sherri mes njerëzish. Dhe sikur kjo të mos mjaftojë, mos durimi mes vete dhe lufta për të gjetur një vend parkimi, shkon te më e keqja, vrasja”.
Psikologja Fatime Ziberi thotë se shkak për këto fenomene të këqija është mënyra e jetesës dhe sidomos mos kujdesi ndaj shëndetit mental.
“Kjo është rezultat i mos tolerancës dhe ajo që njerëzit sot nuk janë rezilient fatkeqësisht. Prag tolerance mes njerëzish nuk ekziston. Kjo është edhe akumulim që një kohë të gjatë njerëzit e kalojnë në stres dhe presion të kohës, menaxhim jo i mirë dhe vetë stili i jetës sepse njerëzit nuk kanë kohë të merren me shëndetin mental, neglizhojnë për një kohë të gjatë, dhe kjo shpërthen edhe në hijen e vete tek njerëzit nëse se merr përgjigjen që e do. Dhe këtu vjen mos toleranca mos qëndrueshmëria dhe kjo edhe për faktin se nuk komunikohet”, tha Fatime Ziberi, psikologe.
Sociologu Lulzim Murtezani, fajin e hedh te mosfunksionimi institucioneve.
“Është në pyetje një angazhim, një organizim institucional që ka të bëj që në çerdhe, pastaj familja, llogaridhënia dhe ka shumë karrige, nuk është vetëm familja apo shkolla, por së pari vihet në pyetje funksionimi normal i një shteti, e që do duhej të ketë kontroll, llogaridhënie, e të monitorojë sjelljet e njerëzve. Shteti duhet në bashkëpunim me familjet e komunitet t’i merr nën kujdes njerëzit, sepse neve s’kemi mundësi t’i kontrollojmë gjitha këto raste”, theksoi Lulzim Murtezani, sociolog.
Banorët e Pollogut, nga ana tjetër kritikojnë policinë. Thonë se duhet të jetë më e rreptë në kontrollet e personave që mbajnë apo dyshohet të kenë armë, qoftë legale apo ilegale.
“Ndodhin këto gjera sepse shteti nuk merr masa kundër narkomanisë, narko-dilerëve që shesin drogë me të madhe dhe policia nuk merr masa edhe pse i sheh. Policia nuk duhet të ketë mëshirë ndaj atyre që mbajnë armë, qoftë armë zjarri apo thikë apo çka do qoftë, nuk duhet të kenë mëshirë, dënime duhet prej prokurorisë e gjykatës dënime drakonike”, tha një banor.
“Patjetër që policia duhet të jetë më aktive, sepse ku ka më shumë vigjilencë nga organet e rendit apo institucioneve ka më pak raste. Shoqëri ideale s’ka por kujdesi duhet të jetë më i madh nga institucionet dhe kujdesi i qytetarëve do jetë më i madh”, u shpreh një banor tjetër.
“Njerëzit duhet të jenë më tolerantë, por nuk e di, jeta, pasuria i ka çmend njerëzit, xhelozia i ka çmend. Policia duhet me qenë më aktive, por edhe ne duhet të bëhemi polic dhe të tregojmë. Por pasuria e bën krejt xhelozia ndaj njëri tjetrit dhe sjellin këto gjëra”, theksoi një banor.
“Duhet të jemi më tolerant më të qetë, të kemi mirëkuptim, nuk shkon me vrasje, sepse edhe fëmijët e familja hyn në inate me njëri-tjetrin. Duhet policia gjithnjë nën kontroll t’i ketë njerëzit me armë, a i kanë me leje apo jo, sepse mbajnë armë dhe për një fjalë gojë gjuajnë, ja si në Debresh”, tha ndër të tjera një banor.
Vrasja e djeshme që ndodhi në fshatin Debresh të Gostivarit, e që për motiv sipas banorëve kishte vend parkimin, është e dyta e këtij lloji brenda gjatë muajve, pas asaj që ndodhi në fshatin Çellopek të Tetovës pak muaj më parë. Nga komuna e Tetovës, premtuan ndërtimin e parkimeve në kate dhe shtimin e numrit të tyre, por ende punë konkrete në terren nuk ka.
“Momentalisht bëjmë studimin për të parë formatin e rrugëve dhe të shihet se sa parkingje të mbyllura do na duhen, sa të hapura dhe të marrim masa të mëtejme. Tashmë jemi edhe pjesë e pushtetit qendror dhe pas studimit do punojmë në drejtim se sa vend parkime të reja na nevojiten”, tha Albion Alili, Zëdhënës i komunës së Tetovës. /Alsat/