Kundërspin: Rusia nuk ishte e detyruar ta sulmonte Ukrainën për t’u mbrojtur

    Ambasadori rus Sergei Bazdnikin që në fillim të kolumnës së tij në gazetën e përditshme “Nova Makedonija”, thekson se Rusia është e përkushtuar për ndërprerjen e shpejtë të armiqësive dhe gjetjen e zgjidhjes përmes diplomacisë, në tryezën e bisedimeve. Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar vazhdimisht se Rusia është e gatshme për zgjidhje diplomatike të situatës me Ukrainën. Por, në terren rezultoi e kundërta. Me vendosjen e më shumë se 150,000 trupave dhe armëve të rënda pranë kufirit me Ukrainën, si dhe sulmit që filloi më 24 shkurt të këtij viti, nuk mund të flitet për “zgjidhje diplomatike të situatës”.

    Shkruan: Аna Anastasovska

    Ambasadori i Rusisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sergei Bazdnikin, dy ditë pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, në një kolumnë të botuar në gazetën “Nova Makedonija”, flet për prioritetet e Rusisë në Ukrainë, me çka vërehen disa spine.

    Spin: Para së gjithash, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për qytetarët e Maqedonisë, të cilët sinqerisht përpiqen të kuptojnë se çfarë po ndodh, angazhohen për ndërprerje të shpejtë të veprimeve luftarake, gjetjen e një zgjidhjeje përmes diplomacisë, në tryezën e bisedimeve.

    [Burimi: Nova Makedonijadata: 26.02.2022]

    Kundërspin: Që në fillim të shkrimit së tij, ambasadori rus Bazdnikin thekson se Rusia angazhohet për ndërprerje të shpejtë të veprimeve luftarake dhe gjetjen e një zgjidhje përmes diplomacisë në tryezën e bisedimeve. Edhe presidenti rus Vladimir Putin, në disa raste ka deklaruar se Rusia është e gatshme për zgjidhje diplomatike të situatës me Ukrainën, por në terren dëshmohet e kundërta. Derisa Putin po zhvillonte bisedime diplomatike me presidentin francez Emmanuel Macron, ai solli vendim për njohjen e dy republikave separatiste, të ashtuquajturat Republika Popullore e Donetskut (RPD) dhe e ashtuquajtura Republika Popullore e Luhanskut (RPL) në Ukrainë, të cilat cenuan integritetin territorial të këtij vendi. Disa orë pas njohjes, Putin udhëzoi Ministrinë e Mbrojtjes të “sigurojë që paqja në RPD dhe RPL të ruhet nga forcat e armatosura ruse”.

    Me vendosjen e më shumë se 150,000 trupave dhe armëve të rënda pranë kufirit me Ukrainën, si dhe sulmi që filloi më 24 shkurt të këtij viti, nuk mund të flitet për “zgjidhje diplomatike të situatës”. Për atë se sa Rusia është realisht për zgjidhje diplomatike, u pa katër ditë pas pushtimit rus, kur negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë filluan në Bjellorusi. Ukraina kërkoi armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqjen e trupave ruse, por, siç mund të shihet nga situata në terren, gjatë negociatave, sulmet ruse ndaj qyteteve të Ukrainës vazhduan. Përveç kësaj, në të njëjtën ditë, Rusia, me urdhër të Putinit, vendosi forcat e saj bërthamore në gatishmëri lufte.

    Spin: Tërheqja e Ukrainës në NATO, që po ndodh para syve tanë dhe pompimi i këtij vendi me armë (që nga viti 2014 Shtetet e Bashkuara kanë dërguar në Kiev armë me vlerë 2.7 miliardë dollarë – a nuk është një shifër astronomike? Vetëm muajin e kaluar Ukraina mori 2000 tonë të armëve dhe municioneve) në sfondin e kursit të theksuar antirus të autoriteteve të saj janë të papranueshme për Rusinë. Sidomos në kontekstin e deklaratës së presidentit të Ukrainës për blerjen e mundshme të armëve bërthamore nga Kievi, thuhet në kolumnë.

    Kundërspin: Hyrja e Ukrainës në NATO dhe dërgesat e armëve në Ukrainë, nuk përbëjnë asnjë kërcënim për Rusinë, siç dëshiron të paraqesë Bazdnikin. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, 14 vende të Evropës Lindore iu bashkuan NATO-s. Katër nga këto vende kufizohen me Rusinë. Ukrainës iu premtua anëtarësimi në vitin 2008, por ishte “ngrirë” për një kohë të pacaktuar. Kancelari gjerman Olaf Scholz, para disa ditësh në Moskë deklaroi se anëtarësimi i Ukrainës në NATO “nuk është temë” në të ardhmen e parashikueshme.

    Është e vërtetë që NATO ka bërë përgatitje me anëtarët e saj lindorë për rishpërndarje të shpejtë të trupave. Por, kjo u bë vetëm pasi Putini pushtoi Krimenë në vitin 2014. NATO i përmbahet marrëveshjes themelore me Rusinë që nga viti 1997 për ndalimin e vendosjes së përhershme të trupave në anëtarët e rinj. Por, nga viti 2016, NATO ka rigrupuar rregullisht trupat në shtetet baltike dhe Poloni. Këto njësi numërojnë rreth 5,000 trupa, kështu që pretendimi se ky është kërcënim për Rusinë, e cila mban rreth 850,000 trupa, është jorealist.

    Për sa i përket dërgesës së armëve në Ukrainë, ajo nuk është e ndaluar dhe është e vërtetë që disa vende i dërgojnë armë Ukrainës, e cila është një vend sovran dhe ka të drejtë të kërkojë nga vendet e tjera. Ushtria ukrainase ka nevojë për armë, pasi Rusia ka modernizuar forcat e saj të armatosura vitet e fundit. Nga ana tjetër, Ukraina duhet të mendojë se si të mbrohet, duke qenë se në 6-8 muajt e fundit në kufijtë e saj lindorë dhe veriorë, ata me Rusinë dhe Bjellorusinë, janë grumbulluar midis 150-190 mijë trupa ruse me armë të rënda sulmuese ( tanke, mjete të blinduara të këmbësorisë, raketahedhës me shumë fuçi, artileri, raketa balistike …).

    Fakt është që “pompimi i Ukrainës me armë”, siç thotë ambasadori rus, filloi të ndodhte vetëm pasi trupat në kufi me Ukrainën u bënë më të dukshme. Para kësaj, dërgesat e armëve mbrojtëse në Ukrainë nga partnerët perëndimorë bëheshin përmes planeve me para-marrëveshje, pasi ishin bërë përgatitjet e nevojshme, si dhe përmes sasive më të vogla.

    Megjithatë, në vitin 2014, zyrtarët e NATO-s deklaruan se Aleanca nuk do të dërgonte armë në Ukrainë, e cila nuk është vend anëtar, por se anëtarët individualë kanë çdo të drejtë të zgjedhin nëse do ta bëjnë këtë apo jo. Dërgesa e armëve në Ukrainë është plotësisht e justifikuar duke pasur parasysh vlerësimet e Kombeve të Bashkuara se midis 14,200 dhe 14,400 njerëz u vranë në vend nga viti 2014 deri në shkurt 2022, duke përfshirë të paktën 3,407 civilë, 4,400 anëtarë të forcave të sigurisë ukrainase dhe 6,500 anëtarë të grupeve të armatosura.

    Sa i përket përdorimit të armëve bërthamore nga ana e Ukrainës dhe frikës ruse për këtë, në një konferencë të sigurisë për liderët botërorë një javë para sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha: “Ne nuk kemi armë të tilla“.

    Ukraina, e cila kishte arsenalin e tretë më të madh bërthamor në botë gjatë Luftës së Ftohtë, hoqi dorë nga armët e saj bërthamore në vitet 1990 në këmbim të garancive të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia.

    Spin: Zhvillimet në fund të vitit 2021 – fillimi i 2022 dhe analiza e informacionit që marrim na tregojnë se përplasja me radikalët nacional ukrainas, të cilët prisnin vetëm orën e duhur për të goditur, ishte e pashmangshme. Rusisë nuk i mbeti asnjë mundësi tjetër për të mbrojtur veten dhe qytetarët e saj, përveç asaj që ne u detyruam të përdornim.

    Kundërspin: Me qëllim që të justifikojë sulmin e saj ndaj Ukrainës, Rusia ka theksuar vazhdimisht nevojën për të ndaluar “gjenocidin” kundër rusëve në Ukrainë të kryer nga radikalët nacional ukrainas. Edhe ambasadori Bazdnikin, në shkrimin e tij, ashtu si presidenti Putin, përdor termat “çmilitarizim” dhe “shkombëtarizim” të Ukrainës.

    Termi “gjenocid” përkufizohet nga Konventa e OKB-së e vitit 1948 si “krim i shfarosjes së qëllimshme të një grupi ose race kombëtare, etnike ose fetare”. Edhe misionet e OSBE-së, të cilat, me pëlqimin e Moskës, kryejnë hetime të rregullta në zonat separatiste, nuk kanë gjetur asnjë bazë për pretendimet për gjenocid.

    Sipas shifrave të OKB-së nga viti 2021, rreth 3,000 civilë janë vrarë deri më tani në konfliktin në Ukrainën lindore. Sipas raportit të OSBE-së, shumica e viktimave civile u vranë në sulmet e artilerisë.

    Përdorimi i termit “shkombëtarizim” në konotacion me Ukrainën është krejtësisht i gabuar, thotë politologu Andreas Umland i Qendrës së Stokholmit për Studime të Evropës Lindore (SCEEUS). Ai thekson se presidenti aktual i Ukrainës është një hebre që fitoi një kandidat jo-hebre në zgjedhjet e fundit.

    Umland thekson se në Ukrainë ka forca të ekstremit të djathtë, të cilat janë ende të dobëta në krahasim me vendet e tjera evropiane.

    Në zgjedhjet e fundit, Fronti i Bashkuar i ekstremit të djathtë fitoi vetëm 2.15 për qind të votavetha Umland.

    Në goditje të kritikave është gjetur edhe një njësi ushtarake ekstremiste e krahut të djathtë, e cila ishte aktive në fillim të konfliktit të Donbasit. Por ai grup, sipas Umland, është i integruar në njësitë ekzistuese të Gardës Kombëtare. Grupet ekstremiste të krahut të djathtë janë fenomen i vogël në Ukrainë, përfundojnë ekspertët.

    Spin: Kievi ka injoruar detyrimet e tij nga marrëveshja e Minskut të vitit 2015, duke refuzuar kategorikisht të negociojë me udhëheqjen e RPD dhe RPL, duke përhapur në të njëjtën kohë mitin për “pushtimit rus”. Meqë ra fjala, cilat janë marrëveshjet e Minskut? Ky është pikërisht plani për zgjidhje politike hap pas hapi të konfliktit, i cili përmban një sërë hapash sipas rendit të tyre për palët – Kiev dhe Republikat Popullore të Donetskut dhe Luhanskut. Plani u nënshkrua nga krerët e Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë dhe më pas u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Kievi nuk ka përmbushur pothuajse asgjë. Siç e kuptojmë tani, dhe nuk kishte ndërmend të përmbushte. Duke marrë parasysh, me sa duket, zgjidhje ushtarake.

    Kundërspin: Mospërmbushja dhe moszbatimi i marrëveshjeve të Minskut nuk mund t’i atribuohet vetëm Ukrainës.

    Ukraina dhe separatistët e mbështetur nga Rusia arritën marrëveshje armëpushimi prej 12 pikash në kryeqytetin bjellorus në shtator 2014. Dispozitat e saj përfshinin shkëmbimin e të burgosurve, dërgimin e ndihmave humanitare dhe tërheqjen e armëve të rënda, pesë muaj pas konfliktit që vrau më shumë se 2600 njerëz – shifër që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se që atëherë është rritur në rreth 15,000. Marrëveshja dështoi shpejt, me shkelje nga të dyja palët.

    Përfaqësuesit e Rusisë, Ukrainës, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe krerët e dy rajoneve separatiste pro-ruse nënshkruan marrëveshje prej 13 pikash në shkurt 2015.

    Liderët e Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Ukrainës, të mbledhur në Minsk në të njëjtën kohë, lëshuan një deklaratë në mbështetje të marrëveshjes. Në marrëveshja u konfirmuan hapat ushtarakë dhe politikë që mbetën të pazbatuar. Bllokadë e madhe ishte këmbëngulja e Rusisë se ajo nuk është palë në konflikt dhe për rrjedhojë nuk është e detyruar nga kushtet e saj.

    Pika 10 e marrëveshjes, për shembull, bën thirrje për tërheqjen e të gjitha formacioneve të huaja të armatosura dhe pajisjeve ushtarake nga dy rajonet e diskutueshme, Donetsk dhe Luhansk. Ukraina ka pretenduar se kjo i referohet forcave ruse, por Moska ka mohuar se ka forca atje.

    Plani i paqes i rënë dakord në Minsk në vitin 2015 përmbante 13 pika, por asnjëra palë nuk ishte e gatshme për kompromis. Sipas marrëveshjes së Minskut, Ukraina duhej të hiqte bllokadën e saj ekonomike dhe financiare dhe t’i jepte rajonit të Donbasit të drejta të veçanta si pjesë e një procesi decentralizimi. Për një gjë të tillë, megjithatë, në Kiev nuk kishte shumicë në horizont.

    Në të njëjtën kohë, në territoret e pushtuara duhej të mbaheshin zgjedhje të lira, të cilat do të monitoroheshin nga OSBE. As separatistët dhe as Moska nuk ishin të përgatitur për një gjë të tillë. U refuzua gjithashtu kthimi i kontrollit të kufirit me Rusinë në duart e Ukrainës. Kjo është pikërisht ajo që parashikon Marrëveshja e Minskut. Njohja e Putinit e Donetskut dhe Luhanskut nga Rusia, është gjithashtu shkelje e marrëveshjes së Minskut.

    Se për mospërmbushjen e marrëveshjes së Minskut ka faj edhe në Rusi, thekson edhe Natalia Zaduruzhnyuk, ambasadorja e Ukrainës në Shkup, e cila në emisionin “200” në Alsat, potencoi se Rusia ka shkelur të gjitha marrëveshjet.

    Situata është shumë e serioze, kemi grumbullim të madh të ushtrisë ruse në kufirin ukrainas-rus në kufirin ukrainas-bjellorusi, kemi bllokadë të Detit të Zi nga Rusia. Kemi provokim, bombardim të kopshteve dhe shkollave, kemi sulm kibernetik ndaj autoriteteve shtetërore dhe dje duke shkelur të gjitha dokumentet e mundshme ndërkombëtare, duke filluar nga marrëveshja ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, marrëveshjet e Minskut, duke shkelur brutalisht të drejtën ndërkombëtare, Kremlini njohu pavarësinë e Donetskut dhe Luhanskut, tha Zaduruzhnyuk dy ditë para sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

    Duke pasur parasysh të gjitha këto, mund të thuhet se kolumna e ambasadorit rus në vend është e mbushur me spine, me qëllim që të justifikohet sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.

    Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari.

    Lajmi Paraprak

    Rritja e normës së interesit rrezikon pagesën e kredive

    Lajmi i rradhës

    Çrregullimi i personalitetit histrionic

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë