Rrjeti rus shkencor, arsimor dhe kulturor në Maqedoninë e Veriut

    Rrjeti i ndikimit rus në Maqedoninë e Veriut po ndërtohet gjithashtu përmes shkencës, arsimit dhe kulturës. Kjo arrihet duke plasuar tema të lidhura me komunitetin shkencor, kulturor dhe arsimor, si dhe fetar me Rusinë, paraqitjet e përbashkëta dhe festimet e datave të rëndësishme, deklarata të përfaqësuesve të komunitetit akademik dhe reagime të mediave lidhur me festimet, aktivitetet dhe mbështetjen konkrete që vijnë nga Rusia.

    Shkruan: prof.dr Мirjana Najçevska, еksperte e shtetit juridik dhe të drejtave të njeriut

    Një nga bartësit më të fuqishëm të ndikimit rus përmes shkencës është Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM). Marrëdhëniet me Rusinë, veçanërisht me Akademinë e Shkencave Ruse, ushqehen, forcohen dhe promovohen me një status të veçantë të shprehur qartë ndaj shkencës ruse dhe një respekt të veçantë që akademikët kanë për të, si p.sh. përmes artikullit për fjalimin e kryetarit të ASHAM-it, akademik Ljupço Kocarev:

    KOCAREV: Shkenca ruse i detyrohet botës, ASHAM dhe RAS forcojnë bashkëpunimin me një marrëveshje të re

    Një hap më tej shkon në shpjegimin e rëndësisë së shkencës ruse për përparimin botëror, ish-rektori i Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup:

    Ish-rektori i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Velimir Stojkovski, i cili është edhe konsull nderi i Rusisë në Ohër, në hapje të konferencës shkencore zbuloi se bota e sotme moderne nuk mund të imagjinohej pa zbulimet dhe shpikjet ruse – motor elektrik, radio marrës, biçikletë, TV me ngjyra, lazer, aeroplan, raketa dhe pajisje hapësinore dhe shumë të tjera.

    Një formë interesante e ndikimit është transmetimi i drejtpërdrejtë i informacioneve nga mediat ruse, në të cilat shkenca ruse lavdërohet përmes perceptimit të qytetarëve rusë, pa shpjegime shtesë, krahasime ose një kontekst më të gjerë të të dhënave të paraqitura:

    Një e treta e rusëve besojnë se shkenca ruse është përpara gjithë të tjerëve në botë dhe ata e konsiderojnë luftën kundër koronavirusit një nga arritjet më të mëdha të viteve të fundit.

    Këtë e tregojnë rezultatet e një sondazhi të kryer nga Qendra Ruse për Hulumtimin e Opinionit Publik.

    “Përgjigja më e zakonshme nga rusët është se arritjet më të mëdha të shkencës ruse janë lufta kundër koronavirusit dhe zhvillimi i vaksinës. Përgjigja e dytë më e zakonshme është kompleksi kërkimor ushtarak dhe ushtarak-industrial rus”, thuhet në raportin e hulumtimit, transmeton “Tass”.

    Gati një e treta e rusëve mendojnë se shkenca ruse është përpara të tjerave në nivel global, ndërsa 34 për qind mendojnë se ajo është pak prapa.

    Në mungesë të shpjegimit apo krahasimit, të dhënat e paraqitura në këtë mënyrë i japin publikut përshtypjen e dominimit të shkencës ruse në përmasa globale.

    Kjo përshtypje theksohet nga tituj të krijuar posaçërisht që ndërtojnë pamje të shtrembëruar ose jo të plotë të ngjarjeve që lidhen me arritjet specifike të shkencës ruse. P.sh., pas titullit RUSIA LANSOI NJË TELESKOP TË FUQISHËM QË DO TË SKANOJË HAPËSIRËN NË DETAJE, ka një tekst në të cilin vetëm në një vend shfaqet informacioni se është një projekt i përbashkët me Gjermaninë.

    Një nga misionet më të rëndësishme të hapësirës shkencore ruse në epokën post-sovjetike u lansua sot nga Bajkonur.

    Teleskopi Spectre-RG është një projekt i përbashkët me Gjermaninë dhe do të bëjë mapinin e të gjithë qiellit me rreze X në detaje deri tani të papara.

    Sipas të dhënave zyrtare nga uebfaqja e ASHAM dhe sipas të dhënave nga raportimet mediatike, në ASHAM si institucioni më i lartë shkencor në vend mbahen vetëm ditë të shkencës ruse dhe ditë të Akademisë Bullgare të Shkencave, e jo manifestime të tjera të tilla ose të ngjashme që lidhen me përfaqësimin e shkencës së vendeve të tjera, vendeve anëtare të NATO-s ose BE-së ose ditëve të shkencës së SHBA-së.

    Kur bëhet fjalë për ditët e shkencës ruse, ato nuk janë vetëm pjesë e veprimtarisë së ASHAM, por gjejnë hapësirë ​​të gjerë në media, ku në mënyra të ndryshme mbulohen gjerësisht aktivitetet që lidhen me mbajtjen e këtyre ditëve (MKDVecer , Nova MakedonijaDeneshenKanal524Info …

    … shkencëtarët maqedonas dhe rusë gjithmonë kanë pasur dhe kanë bashkëpunim të frytshëm. Ka interes të intensifikohet, të realizohen projekte dhe kërkime të përbashkëta, ndërsa burimet e rinovueshme të energjisë, ushqimi i sigurt dhe mbrojtja e mjedisit janë vetëm disa nga fushat me potencial të konsiderueshëm.

    ASHAM nuk ndalet vetëm në një ngjarje që shënon përparimin e shkencës ruse dhe/ose marrëdhëniet me Rusinë. Akademia në disa raste ka iniciuar dhe realizuar ngjarje në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë dhe Rusisë, si për shembull:

    Maqedonia dhe Rusia / BRSS (historia-politika-kultura) nga Lufta e Parë Botërore deri në formimin e shtetësisë moderne maqedonase (1941–1944)

    Ky lloj i tubimeve shkencore (që krijojnë perceptimin e një kulture të përbashkët, por edhe afrojnë komunitetet akademike) ka një praktikë të kahershme:

    Maqedonia dhe Rusia / BRSS (historia, politika, kultura) nga Lufta e Parë Botërore deri në formimin e shtetësisë moderne maqedonase (1914-1944): materiale nga tubimi IV shkencor maqedono-rus, Ohër, 17-18. IX 2008

    Statusi dhe autoriteti që ka ASHAM në vend, krijon hapësirë ​​që këto e të tilla ngjarje të perceptohen nga publiku si një promovim i Rusisë, i sistemit rus të vlerave dhe i politikës ndërkombëtare të Rusisë, dmth të krijohet përshtypja në opinion për mbështetje të parezervë edhe në situatë të agresionit rus kundër një shteti tjetër (siç është rasti me agresionin kundër Ukrainës).

    Kultura dhe gjuha ruse promovohen në Maqedoninë e Veriut në nivele dhe mënyra të ndryshme. Një promovim i ngjashëm i kulturave dhe gjuhëve ka edhe në vende të tjera, por ato janë larg të qenit të gjera dhe as nuk gjejnë shumë interes në media.

    Festimi i ditëve të kulturës dhe gjuhës ruse shpesh mbulon një muaj të tërë me një sërë ngjarjesh, diskutimesh shkencore, manifestime kulturore.

    Muaji tetor 2021 do t’i kushtohet vizitës në shkollave ​​ku mësohet gjuha ruse në Maqedoni. Nxënësve do t’u jepen leksione të shkurtra për Rusinë, kulturën dhe letërsinë ruse, ndërsa bibliotekave shkollore do t’u jepen libra të autorëve rusë të përkthyera në gjuhën maqedonase.

    Kjo praktikë ka histori të gjatë dhe shpesh lidhet me nocionin e pansllavizmit dhe me fenë:

    Ditët e kulturës shpirtërore ruse në Maqedoni do të vazhdojnë gjatë gjithë muajit, duke përfunduar me koncertin e ansamblit të njohur rus “Rus” më 18 qershor. Hyrja në të gjitha eventet do të jetë falas.

    Ditët e kulturës shpirtërore të Rusisë në Maqedoni organizohen në kuadër të programit të Ambasadës Ruse me rastin e Ditës së vëllezërve bashkëapostolikë Shën Kiril dhe Metodi.

    Ditët e “kulturës shpirtërore të Rusisë” zakonisht përmbajnë shumë ngjarje të ndryshme, përmbajtje të ndryshme dhe synojnë grupmosha të ndryshme:

    Ditët e kulturës shpirtërore të Rusisë në Maqedoni do të fillojnë me ekspozitën e vizatimeve për fëmijë “Shpirti i Rusisë” më 26 maj (e enjte) në orën 17:00 në “Porta Makedonija”, ndërsa në orën 19:00 në Shtëpinë e ARM-së, do të mbahet, ceremonia kryesore e hapjes dhe koncerti i kapelës së korit “Jaroslavia” e Filarmonisë Shtetërore të Jaroslavisë.

    Ndikimi i kësaj dhe i këtij lloji ngjarjesh shumëfishohet edhe me faktin se aktivitetet dhe përmbajtjet që lidhen me kremtimin e kulturës dhe gjuhës ruse zakonisht mbahen në disa qytete të vendit. Për shembull, në njoftimin e Festivalit të Kulturës Ruse në Maqedoni, gjithashtu thuhet:

    Kemi nderin e madh t’ju informojmë se nga data 17 deri më 23 dhjetor 2013, në disa qytete të Maqedonisë do të mbahet Festivali i Kulturës Ruse, në organizim të Shoqatës së bashkatdhetarëve rus “Çajka”, Universitetit ndërkombëtar sllav “GR. Derzhavin” dhe Universitetit shtetëror Tambov “GR. Derzhavin”. Ky projekt realizohet me mbështetjen financiare të Qeverisë së qytetit të Moskës.

    Mënyra tjetër e ndikimit rus realizohet përmes Qendrës Kulturore Ruse. Në Maqedoni ka disa qendra kulturore të vendeve të ndryshme, por ato nuk mund të mburren se janë pjesë përbërëse (njësia organizative të Universitetit) dhe të mbështetura nga universiteti ynë më i vjetër “Kirili dhe Metodi”. Qendra Kulturore Ruse u hap në vitin 2016 dhe në hapjen e saj rektori i atëhershëm i UKIM-së deklaroi:

    Qendra ruse është krijuar si njësi organizative e Universitetit me vendim të Senatit të Universitetit, ndërsa për Qendrën Ruse ne siguruam hapësirën tonë prej më shumë se 200 m2 në qendër të qytetit dhe e rregulluam bukur, që mendoj se është një nga qendrat më të bukura dhe më të mëdha ruse në rajon.

    Edhe në ueb-faqen e Qendrës gjithashtu thuhet:

    Qendra Ruse është njësi pranë Universitetit “Kirili dhe Metodi”, e themeluar në vitin 2015, dhe me punë aktive fillon më 11 janar 2016.

    Edhe sipas njoftimeve në faqen zyrtare të Universitetit “Kirili dhe Metodi”, Qendra Ruse është një pjesë integrale e universitetit, e themeluar nga Fondacioni Rus i Paqes, i cili u krijua me dekret të presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin. Ndër detyrat/qëllimet e këtij fondacioni janë:

    • formimi i një opinioni shoqëror pro-rus, përhapja e njohurive për vendin tonë;
    • krijimi i një sistemi të mbështetjes së ekspertëve për dimensionin humanitar të politikës së jashtme të Rusisë;
    • mbështetje për mediat dhe burimet e informacionit në gjuhën ruse jashtë vendit;
    • mbështetje për faqet ruse të krijuara jashtë vendit;
    • ndërveprim me Kishën Ortodokse Ruse dhe besime të tjera në promovimin e gjuhës dhe kulturës ruse.

    Sipas mendimit të ish-korrespondentit të “Nova Makedonija” nga MoskaMirçe Adamçevski, (transmetuar në kuadër të analizës së Radios Evropa e Lirë):

    Fondi “Paqja ruse” është pjesë e strategjisë së Vladimir Putinit për Ballkanin, por edhe për botën më gjerë, sepse Rusia e ka humbur politikisht Ballkanin, ky është fakt prej kohësh dhe tani Rusia po performon në Ballkan me kulturë dhe ekonomi. Qendra ruse e Fondacionit “Paqja ruse” po hapet në Maqedoni si pjesë e kësaj strategjie, por të mos harrojmë se ajo tashmë është e pranishme në Ballkan dhe në mbarë botën.

    Vetë UKIM jo vetëm që mbështet Qendrën ruse si pjesë e strukturës së saj, por gjithashtu merr pjesë aktive në aktivitetet që lidhen me ditët e kulturës ruse.

    Nga e mërkura fillon programi kulturor me rastin e Ditëve të Gjuhës Ruse. UKIM prezanton programin e tij të pasur

    Përveç Qendrës ruse dhe aktiviteteve në lidhje me kremtimin e Ditëve të kulturës ruse, në vitin 2019 u krijua Fondacioni për mbështetjen e marrëdhënieve ruso-maqedonase, i cili (sipas misionit të paraqitur në faqen zyrtare të Fondacionit) merret kryesisht me shkencën, arsimin, kulturën dhe ekonominë. Bie në sy se në faqen e internetit të Fondacionit, si projekti i parë që zbaton është përkthimi dhe shtypja e përmbledhjes me poezi të ministrit aktual të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, S. Lavrov.

    Duke pasur parasysh se vetëm qytetarët rusë shfaqen si themelues dhe anëtarë të bordit të besuar të fondacionit (duke përfshirë një kryeprift në Kishën Ortodokse Ruse), roli i komunitetit akademik dhe/ose intelektual maqedonas në menaxhimin e tij është i paqartë. Nuk ka informacione për financimin, raporte dhe/ose të dhëna mbi statusin ligjor të Fondacionit në faqen e internetit.

    Ndikimi rus përmes arsimit dhe kulturës depërton edhe në nivelin komunal. Disa nga komunat janë të përfshira drejtpërdrejt në promovimin e kulturës ruse.

    Një tjetër aktivitet për promovimin e kulturës në Komunën e Kisella Vodës. Më 7 qershor 2021 (e hënë) dhe këtë vit, në bashkëpunim me Ambasadën Ruse, shënuam 222 vjetorin e lindjes së Alexander Sergeeviç Pushkin.

    Ndërsa në të tjera (si në Komunën Qendër) kjo bëhet duke ndërtuar kënd lojërash tematiko-edukative për fëmijë (lëshuar në përdorim në fund të vitit 2021):

    Këndi i lojërave, ku do të luajnë fëmijët nga ndërtesat përreth, është me një hartë – të gjatë të Federatës Ruse dhe është shkruar emri i shtetit “Rusia” në gjuhën ruse.

    Është interesante se në momentin e lëshimit të këndit të lojërave në gardhin e të njëjtit (në të cilin janë shkruar emrat e disa qyteteve ruse) ndodhet qyteti i Sevastopolit (i cili ndodhet në Krime dhe është objekt i kontestit midis Federatës Ruse dhe Ukrainës).

    Vetëm pas disa muajsh dhe me kërkesë të drejtpërdrejtë të Ambasadës së Ukrainës në Maqedoni, emri i këtij qyteti u hoq nga gardhi.

    Ndikimi rus nëpërmjet arsimit ndonjëherë është shumë i vështirë për t’u përcaktuar. Mund të përcaktohet vetëm nga daljet publike të profesorëve në universitetet në Maqedoninë e Veriut, deklaratat apo qëndrimet e tyre të shprehura. Ajo që mbetet një pyetje pa përgjigje është se si dhe në çfarë mase këta dhe profesorë të tjerë (të cilët nuk janë aq të pranishëm në publik) promovojnë ide që mbështesin politikën e Rusisë së sotme dhe ndërtojnë ndjenjë afërsie dhe bashkimi midis Maqedonisë së Veriut dhe Federatës Ruse.

    Vetëm si shembull mund të përmendim promovimin e vazhdueshëm të Rusisë në Maqedoni nga profesoresha e Fakultetit Juridik, Karakamisheva:

    Ose, kur një profesor në universitetin më të vjetër në Maqedoni dhe rektor i atij universiteti të deklarojë:

    Vërtetë, e kam të vështirë të them me pak fjalë se çfarë do të thotë Rusia për mua. Respekti dhe dashuria për Rusinë është i njëjtë që nga viti 1976 i largët, që nga kontaktet e mia të para me gjuhën ruse në arsimin fillor. Fjala Rusi është po aq e madhe sa vetë Rusia. Është sinonim për vendin më të madh dhe më të fuqishëm në botë, për qendrën e sllavizmit, për një vend dhe popull që janë ngulitur në themelet e kulturës dhe qytetërimit botëror, për një vend që me guxim i dha fund 27 milionë viktimave, i dha fund një nga të keqes më të mëdha të njerëzimit – fashizmit.

    Deklaratat e tilla dhe qëndrimet e shprehura shumë saktë dhe qartë nga përfaqësuesit e komunitetit akademik, nuk mund të mos kenë ndikim në vetë komunitetin akademik dhe opinionin e gjerë në Maqedoni.

    Një mënyrë interesante për të promovuar “kulturën” ruse është vendosja e saj si antipod ndaj “jokulturës” perëndimore. Kjo mënyrë e ndikimit rus manifestohet në nivele të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme.

    Nga pozicioni i një akademiku, Ljupço Kocarev (fizikan) për shembull, na shpjegon keqkuptimet e pushtetit në raport me lidhjen me “Perëndimin”:

    Rëndësia e Marrëveshjes së Prespës, sipas disa autorëve, ka disa dimensione. Së pari, për Shtetet e Bashkuara, qëllimi parësor i Marrëveshjes së Prespës ishte të demonstronte diplomaci agresive me Rusinë (e cila ka marrë drejtimin në Lindjen e Mesme) dhe Kinën (e cila ka depërtuar ekonomikisht në rajon), duke injoruar efektet, qofshin të qëllimshme apo jo, për politikën e zgjerimit të BE-së. Së dyti, “zgjidhja” e kontestit për emrin ishte e motivuar nga “urgjenca” gjeopolitike, gjegjësisht nga nevoja për të forcuar NATO-n në Ballkan në kontekstin e një Lufte të re të Ftohtë të mundshme dhe do të shërbente si një prelud për zgjidhjen e një çështjeje shumë më të rëndësishme gjeopolitike – marrëdhëniet Beograd-Prishtinë. Së treti, mospërfillja e dukshme për efektet negative të Marrëveshjes së Prespës në shoqërinë maqedonase sugjeron se Perëndimi (veçanërisht Shtetet e Bashkuara) është i gatshëm të sakrifikojë një pion të parëndësishëm, Maqedoninë, për interesa më të mëdha gjeopolitike, edhe nëse kjo do të thotë shpërbërje e vendit dhe rindërtim i rendit rajonal.

    Gjatë gjithë intervistës, Kocarev në asnjë moment nuk avokon hapur kthimin nga Rusia, por i gjithë teksti e ofron atë alternativë si të barabartë, madje edhe më të dëshirueshme për Maqedoninë në drejtim të ruajtjes së identitetit dhe integritetit të vendit.

    Si shembull mund të merret kolumnistja shumëvjeçare e gazetës “Nova Makedonija”, e tani kolumniste e rregullt në portalin “Sloboden svet”, Mirka Velinovska, e cila shpjegon:

    Këtë edhe para Volfovic, në vitin e largët 1976, në një intervistë për të përjavshmen START nga Kroacia, e tha një nga intelektualët e paktë autentikë, Gore Vidal. Gjegjësisht, i pyetur se pse është shpërngulur nga Shtetet e Bashkuara në Evropë, ai ka thënë: “Ka vetëm një arsye. Të gjithë këtu, duke përfshirë edhe tetëvjeçarët, e dinë se kush janë Dostojevski, Tolstoi, Turgenev, Pushkin, Yesenin, Mendelstein. Kush është Çajkovski, Rimski Korsakov, Majakovski. Kush është Kazimir Maljevic, Chagall, çfarë është shkenca dhe çfarë është edukimi i vërtetë. Në atdheun tim, Shtetet e Bashkuara, edhe studentët 20-vjeçarë nuk e kanë idenë se çfarë është qytetërimi bujar dhe thesar botëror është kultura ruse.

    Edhe pse në pamje bëhet fjalë për kritikë ndaj sistemit arsimor të SHBA-së, në kontekstin e të gjithë artikullit, në fakt bëhet një dallim i qartë mes “Perëndimit” impotent dhe “Lindjes” shkencërisht të fuqishme.

    Fashizmi që po shtyjnë egërsitë perëndimore si politikë e tyre e avancuar “demokratike”, është vetëm për një arsye. Ata janë thellësisht të vetëdijshëm se janë inferiorë ndaj Rusisë, Kinës, Indisë, Iranit, Koresë së Jugut dhe Veriut, Vietnamit, Sirisë, Turqisë…

    Kuptohet, ky lloj artikulli nuk përmban kurrë të dhëna, shifra apo fakte që do të konfirmonin ose vërtetonin ndonjë nga pretendimet e mësipërme, por mbetet një përshtypje e fortë e shkencës dhe kulturës së fuqishme të Rusisë kundër egërsisë së atyre nga Perëndimi.

    Në një drejtim të ngjashëm (me konkluzion edhe më të qartë se Rusia dhe Maqedonia janë vendosur artificialisht në rolin e palëve kundërshtare, pavarësisht se nuk ka konflikt mes tyre) është edhe letra që profesoresha Vankovska i dërgon koleges së saj profesoreshë, në të cilën ajo deklaron se:

    Rusia na ka konfirmuar se ne jemi armiku i saj! E vërtetë, koleg Deskoski! Çfarë tjetër, pasi i thamë se jo vetëm e konsiderojmë shtet armik, por edhe kulturën dhe artin e saj e konsiderojmë të tillë! Sa mësim dhe mençuri duhet për të arritur në përfundimin se dy vende që nuk kanë një konflikt të drejtpërdrejtë janë bërë armiq?!

    Ndonjëherë në përhapjen e ndikimit rus përmes shkencës, arsimit dhe kulturës dhe, mbi të gjitha, përfaqësuesve më të lartë të saj, ajo që ata nuk thonë / bëjnë, është po aq e rëndësishme sa ajo që thonë / bëjnë.

    Vetëm si shembull mund të përmendim komunikatën e shkurtër me të cilën ASHAM mbështet Akademinë e Shkencave të Ukrainës, në të cilën është evituar shumë qartë të përmendet Rusia (veçanërisht jo si agresore apo edhe palë e përfshirë), aksioni ushtarak apo ndonjë shprehje tjetër, që mund të tregojë gjendjen reale dhe marrëdhëniet reale mes dy vendeve.

    Duke iu referuar Kartës së Kombeve të Bashkuara, dhe në veçanti seksioneve që kanë të bëjnë me forcimin e “besimit tonë në të drejtat themelore të njeriut, për dinjitetin dhe vlerën e personit njerëzor, për barazinë midis burrave dhe grave dhe të të gjitha kombeve, të mëdha ose të vogla”; Bazuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, dhe në veçanti nenin 3, i cili thotë se “Çdo njeri ka të drejtën e jetës, lirisë dhe sigurisë personale”; Duke dënuar ashpër kërcënimin ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës;

    Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë bën thirrje për tolerancë, bashkëjetesë në paqe dhe respektim të dinjitetit dhe të drejtave të njeriut; Angazhohet për përjashtimin e çdo dhune dhe zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve në mënyrë miqësore; dhe shpreh mbështetje të fortë morale për Akademinë e Shkencave të Ukrainës dhe popullin ukrainas.

    Mund të përfundojmë se ndikimi rus përmes shkencës, arsimit dhe kulturës është afatgjatë, i vështirë për t’u zbuluar, shumë i përhapur dhe, mbi të gjitha, depërtues, për shkak të statusit të njerëzve të përfshirë, ndikimit të tyre të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në komunitetin e gjerë, si dhe mbulimi më i gjerë mediatik, i cili i kalon gjithë të tjerët.

    Rrjeti i ndikimit rus krijon përshtypjen e lidhjes, mbështetjes, përkatësisë, për dallim nga ato “të tjerët”, të cilat shpesh nuk kanë bazë në përfitimin real të shtetit dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, por janë gjithmonë të pranishëm dhe me këmbëngulje në opinionin e gjerë.

    Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari.

    Lajmi Paraprak

    KOPJIMI NË PROVIM | Naumovska: Provimet e maturës shtetërore eksterne të jepen në salla sportive

    Lajmi i rradhës

    KONTESTI RMV-BULLGARI | Mickoski: Ose do të poshtërohemi ose nuk do të hiqet vetoja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë