Vërshime dhe evakuime në disa komuna në Kosovë

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka publikuar raportin e përditësuar për situatën nga reshjet atmosferike gjatë orëve 22:00 – 08:00 të datës 11.01.2026, duke bërë të ditur gjendjen e rrugëve, lumenjve dhe ndërhyrjet emergjente në të gjithë territorin e Kosovës.

    Sipas raportit, Prishtina ka pasur vërshime në rrugën e Qagllavicës dhe në nënkalimet për Obiliq, kryesisht si pasojë e kanalizimeve të bllokuara.

    Në Fushë Kosovë, u raportuan vërshime në fshatrat Lismir, Kuzmin dhe Sllatinë e Madhe. Ndërkohë, rajoni i Mitrovicës kishte situatë kritike në lagjen “2 Korriku”, ku rreziku i daljes së lumit Sitnica nga shtrati ishte i mesëm.

    Operacioni parandalues për këtë zonë përfundoi me sukses, duke vendosur rreth 200 metra mur mbrojtës me thasë zalli, me pjesëmarrjen e AME, NJPZSH Mitrovicë Jugore dhe Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit të Kosovës.

    Në rajonin e Ferizajt, u raportuan pesë raste vërshimesh në fshatrat Prelez, Mohoc, Tërrnë dhe Balaj, ku dy të moshuar u evakuuan nga zona e rrezikut.

    Pompat janë aktive për të parandaluar përhapjen e ujit. Në rajonet e tjera, si Lipjan, Podujevë, Shtime, Prizren, Suharekë, Malishevë, Rahovec dhe Dragash, situata mbetet stabile dhe rrugët janë të kalueshme.

    Raporti nënvizon gjithashtu se reshjet e borës që kanë filluar në shumicën e komunave kanë zbutur rrezikun nga vërshimet, ndërsa kujdesi për të evakuarit vazhdon.

    Autoritetet theksuan se Qendra Operative e AME-së mbetet në gatishmëri të plotë për ndërhyrje emergjente, duke përfshirë aktivizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për mbështetje parandaluese.

    AME apelon tek qytetarët që të respektojnë sinjalizimin dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit, sidomos në zonat e përmbytura dhe pranë lumenjve. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Një vendvotim në Gostivar, nuk është hapur për shkak të kushteve klimatike

    Lajmi i rradhës

    “The Guardian”: pse ekonomia ruse nuk do të shembet edhe nëse çmimet e naftës bien ndjeshëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë