Vetëm dy shqiptarë në Inspektoratin e arsimit në Tetovë, MF nuk lejon punësime të reja

    Qendra e Tetovës/Fotografia: Nistori

    Edhe pse është rajoni i dytë më i madh pas Shkupit, Pollogu, i cili ka mbi 100 shkolla fillore dhe të mesme, shtatë çerdhe dhe tre universitete, ku mësimi në mbi 90 për qind prej tyre zhvillohet në gjuhën shqipe, në Inspektoratin e arsimit në këtë rajon ka vetëm 2 inspektorë shqiptarë. Drejtori i Inspektoratit shtetëror të Arsimit Halit Ferati fajin e hedh tek Ministria e Financave, e cila sipas tij, nuk lejon punësimet e reja.

    “Kjo është një temë shumë aktive që prej ardhjes time në krye të inspektoratit, por problemi kryesor është ligji aktual dhe nuk kemi hapësirë dhe mundësi të angazhojmë kuadrot e rinj. Problem i dytë po ashtu është edhe çështja e ministrisë së Financave e cila bën pengesa për dhënien e pëlqimeve. Dëshirë kemi shumë dhe duhet të shtohet numri i inpektorëve shqiptar në rajonin e pollogut dhe mundohem maksimum sepse reale është që janë vetëm dy inspektor shqiptar, kurse në rajone të tjera po ashtu kemi mungesë të inspektorëve dhe është pengesa juridike që nuk mund të gjejmë kuadër edhe me leçencë për inspektor”, deklaroi Halit Ferati, drejtor i Inspektoratit shtetëror të Arsimit.

    Jashar Kasami, ish drejtor i inspektoratit të arsimit në Tetovë, thotë se situata është më keq se para 20 vitesh, edhe atë, e gjitha, falë mos angazhimit të politikës shqiptare në këtë drejtim.

    “Vështirë është sepse inspektoret maqedonase kanë barriera gjuhësore për ta kryer punën si duhet. Dihet se nëpër këto shkolla pjesa më e madhe zhvillon mësimin dhe mban evidencën pedagogjike në gjuhën shqipe dhe këta inspektore shkaku i barrierave gjuhësore kanë vështirësi në realizimin e punëve. Realisht kjo është neglizhencë e faktorëve politik që i kemi në udhëheqje në pushtet ekzekutiv por edhe e ministrisë sonë. Jo që se dinë por mendojnë se ëstë pak punë kjo”, tha Jashar Kasami, inspektor në pension i arsimit.

    Mungesa e inspektorëve shqiptarë nuk është problemi i vetëm që ka inspektorati. Inspektoratit i mungojnë edhe vetura për të dalë në teren. Ndërsa investime në zyra nuk janë bërë me arsyetimin se objekti ku është i vendosur ky Institucion nuk është në pronësi të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nxënësit në RMV nuk do të marrin njohuri të plota / Mësimdhënësit të pakënaqur nga koncepti i ri mësimor

    Lajmi i rradhës

    Ministrat në rolin e zëdhënësve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë