Vijon publikimi i kandidaturave për zgjedhjet lokale

    LSDM sonte do të vendosë për pjesën më të madhe të kandidatëve të saj për kryetarë të Komunave. Pa mos dhënë më shumë detaje nga partia e Zaevit thonë se Komiteti Ekzekutiv i partisë pas mbledhjes së sonte do të zyrtarizojnë kandidatët për pjesën e mbetur të komunave. Deri më tani  partia në pushtet ka zyrtarizuar 35 kandidatura për kryetar komunash, mes të cilëve për Haraçinën, Gazi Babën, Ohrin, Shtipin e Berovën. Edhe pse ende nuk ka konfirmim zyrtar për qytetin e Shkupit pritet të rikandidohet kryetari aktual Petre Shilegov, i cili ka marrë mbështetje publike nga kreu u partisë Zoran Zaev.

    Ndërsa nga VMRO-DPMNE thonë se ende punojnë për zgjedhjen përfundimtare të kandidatëve. Nga partia e Mickovskit, në dy konferenca për shtyp kanë bërë zyrtare rreth 45 kandidatura, në mesin e të cilave për Kumanovën, Gjorçe Petrovin, Butelin dhe Ohrin. Nënkryetari i partisë, Aleksandër Nikollovski tha se së shpejti do të vendosen edhe kandidatët për komunat tjera si edhe për qytetin e Shkupit.

    Lidhur me zgjedhjet lokale dhe kandidaturën për Qytetin e Shkupit, organet e partisë do të takohen në fillim të javës së ardhshme, e atëherë do ta kompletojmë përbërjen e atyre komunave që nuk i kemi publikuar gjatë dy rasteve të para, e për të cilat ende vazhdon vlerësimi, si dhe për kandidatin për Qytetin e Shkupit”, tha Aleksandar Nikollovski, Nënkryetar VMRO-DPMNE.

    Lidhur me koalicionimet, Nikollovski thotë se me ASH-në dhe AAA-në kanë bisedime intensive, dhe në afat prej 7 ditësh do të dalin me plan dhe platformë konkrete. Ndërsa nga ASH të zyrtarizuara i kanë katër komunat të cilat për momentin i udhëheqin, si dhe kandidaturën për Dibrën dhe Zhelinën. Ndërsa për komunat e tjera do të vendosin me Alternativën si partner koalicioni.

    Nga Lëvizja BESA thonë se mbesin në qëndrimin që në këto zgjedhje do të kandidojnë të vetme si parti. Sekretari i përgjithshëm Arianit Hoxha thotë se të konfirmuara mbesin kandidaturat për Tetovën dhe Gostivarin.

    Kryetari i partisë do të kandidojë për Tetovën, deputeti dhe nënkryetari i partisë Fadil Zendeli do të kandidojë për Gostivarin, e normal edhe pjesa tjetër e udhëheqësisë që janë në kombinim për në komunat prej tek të cilat vijnë”, pohoi Arjanit Hoxha, Lëvizja BESA.

    Nga BDI, një javë më parë i kanë bërë të ditura të gjitha emrat e kandidatëve për zgjedhjet lokale, por të cilat thonë se do të zyrtarizohen në kongresin e partisë. Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 17 tetor./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Shkupi i gatshëm të përballet me valë të re refugjatësh afganë

    Lajmi i rradhës

    Fillon prezantimi i librave digjitalë nëpër shkolla

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë