Viti 2023, viti i paqartësive për Maqedoninë e Veriut

    Buxhet i madh prej 5.3 miliardë euro, me shpenzime të mëdha të shtetit dhe me pikëpyetje se sa do të realizohen të ardhurat e planifikuara. Premtime për investime të mëdha kapitale prej 800 milion euro , dhe luftë për të zbutur pasojat e krizës dhe inflacionit të madh. Kështu e vlerësojnë ekonomistët propozim buxhetin për vitin e ardhshëm.

    SFIDA TË MËDHA

    Për profesorin universitar Neritan Turkeshi, viti 2023 do të jetë përplot sfida të mëdha për vendin në rrafshin politik dhe ekonomik.

    “Njëra nuk shkon pa tjetrën. Zhvillimi ekonomik vitin e ardhshëm do të varet edhe prej faktorëve të jashtëm si ajo e zhvillimeve në Ukrainë, stabilitetit më të madh rajonal,ecurive në ekonominë gjermane ku dominon eksporti vendor. Varet edhe prej zhvillimeve të brendshme, si dhe zgjedhjeve eventuale të parakohshme në vitin e ardhshëm që si zakonisht e ngadalësojnë ekonominë, realizimit më në fund të një maksimumi të investimeve kapitale që janë planifikuar në vlerën prej 800 milionë euro me të dhëna të mëdha që vite nuk ndryshojnë për paga dhe pensione”, thekson Turkeshi.

    Pra, struktura e buxhetit është e ngjashme me vitet e kaluara me një dominim të aspektit social, dhe në letër të atij zhvillimor që do të shohim sa do të realizohet, prej të cilit edhe varet zhvillimi në përgjithësi i ekonomisë.

    Për më tepër, sfidë mbeten reformat, proceset eurointegruese që mund të ngadalësojnë apo përshpejtojnë ekonominë të mbështetura edhe me fonde shtesë evropiane në rast se fillojnë negociatat dhe vendosen bullgarët në Kushtetutë.

    “Nuk duhet anashkaluar as reformat në administratë dhe në gjyqësor, si dhe luftën më të madhe ndaj korrupsionit, për të cilën në kohët e fundit janë mjaft të zëshëm edhe zyrtarët e administratës amerikane, por edhe ato të Brukselit”, konstaton Turkeshi.

    Sipas tij, një tregues i rëndësishëm se si do të lëvizë ekonomia në vend , do të jetë edhe përfundimi më në fund apo së paku afrimi kah fundi i ndërtimit të autostradës Kërçovë-Ohër.

    RREZIK NGA STAGFLAICONI

    Nga ana tjetër, nga institute ekonomik Fajnens Think vlerëson se buxheti po miratohet në kushte të një paqartësie të theksuar, me intensifkimin e tendencave të mëtejshme të stagflacionit me inflacion të lartë. Ulje të aktivitetit ekonomik dhe standardit jetësor dhe me rritje të ngadalshme ekonomike , që prite të materializohen edhe më shumë në gjashtë muajt e parë të vitit 2023. “Propozimi i buxheti I vitit t 2023 parasheh rritje të shpenzimeve buxhetore për 12.6 për qind , që është një projeksion i lartë dhe i pa arsyeshëm i shpenzimeve, nëse merret parasysh rreziku i realizimit të të hyrave dhe synimi për konsolidim fiskal. Megjithatë, synimi për konsolidim fiskal është më i dukshëm në segmentet e pagave për administratën publike dhe shpenzimeve”, thuhet në analizë. Të hyrat buxhetore, duke shtuar se veçanërisht të hyrat nga tatimet , janë projektuar në një nivel veçanërisht të lartë dhe do të realizoheshin vetëm nëse nuk ngadalësohet rritja e çmimeve, gjë që do të ishte një rezultat i pafavorshëm për standardin e jetesës së qytetarëve.

    Gjithashtu, shqetësues është rritja e parashikuar e zërit transferta të tjera, prej 11.5 për qind , duke qenë se përveç transfertave në njësitë e vetëqeverisjes lokale , në këtë zë përfshihen edhe subvencionet dhe transfertat e tjera, përshtatshmëria, efikasiteti dhe efektiviteti i të cilave mbeten në “ kutinë e zezë”. Konkretisht, edhe përkundër të gjithë apeleve të opinionit të ekspertëve vendor dhe atyre ndërkombëtar për racionalizimin e këtyre shpenzimeve dhe lidhjen e tyre me rezultate konkrete, ende nuk është bërë një hap më i madh dhe ky zë përmban elemente dominues të shpenzimeve joproduktive dhe jo thelbësore.

    Gjithashtu, në një mjedis inflacionist, një rritje e ndjeshme e këtij zëri mund të përbëjë një rrezik të veçantë. Deficiti i buxhetit prej 4.6 për qind e Prodhimit të brendshëm bruto do të jetë më i madh për shkak të rrezikut të mos realizimit të të ardhurave të planifikuara në arkën e shtetit dhe rrezikut që të mos realizohet rritja e planifikuar ekonomike. Pritet edhe shkurtimi i shpenzimeve kapitale që në rishikimin e parë të buxhetit në vitin 2023, konkludon analiza e Fajnes Think.

    BUXHET PËR SIGURI DHE STABILITET

    Në ndërkohë, Kryeministri, Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi, duke prezantuat Propozim buxhetin për vitin 2023, atë e vlerësuan si buxhet për siguri, stabilitet, i çili do të reagojë ndaj krizës dhe do të vendosë bazat për rritjen e mëtejshme ekonomike.

    “Propozim buxheti për vitin 2023 është baza e vizionit tonë për Republikën e Maqedonisë së Veriut si vend stabil, me prosperitet ekonomik dhe të avancuar, dhe si vend anëtar i ardhshëm i BE-së. Gjatë 10 muajve të fundit, kemi bërë përpjekje të mëdha dhe kemi arritur ta mbrojmë ekonominë dhe standardin e jetesës së Maqedonisë, por tani është koha që të mendojmë se si të ecim përpara dhe si të bëjmë më mirë,” thotë kryeministri Kovaçevski.

    Ai shtoi se angazhimet e tij si kryeministër dhe si Qeveri janë mundësimi i sigurisë, e ardhmja më e mirë dhe prosperitet për të gjithë qytetarët në këtë vend, aspirimi drejt kushteve dhe mënyrës së jetesës evropiane sepse qytetarët meritojnë të kenë atë që e kanë edhe qytetarët e BE-së.

    Kryeministri Kovaçevski theksoi se me Buxhetin në vitin 2023 parashihet të sigurohen 250 milionë euro mjete për masat anti krizë, 120 milionë euro më shumë për pensionistët, 57.5 milionë euro më shumë për komunat, 63 milionë euro më shumë për shërbimet shëndetësore dhe karakteristikë kryesore është se për shpenzimet kapitale janë projektuar 800 milionë euro, për të cilat theksoi se do të përpiqet të ketë realizim të lartë. Ministri i Financave thekson se ky është buxheti i parë i hartuar sipas Ligjit të ri të Buxheteve, si dhe se struktura e tij ndryshon me pjesëmarrje më të madhe të investimeve kapitale në buxhet.

    “Ky është buxhet zhvillimor, duke pasur parasysh që investimet kapitale janë më të larta se deficiti buxhetor”, potencoi ministri Besimi dhe theksoi se mjetet nga buxheti destinohen atje ku japin efektin më të madh për arritjen e qëllimeve ekonomike për zhvillim dhe rritje të përshpejtuar. “Kjo do të kontrollohet nga treguesit dhe politikat e caktuara për matjen e rezultateve nga zbatimi i tyre”, tha Besimi.

    Ministri theksoi gjithashtu se me anë të këtij propozimi ulen shpenzimet joproduktive, si mëditjet për udhëtime pune, për automjete zyrtare etj., në përputhje me Planin e qëndrueshmërisë fiskale dhe në drejtim të konsolidimit fiskal.

    “Zvogëlohen kostot joproduktive si mëditjet për udhëtime pune, për automjete dhe kostot e tjera joproduktive. Parashihet rritje prej 5 për qind për pagat, ku përfshihet efekti i rritjes së pagës minimale, ndërsa për mallrat dhe shërbimet parashihet rritje prej 2 për qind për rritjen e kostove të energjisë elektrike dhe energjenseve për shkak të rritjes së çmimit”, theksoi Besimi.

    Ndryshe , në kuvend po vijon debati për buxhetin e vitit të ri që, edhe pritet të miratohet në javët e ardhshme. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Gratë në politikë nuk mbështeten as nga partitë e tyre

    Lajmi i rradhës

    Vetëm 18 institucione shtetërore në RMV janë të regjistruara në kadastër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë