Viti shkollor në RMV fillon pa tekste mësimore

    Vitin e ri shkollor 2023/2024 nxënësit e klasës së tretë dhe të së gjashtës në Maqedoninë e Veriut e kanë filluar pa tekste mësimore, pasi ato ende nuk janë gati, në bazë të planprogrami të ri mësimor të aplikuar nga viti 2020.

    Derisa tekstet mësimore të shtypen, Byroja e Zhvillimit të Arsimit në vend ka përgatitur materiale plotësuese, me të cilat në formë elektronike do të mund të shërbehen, si nxënësit, ashtu edhe mësimdhënësit.

    Por, mësimdhënësit thonë se zhvillimi i procesit mësimor bëhet shumë i vështirë pa tekste shkollore, pasi jo të gjithë nxënësit kanë mundësi të shërbehen me pajisje elektronike në çdo kohë.

    “Sigurisht (mungesa e librave) se na e vështirëson shumë punën edhe neve, si mësues, zhvillimi i orës mësimore, por edhe nxënësve kur duhet të përsërisin mësimin. Vërtet, nuk dimë si t`ia dalim mbanë tani pa tekste mësimore”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Venera Halimi, mësimdhënëse e gjuhës angleze në Shkollën Fillore “Ismail Qemali” në Çair të Shkupit.

    Ndërkohë, Tomisllav Gievski, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e teksteve shkollore me vite, është ajo që ka çuar në uljen e cilësisë së mbarëvajtjes së procesit mësimor.

    “Realizimi, zhvillimi i mësimit pa libra, është jofunksional. Libri shkollor është mjeti thelbësor për funksionimin normal të mësimit, përkatësisht zhvillimit të procesit edukativo-arsimor. Pra, e ritheksoj mësimi do të jetë më pak cilësor nga ai që e kemi pasur me libra shkollorë”, thekson Gievski.

    Prindërit ankohen se në mungesë të librave, mbeten shumë të angazhuar gjatë përsëritjes së njësive mësimore me fëmijët tyre në shtëpi.

    Angelina Dodevska, djali i së cilës këtë vit është në klasën e gjashtë, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndihet e shqetësuar që i biri vitin shkollor e fillon pa libra, veçanërisht pasi bëhet fjalë për një klasë ku shtohet dukshëm numri i lëndëve.

    “Tani që u shtohen 10 lëndë mësimore për klasën e gjashtë, kjo gjeneratë fillon të mësojë pa tekste shkollore. Kjo edhe më shumë e vështirëson procesin arsimor për nxënësi”, shprehet Dodevska, duke shtuar se si nënë e tre fëmijëve shkollarë, mbetet shumë e angazhuar gjatë zhvillimit të detyrave pasi në mungesë të librave fëmijët, kërkojnë ndihmë nga ajo.

    Ministria e Arsimit: Në mungesë të librave janë aktivizuar platformat elektronike

    Nga Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut theksojnë se tekstet shkollore që janë në proces, përkatësisht tekstet shkollore për klasën e gjashtë, do të dorëzohen gjatë muajit shtator, pra menjëherë pasi të kenë kaluar të gjitha fazat e procesit të miratimit.

    Në bazë të Ligjit për arsim, të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe ata të mesme me tekstet shkollore pajisen falas.

    Nga ky dikaster theksojnë se derisa të pajisen me tekstet shkollore, nxënësit do të mund të shërbehen me materiale ndihmëse, të cilat mund t’i gjejnë në faqen e Byrosë së Zhvillimit të Arsimit,

    “Tekstet për klasën e tretë janë miratuar dhe procedura për shtypjen dhe dorëzimin, është në proces. Të gjitha lëndët janë miratuar dhe janë në fazën e rregullimit tekniko-grafik dhe printimit. Kështu që sot, nesër, në fillim të javës do të dorëzohen vazhdimisht. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me tekstet e klasës së gjashtë, të cilat janë në fazë të avancuar miratimi nga Komisioni Kombëtar i Teksteve. Pastaj mund të ketë procedurë ankimore nga autorë të caktuar, por deri në fund të shtatorit do t’u dorëzohen të gjithë nxënësve”, ka deklaruar ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, një ditë para fillimit të vitit shkollor.

    Nga Ministria e Arsimit gjithashtu kanë bërë të ditur se do të shpërndajnë edhe doracak pune po në formë elektronike për mësimdhënësit, për t`u shërbyer gjatë kohës që do të mungojnë tekstet shkollore.

    Ndryshimi i librave krahas gabimeve të shumta pason reformat e iniciuara nga dikasteri i arsimit në vitin 2020 ku në fokus është vendosur nxitja e mendimit kritik te nxënësit, si dhe angazhimi në projekte praktike.

    Megjithatë, nga ekspertët e arsimit, prindërit dhe mësuesit ky koncept është thënë se nuk përputhet me mundësitë dhe kushtet që kanë shkollat pasi një pjesë e madhe e shkollave përballen me mungesën e kushteve elementare.

    Lajmi Paraprak

    Tepria e hekurit – Reagimet e rrezikshme të lëkurës

    Lajmi i rradhës

    Në Shqipëri përmes Rrugës së Arbrit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë