VLEN dhe BDI: i kemi mbledhur nënshkrimet e nevojshme për president

    Koalicioni VLEN thotë se kandidati i saj Arben Taravari në kohë rekord ka arritur të sigurojë mbi 10 mijë nënshkrime për kandidaturën për president. Opozita shqiptare theksoi se nëse KSHZ-ja do të kishte kapacitet më të madh, firmat për Taravarin do të grumbulloheshin brenda një dite.

    “Në një afat rekord prej 24 orëve u mblodhën nënshkrimet e mbështetësve për certifikimin e kandidatit të koalicionit VLEN për president, doktor Arben Taravari. U mblodhën shpejtë dhe pa mundim 10 mijë nënshkrime të nevojshme sepse Arbeni është ndryshe dhe Arbeni ia vlen. Sikur KSHZ-ja të kishte pasur kapacitete të nevojshme, me siguri se nënshkrimet do të ishin mbledhur brenda 1 dite pune”, deklaroi Bashkim Bakiu, koalicioni VLEN.

    Ndërkohë edhe Bujar Osmani i BDI-së ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme për zyrtarizimin e kandidaturës së tij për president. VLEN akuzoi se për grumbullimin e nënshkrimeve për Osmanin është ushtruar presion ndaj administratës.

    “Kishim informacione, në fakt shihet se është i bërë presion administratës që të dilet të nënshkruhet. Ajo u pa sepse e dini ne arritëm brenda 24 orëve të mbledhim nënshkrimet ndërsa BDI-së i duheshin minimum tre ditë, në fakt prej të premtes deri të hënën 4 ditë”, shtoi Bashkim Bakiu, koalicioni VLEN.

    Osmani një ditë më parë njoftoi plotësimin e kushtit kurse nga KSHZ-ja njoftuan se për të kanë firmosur 10 528 votues. BDI-ja kërkoi mbështetje nga të gjithë votuesit në zgjedhje.

    “Na duhen të gjithë votat, edhe të shqiptarëve, edhe të maqedonasve dhe të gjithë të tjerëve që të na mundësohet ta ndryshojmë Kushtetutën njëkohësisht edhe për zgjedhjen e presidentit në Kuvend, edhe për ndryshimet kushtetuese që burojnë nga marrëveshja për fqinjësi të mirë, dhe të vazhdojmë me vendosmëri drejt BE-së. Qytetarët duhet ta fokusojnë votën e tyre për partinë më të fuqishme shqiptare me të cilën do të arrihet qëllimi dhe do të pengohet ndikimi rus”, deklaroi Arbër Ademi, BDI.

    Ndërkohë deri nga kandidatët e tjerë në garë më afër mbledhjes së nënshkrimeve deri mbrëmë ishte edhe Maksim Dimitrievski me mbi 8000 firma të mbledhura, Biljana Vankovska me mbi 6000 dhe Stevço Jakimovski me mbi 4000.  Të gjithë kandidatët e tjerë nga lista, deri mbrëmë kanë marrë më pak se 1000 nënshkrime kurse në listë ka edhe me vetëm dhjetëra ose aspak nënshkrime.  Gjithsej në listën e KSHZ-së janë 11 kandidatë dhe kandidatja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska Davkova që ka paralajmëruar mbledhjen e nënshkrimeve më vonë gjatë procesit, pas konfirmimit në Konventën e partisë më 2 mars.  Kandidaturën duhet ta konfirmojë edhe Stevo Pendarovski, nëpërmjet dy metodave 30 nënshkrimeve nga deputetët ose 10 mijë nënshkrime nga qytetarët. Pendarovski nuk e ka thënë akoma fjalën e fundit.  Nënshkrimet për kandidatët mblidhen në zyrat rajonale të KSHZ-së çdo ditë, deri më 8 mars. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nëna nuk vdiq, nëna u dogj, e për këtë do ketë përgjegjësi…

    Lajmi i rradhës

    Murtezi: koalicioni VLEN do t’i fitojë deri 20 deputetë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë