VMRO e vetme, pa shqiptarët

    VMRO-DPMNE përsërit pothuajse pa ndërprerje kërkesën për zgjedhje të shpejta të parakohshme në pranverë.

    “Fatkeqësisht, ne nuk shohim shumë reagim dhe për këtë arsye mënyra më e mirë për të zgjidhur këtë krizë janë zgjedhjet e shpejta të parakohshme, më së voni në pranverë 2023. Sepse nuk duhet të harrojmë se kriza do të zgjasë edhe pak, dhe se vjen një dimër edhe më i vështirë, e ai është dimri i vitit 2023”, tha të dielën nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski. Të njëjtën kërkesë ka bërë edhe dje, kësaj radhe kryetari i partisë, Hristijan Mickoski.

    “Përderisa Maqedonia ka shumë probleme, ai me guxim vendos si humorist të më ofendojë mua dhe VMRO-DPMNE-në gjatë shfaqjeve të tij. Nëse është kaq trim, le të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, që populli të vlerësojë se kujt do t’i besojë”, tha Mickoski për kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

    Për thirrjet e përditshme të VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të parakohshme flasin edhe disa nga analistët politikë. Ata shprehen se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në termin të rregullt në vitin 2024, ndërsa gjatë periudhës që pason do të jemi dëshmitarë të ndryshimeve kushtetuese. Sipas tyre me kyçjen e mundshme të ASH-së në Qeveri, mund të ndodh që VMRO-DPMNE të mos ketë koalicion me asnjë parti shqiptare duke pasur parasysh qëndrimet e kundërta mes tyre.

    “Diskursi politik dhe i etabluar me një retorikë prepotente dhe populiste nga ana e VMRO-DPMNE-së, e ka bërë që kjo parti të zvetënojë kapacitetin kooperues dhe koalicionues me faktorin politik shqiptar. Andaj është mu ky fakt që e bënë këtë subjekt politik të duket e vetmuar pa zërin kritik opozitar shqiptar. Është në natyrën e opozitës kudo për të kërkuar zgjedhje të parakohshme. Por shtrohet pyetja se a janë zgjidhje zgjedhjet e parakohshme kur ata të rregullta duhet të mbahen në kohë prej një viti e gjysmë. Jo çdo herë zgjedhjet janë zgjidhje, aq më tepër kur sipas konceptit kushtetues të vendit zgjedhje të parakohshme janë të mundshme vetëm në një moment pra- vetëm kur Kuvendi me shumicë votash vetëshpërndahet. Dhe shpesh shumicat parlamentare këto tre decenie e kanë keqpërdorë këtë mundësi pa asnjë arsye të shkojnë në zgjedhje të parakohshme por vetëm me synimin politik partiak kur kanë vlerësuar se përsëri do të fitojnë zgjedhjet dhe për të kapur plus një mandat të ri”, ka deklaruar për KOHA, Qenan Aliu, analist.

    Zërat për zgjedhje të parakohshme parlamentare nga ana e VMRO-DPMNE, edhe pse janë shtuar dukshëm ditëve të fundit, por unë mendoj se kjo më tepër ka të bërë me marketing politik dhe për të mbajtur elektoratin nën kontroll, thotë analisti politik Berat Azizi.

    “Në anën tjetër në bazë të zhvillimeve politike në vend dhe rajon, mendoj se partia opozitare maqedonase nuk është edhe aq e interesuar për zgjedhje të parakohshme parlamentare për shkak të presionit që ka vendi nga Bashkimi Evropian, për të pranuar propozimin francez. Janë shumë të vetëdijshëm se nuk ka integrim të vendit në BE pa bërë ndryshimet kushtetuese dhe në këtë mënyrë ata i shmangen përgjegjësisë para opinionit dhe elektoratit të tyre”, thotë Berat Azizi, analist. Sa i përket asaj se VMRO mbetet e vetmuar, ai thotë se nuk do të reflektojë shumë sepse koalicionet ndërtohen pas zgjedhjeve duke pasur parasysh interesat politike partiake dhe grupacioneve të ndryshme gjë që është dëshmuar edhe më herët këtu tek ne.

    “Futja e ASH në qeveri nuk paraqet ndonjë pengesë për partinë maqedonase VMRO-DPMNE, por do të prish ekuilibrat opozitar në taborin politik shqiptar sepse mbetet vetëm BESA parti shqiptare në opozitë. Është pak e vështirë të parashikojmë se do të kemi zgjedhje të parakohshme apo jo, sepse situata nga momenti po ndryshon jo vetën më Maqedoninë e Veriut por edhe në rajon. Në rast se qeveria arrin të bëjë ndryshimet kushtetuese atëherë më siguri se interesi i kësaj qeverie do të jetë shkuarja në zgjedhje të parakohshme ku do të siguronte një komoditet të plotë si koalicion qeveritar shumëpartiak, ndërsa nëse nuk ka ndryshime kushtetuese atëherë qeveria gjegjësisht LSDM e cila ka një rejting të ulët nuk ka interes të shkojë në zgjedhje të parakohshme sepse me automatizëm do të shkojë në opozitë. Pra e gjitha besoj se do varet nga ndryshimet kushtetuese”, ka deklaruar për KOHA, Berat Azizi, analist. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Dibër, ushqimet që përfundojnë në kontejnerë!

    Lajmi i rradhës

    Veliçkovska nga USAID: Në rrjetet sociale konsumohet informacion i pafiltruar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë