Gjysma e popullatës në RMV pothuajse vuan për bukë, por një numër i madh i tyre hedhin ushqimin në kontejner

    Maqedonia e Veriut ka gati gjysmën e popullatës e cila vuan edhe për kafshatën e gojës, por gjithashtu ka një numër të madh të atyre që të njëjtën e kanë me tepricë dhe që gjysmën e saj edhe e hedhin. Arsye që ushqimi në Maqedoninë e Veriut po hidhet aq shumë, në vend që të ndahet me ata që kanë mungesë të ushqimit sipas Shoqatës Edukative “Vllaznia” është mungesa e diturisë rreth asaj se për çka duhet të ju shërbej pasuria atyre që e kanë. Para disa ditësh ishte edhe raporti për indeksin e mbeturinave ushqimore të OKB-së që tregoi se Maqedonia e Veriut në nivel botëror radhitet në vendin e 8 sa i përket sasisë së mbeturinave ushqimore për kokë banori.

    Sipas këtij raporti, “Çdo individ në vend, për një vit hedh mesatarisht 83 kilogramë ushqim. Ushqimi i prodhuar apo i importuar i cili asnjëherë nuk konsumohet nga qytetarët e Maqedonisë shkon gati në 30%”. Ky informacion duhet që të ngrejë alarmin tek të gjithë, e sidomos tek ata që po e shpërdorojnë ushqimin.

    Vlerësimet janë se ushqimi që hedhim shkon nga 10 deri në 12 ton, e të cilat munden që në ditë të sigurojnë tre vakte të ushqimit për 26.000 qytetarë. Sipas një deklarate të Shoqatës Edukative “Vllaznia” të dhënë për gazetën KOHA, lehtë e dukshme është rritja e varfërisë në vendin tonë, pasi dukshëm është shtuar numri i atyre që kërkojnë ndihmë, ndërsa çdo ditë më e shumë në ulje është numri i njerëzve bamirës.

    “Janë rritur kërkesat për ndihmë, derisa po zvogëlohet numri i donacioneve nga donatorët. Me këtë nënkuptojmë se varfëria ka ndikuar edhe tek donatorët, dhe jo vetëm tek familjet që tashmë kanë qenë raste sociale”, thanë nga kjo shoqatë.

    Nga atje, për gazetën tonë folën edhe rreth papërgjegjësisë së njerëzve të pasur të cilët në vend se të ndihmojnë skamnorët, ata po keqpërdorin atë pasuri që e kanë duke e hedhur nëpër mbeturina.

    “Të pasurit janë kategoria më hibride në këtë kohë. Nuk janë të pasur të traditës që krahas pasurisë që kanë, të kenë edhe karakterin kulturorë. Ajo që besojmë është se atyre ju mungon edhe ideja se për çka ju shërben pasuria, pasi pasuria e atyre që jetojnë në këto troje është pasuri e cila ndërlidhet ngushtë me pushtetin, kurse të pasurit e kurbetit janë një kategori të cilës gjithashtu i mungon njohuria se për çka duhet të përdoret pasuria. Mendimi jonë është se populli jonë ka mungesë të edukimit rreth pasurisë, si ata që kanë pasuri edhe ata që kanë varfëri”, përfunduan deklaratën nga kjo organizatë bamirëse.

    Edhe tani në periudhën e fetave të fundvitit derisa i urojmë njëri-tjetrit shëndet, lumturi, bashkim, ende nuk na shkon ndërmend se njeriu nuk mund të jetë i lumtur përderisa është i uritur. Kjo kategori e qytetarëve po harrohet edhe nga institucionet shtetërore të cilat janë të obliguara të sigurojnë ushqim për ata që nuk kanë mjaftueshëm. Nuk duhet të bëhet përpjekje e madhe, thjeshtë atë ushqim që ju tepron ta jepni nëpër organizatat bamirëse të cilat kanë njerëz të mirë që ushqimin e ndajnë me të varfrit. /koha.mk/

    Lajmi Paraprak

    Drejt krizës së re politike!

    Lajmi i rradhës

    OJQ-të: 12% e popullatës në RMV është me disleksi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë