Mes shumë qytetarëve që prisnin para dyerve të Klinikës “Nënë Tereza” në Shkup, Naxhia Bejlurovën e takuam para hyrjes së Institutit Universitar të Radiologjisë, duke pritur të merrte rezultatet. Ajo thotë se vuan nga dhimbje në shtyllën kurrizore.
“Rezultatet vonohen shumë. Disa thonë pas pesë ditësh, të tjerë pas shtatë – nuk di kujt t’i besosh. Ja, sot erdha dhe më thanë të pres 45 minuta që të përgatitet CD-ja, për të marrë rezultatin. Por ja, tani do të shoh nëse është gati. Burri im, që nga 10 tetori 2024 kur bëri incizimin kompjuterik, ende nuk ka marrë rezultatin”, tha Naxhia Bejlurova – Qytetare.
Pasi zonja Bejlurova mori më në fund rezultatin e shumëpritur, kalvari i saj nuk përfundon aty, pasi tani do t’i duhet të presë edhe para dyerve të repartit të Neurologjisë.
“Pas këtyre rezultateve, ku do të drejtoheni?”“ Tani do të shkoj në Neurologji. Edhe atje pritet shumë. Ka rrëmujë, nuk ka mjekë… ç’të them, kur dihet si është gjendja e shëndetësisë. Bëj thirrje që t’i kushtohet më shumë rëndësi këtij sektori, sepse ka njerëz që vijnë edhe nga qytete të tjera. Ne jemi nga këtu dhe mezi arrijmë, paramendoni dikë nga një qytet tjetër që duhet të vijë”, shtoi ajo.
Një qytetar tjetër nga Velesi, i cili priste rezultatet e rezonancës magnetike të bashkëshortes, thotë se pret tashmë më shumë se dy muaj dhe ende nuk ka raport përfundimtar.
“Më thanë pas 30 ditësh, por ja tani kanë kaluar 60 ditë – që nga 29 prilli – dhe ende nuk ka raport. I luta të më jepnin të paktën CD-në, e raportin më vonë. Për çfarë konkretisht po prisni raportin?” “Për rezonancën magnetike të kokës për bashkëshorten. Ajo ka kancer në fazën e tretë dhe ndoshta ka nevojë për operacion urgjent. Por ja, dy muaj po presim… ndoshta do të ndërrojë jetë, e pastaj do ta marrim rezultatin”, tha Angel Trajkovski, qytetar.
Përveç këtyre dy pacientëve që presin me muaj të tërë për rezultatet, para hyrjes së Institutit Universitar të Radiologjisë kishte edhe shumë qytetarë të tjerë, të cilët pas kamerave numëronin muajt e pritjes për një raport.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se arsyet e vonesave në dhënien e rezultateve dhe caktimin e terminëve në kohë në repartin e Radiologjisë varen nga faktorët si përparësia e referimit (urgjente, rutinë ose prioritare), ngarkesa aktuale e punës, stafi mjekësor i disponueshëm, si dhe numri dhe funksionaliteti i pajisjeve. Ndërsa shtojnë se vetëm në muajin prill, janë krijuan rreth një mijë terminë për tre pajisjet e imazherisë me rezonancë magnetike, mbi dy mijë terminë për tre pajisjet e tomografisë kompjuterike dhe mbi katër mijë terminë për gjashtë pajisjet diagnostikuese me rreze X. Dinamika të tilla sipas ministrisë së shëndetësisë, përfaqësojnë sfidë logjistike dhe kohore për mirëmbajtjen e vazhdueshme të cilësisë. /Alsat/