Votohen ndryshimet në ligjet për shoqatat dhe partitë politike në RMV

    Kuvendi i RMV-së sot në vazhdimin e seancës së 88-të miratoi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për shoqata dhe fondacione, të parashtruara nga VMRO-DPMNE-ja, dhe të Ligjit për partitë politike me propozim të LSDM-së me procedurë të shkurtuar.

    Për ndryshimet e Ligjit për shoqata dhe fondacione “për” votuan 67 deputetë, asnjë kundër dhe “të përmbajtur”, ndërsa numri i njëjtë i deputetëve votuan „për” edhe për Ligjin për partitë politike, pa asnjë kundër dhe të përmbajtur.

    Në arsyetimin për ndryshimet e Ligjit për shoqata dhe fondacione, deputetja nga VMRO-DPMNE-ja Rashella Mizrahi tha se në tetë muajt e fundit “jemi dëshmitarë të tentimeve për rishikim dhe shtrembërim të të vërtetave historike në shtet”.

    “Njerëzimi ende mban vragat e gjenocidit dhe pastrimit etnik, racizmit, antisemitizmit dhe ksenofobisë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare dhe të gjithë ne kemi përgjegjësi të madhe në parandalimin e këtyre ligësive. Të vërtetën e tmerrshme për fashizmin dhe nazizmin duhet doemos ta mbrojmë të gjithë së bashku nga ata që e mohojnë. Duhet të forcojmë përkushtimin moral dhe politik të Qeverisë sonë dhe institucioneve në mënyrë që të sigurojmë mundësinë që gjeneratat e ardhshme t’i kuptojnë arsyet e pandemisë së urrejtjes dhe marrëzisë nga Lufta e Dytë Botërore, në të cilën Maqedonia dha më shumë se 25 000 viktima, nga të cilat 7 144 hebrenj”, tha Mizrahi.

    Ndërsa në arsyetimin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për partitë politike, deputetja e LSDM-së Snezhana Kalevska Vançeva tha se që të dyja ligjet kanë një qëllim të njëjtë.

    “Ai qëllim rezulton edhe nga neni 20 i Kushtetutës, por plotësohet me atë që do të thotë sfida të kohërave të reja, që kontribuojnë në krijimin e nevojës për ndryshime të këtilla, edhe qëllimi i propozim ligjit që përmban dy dispozita është rritje e transparencës dhe distancim nga gjithë ajo që do të thotë fashizëm, nazizëm, nacional-socializëm dhe garantim të sigurisë juridike të qytetarëve, karakteristike për një shtet demokratik, të qytetëruar dhe juridik.

    Ndryshimet e propozuara ligjore të dy partive vijuan pas hapjes së klubeve bullgare në vend me emrat “Vanço Mihajllov” më 16 prill në Manastir dhe “Mbreti Borisi i Tretë” më 7 tetor në Ohër. Deputetët më 17 tetor dhanë mbështetje me procedurë të shkurtuar të miratohet Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqatat dhe fondacionet, të parashtruar nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.

    Me ndryshimet dhe plotësimet e miratuara, në Ligjin për shoqata dhe fondacione neni 4, paragrafi 2 ndryshon dhe në të thuhet “Ndalohet themelimi i organizatës nëse programi, qëllimet, veprimtaritë dhe veprimi i saj është i orientuar drejt rrënimit të dhunshëm të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë, nxitje dhe thirrje për agresion ushtarak, si dhe nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore, fetare ose padurim, jotolerancë, urrejtje, gjenocid, ekstreminim, përhapje dhe mbështetje, nxitje dhe aprovim të fashizmit, nazizmit, nacional-socializmit dhe Rajhut të Tretë, ndërmarrje të aktiviteteve që janë të lidhura me terrorizëm, ndërmarrje të aktivitete që bien ndesh me Kushtetutën ose ligjin dhe ndërmarrje të aktiviteteve me të cilat shkelen liritë dhe të drejtat e personave të tjerë”.

    “Si emër, emër i shkurtuar dhe/ose emërtim të organizatës nuk mund të përdoren emra, mbiemra, nofka, pseudonime, shkurtesa dhe iniciale, të personave që për çfarëdo arsye, mënyre ose forme në të kaluarën janë të lidhur me mosdurim racor, fetar, kombëtar, etnik ose jotolerancë, urrejtje, gjenocid, ekstreminim, përhapje ose mbështetje të fashizmit, nazizmit, nacional-socializmit dhe Rajhut të Tretë”, qëndron në paragrafin e ri në nenin 8 të Ligjit.

    Sipas Ligjit, për përdorimin e emrit, mbiemrit, nofkës, pseudonimit, shkurtesës dhe iniciale të personalitetit historik, pëlqim jep ministri i Drejtësisë pas mendimit pozitiv të marrë paraprakisht nga Komisioni për përdorimin e emrave të personaliteteve historike, e që e formon vetë ministri.

    Në dispozitat kalimtare dhe përfundimtare të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit është përmendur se organizata, shoqata, fondacione, lidhje dhe forma të tjera të bashkimit të regjistruara në përputhje me dispozitat e Ligjit për shoqatat dhe janë të detyruara që në afat prej tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ta harmonizojnë emrin dhe ose emërtimin, qëllimet dhe veprimtaritë e tyre, në përputhje me dispozitat e Ligjit për shoqatat dhe fondacionet që nuk do t’i harmonizojnë dispozitat në përputhje me paragrafin 1 të këtij neni, fshihen nga Regjistri, për çka ministri i Drejtësisë merr vendim. Ministri i Drejtësisë është i detyruar të merr vendim për ndërprerjen e të njëjtave, në afat prej katër muajve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

    Me ndryshimet, nga ana tjetër, të Ligjit për parti politike, do të mundësohet transparencë më e madhe, si të partive ekzistuese politike ashtu edhe të partive të ardhshme politike, garantim të sigurisë juridike të qytetarëve që janë karakteristike për një shtet demokratik, bashkëkohor dhe të qytetëruar juridik, qëndron në tekstin e propozuar.

    Me nenin 1 saktësohet në mënyrë plotësuese dispozita për programin, statusin dhe veprimin e partive politike që të mos mund të jenë të orientuara drejt nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore ose fetare, mosdurimit, mosdurimit etnik, jotolerancës, urrejtjes, gjenocidit, ekstremimit, përhapjes ose mbështetjes së fashizmit, nazizmit, nacional-socializmit dhe Rajhut të tretë ose thirrje në personalitete dhe ngjarje nga e kaluar që kanë të bëjnë me fashizëm, nazizëm, nacional-socializëm dhe Rajhun e tretë.

    Me nenin 2 plotësohet neni 16 me dy paragrafë të ri në të cilët është rregulluar se: (4) Statuti i partisë politike nuk guxon të përmbajë dispozita që shkaktojnë mosdurim racor, fetar, kombëtar, etnik dhe mosdurim tjetër, jotolerancë, urrejtje, gjenocid, ekstreminim, përhapje ose mbështetje të fashizmit, nazizmit, nacional-socializmit dhe Rajhut të Tretë.

    “Emri dhe simbolet e partisë politike nuk guxojnë të përmbajnë simbole, fjalë, shkurtesa që shkaktojnë mosdurim racor, fetar, kombëtar, etnik dhe mosdurim tjetër, jotolerancë, urrejtje, gjenocid, ekstreminim, përhapje ose mbështetje të fashizmit, nazizmit, nacional-socializmit dhe Rajhut të Tretë”, propozohet në njërin prej paragrafëve.

    Partitë politike do të duhet t’i harmonizojnë emrat e tyre me këtë ligj në afat prej tre muajve.

    Lajmi Paraprak

    MSh shkarkon dy dejtorët e klinikave universitare në Shkup

    Lajmi i rradhës

    HOXHOLLARËT PËRBALLË PRIFTËRINJVE | Fituan 8 me 2 në një ndeshje futbolli në Zvicër (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë